Opsioni i lehtë s`është gjithmonë i drejtë

Jun 14 • Meditimi i ditës

14 qershor 2016 – E marte, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

(Leximet e ditës: 1 Mbr 21,17-29; Ps 50; Mt 5,43-48)

 

Prania e Hyjit

 

Gjatë kohës që jam ulur këtu, rrahjet e zemrës sime, ritmi i frymëmarrjes, lëvizjet e mendjes,

të gjitha këto janë shenja se Hyji më krijon vazhdimisht.

Ndalem një moment dhe ndërgjegjësohem për këtë prani të Hyjit në mua.

 

Liria

 

Zoti e njeh lirinë time, ajo për të nuk është e huaj.

Shpirti i Zotit është ai që u jep jetë dëshirave më të thella të zemrës sime,

që më udhëheq në mënyrën pa rënë në sy drejt të gjitha të mirave.

Lus për hirin e shenjtë që të lejoj të çlirohem nëpërmjet Shpirtit të Zotit.

 

Ndërgjegjësimi

 

Kurse tani mendimet e mia po i lartësoj kah ti, o Zot.

Po i lë anash të gjitha brengat dhe interesimet e mia

dhe kërkoj pushim e këndellje në afërsinë tënde.

 

Fjala

 

Do t`i jap vetes kohë që ta lexoj fjalën e Hyjit ngadalë, disa herë,

dhe do të ndalem në atë fjalë a ngjarje që më prek, që më flet personalisht.

 

Mt 5, 43-48

 

43 “Keni dëgjuar se qe thënë: ‘Duaje të afërmin tënd’ e urreje armikun tënd. 44 E unë po ju them: Duajini armiqtë tuaj, lutuni për ata që ju salvojnë, 45 për t’u bërë bijtë e Atit tuaj që është në qiell, sepse Ai bën të lindë dielli i tij mbi të këqijtë e mbi të mirët e të bjerë shi për të drejtët e për të padrejtët. 46 Sepse, po qe se i doni vetëm ata që ju duan, çfarë shpërblimi meritoni? Pse a nuk bëjnë kaq edhe tagrambledhësit? 47 E nëse i përshëndetni vetëm vëllezërit tuaj, çfarë bëni të veçantë? A nuk bëjnë të njëjtën gjë edhe paganët?

48 Jini, pra të përkryer siç është i përkryer edhe Ati juaj që është në qiell!”

 

 Ç` dëshiron të më thuash, Zotëri?

 

Disa mendime mbi pasazhin e sotshëm të Shkrimit Shenjt:

 

– Jezusi thekson se opsioni i lehtë s`është gjithmonë i drejtë. Sa e lehtë është të duash dhe të jesh i lumtur me njerëzit që të duan! Por, Mbretëria e Hyjit është shumë më tepër se kaq: duhet t`i duash të gjithë njerëzit.
– O Zot, po na thërret ta lëmë komoditetin tonë. Rritja jonë matet sipas frymës së dashurisë sonë. Na ndihmo që të rritemi në dashuri!

 

Bashkëbisedimi

 

Cilat ndjenja zgjohen në mua

kur lus dhe meditoj mbi Fjalën e Zotit?

Jezus, ti na thërret që të shkojmë pas teje dhe ta kompletojmë veprën tënde mbi tokë. Më ndihmo të shkoj përtej zonës sime të rehatisë dhe të jap fryt në shërbimin tënd.

 

Përmbyllja

 

Faleminderit, o Zot, për çdo nxitje që më dhe gjatë kësaj kohe që e kalova me ty.

 

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.
Si ka qenë në fillim, ashtu tash
e përgjithmonë e jetës. Amen.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »