“Ati ynë”, modeli i lutjes

Jun 16 • Meditimi i ditës

16 qershor 2016 – E enjte, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

(Leximet e ditës: Sir 48,1-14; Ps 96; Mt 6,7-15)

 

Prania e Hyjit

 

Në heshtjen e qenies sime më intime,

në fragmentet e unitetit tim shumë të dëshiruar,

a mund ta ndiej pëshpëritjen e pranisë së Hyjit?

A mund t`ia kujtoj vetes kur e kam ndier afërsinë e Hyjit;

kur kemi ecur së bashku, duke i lejuar vetes që të përqafohem me dashurinë e Hyjit?

 

Liria

 

Lus për hirin e besimit

në gjithë atë çfarë do të mund të isha dhe të bëja

vetëm po t`i dorëzohesha Hyjit, atij që gjithçka krijon nga dashuria,

që të vazhdojë të më krijojë, udhëheq dhe formojë.

 

Ndërgjegjësimi

 

Më ndihmo o Zot, që të jem edhe më i/e vetëdijshëm për afërsinë tënde.

Më mëso se si të njoh në të tjerët.

Mbushe zemrën time me falënderim për shkak të dashurisë sate

të cilën ma ke treguar nëpërmjet njerëzve tjerë.

 

Fjala

 

Tani e lexoj pjesën e leximit të Shkrimit Shenjt që është parashikuar për sot.

Lexoj pa u ngutur

dhe ia vë mendjen fjalës a ngjarjes që më flet diçka.

Përgjoj, çfarë po ndodh në zemrën tënde.

 

Mt 6, 7-15

 

7 E kur të luteni, mos e teproni me fjalë të kota porsi paganët: ata mendojnë se do t’u plotësohet lutja nëse thonë shumë fjalë. 8 Mos bëni si ata, sepse Ati juaj e di mirë se për çka keni nevojë para se t’i luteni.

9 Prandaj lutuni kështu:

Ati ynë që je në qiell,

u shenjtëroftë Emri yt!

10 Ardhtë Mbretëria jote!

U bëftë vullneti yt

si në qiell ashtu në tokë!

11 Bukën tonë të përditshmen na e jep sot!

12 Na i fal fajet tona,

si i falim ne fajtorët tanë!

13 E mos na lër të biem në tundim,

por na shpëto nga i Keqi!

14 Vërtet, në qoftë se ju ua falni njerëzve gabimet e tyre, edhe Ati juaj qiellor do t’jua falë juve; 15 por, nëse ju nuk ua falni njerëzve gabimet e tyre, as Ati juaj qiellor nuk do t’jua falë juve gabimet tuaja.”

 

Ç` dëshiron të më thuash, Zotëri?

 

Disa mendime mbi pasazhin e sotshëm të Shkrimit Shenjt:

– Kjo lutje e thjeshtë që Jezusi na mësoi është e re dhe e freskët edhe sot, sikurse kur ajo u shqiptua të parën herë. Ajo zbulon se si duhen qenë gjërat midis Hyjit dhe vetes tonë, si dhe njerëzve në mes veti.

– Thuaje pa u ngutur uratën Ati ynë, si ta lutje atë për herë të parë. A është lutja Ati ynë model për mënyrën time të zakonshme të të luturit?

 

Bashkëbisedimi

 

Jezus, gjatë kohës kur e përshkove tokën

fëmijët e vegjël gjithmonë i ke dashur shumë.

Më mëso që të kem besim fëmijëror në ty;

që të jetoj me dije se kurrë nuk do të më lësh.

 

Përmbyllja

 

Faleminderit, o Zot, për këto momente që i kalova vetëm me ty.

 

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.
Si ka qenë në fillim, ashtu tash
e përgjithmonë e jetës. Amen.

Comments are closed.

« »