Të shuash etjen të etshmit

“Kisha është si burimi i vjetër i fshatit, që i shuan etjen brezave të ndryshëm. Ne ndryshojmë, burimi mbetet.”

[Shën Gjoni XXIII, papë]

 

I – Uji në Besëlidhjen e Vjetër

Krejt historia e njerëzimit karakterizohet nga marrëdhëniet e dyfishta me ujin. Nga njëra anë, uji përfaqëson një faktor të pazëvendësueshëm për jetën, për lindjen e zhvillimin, nga ana tjetër, mund të jetë armik nga i cili duhet të mbrohemi, mjafton të mendojmë për përmbytjet, që nganjëherë, shkaktojnë edhe viktima.

Ja përse ky element i çmuar ka zgjuar interesin e njeriut që nga zanafilla e botës. Njerëzimi i ka atribuar ujit kuptime të ndryshme, nga të cilat, prej shekujsh, kulturat e fetë kanë nxjerrë parime, mësime, rituale e besime. Uji, herë i mirë e herë katastrofik, por gjithnjë purifikues, lidhet ngushtë me jetën e njeriut e me historinë e shëlbimit të tij. Bibla hapet me një imazh të jashtëzakonshëm të Shpirtit të Zotit, që ndjehet mbi ujra në formën e puhisë dhe mbyllet me vizionin e një lumi prej uji të gjallë, që rrjedh nga froni i Zotit e i Qengjit. Ndërmjet këtyre ngjarjeve, ndjekin njëra-tjetrën një seri ndodhish, që karakterizohen nga nevoja për ujë, element themelor për jetën, sidomos në tokën ku banon populli i Izraelit, tokë e thatë me zona shkretëtire: “E toka, në të cilën do të hysh për ta bërë pronë, nuk është porsi toka e Egjiptit, prej së cilës dole, ku, kur hidhje farën, të duhej ta lagie duke i prirë ujit me këmbë, siç laget kopshti; është tokë malore e luginore që e pret shiun nga qielli” (Lp 11,10-11), shkruhet në Librin e Ligjit të Përtërirë.

Pra, tema e ujit e përshkon si fill i artë krejt historinë e Izraelit dhe lidh ndërmjet tyre krijimin, ndodhitë e patriarkëve, daljen nga Egjipti, dhuratën e Torah dhe shpresën në ringjallje deri në vizionin e Jeruzalemit qiellor. Kërkimi dhe ruajtja e ujit në Kanaan ishin të domosdoshme e vërtet hapja e puseve njihet që nga koha e patriarkëve: “Shërbëtorët e Izakut gropuan në luginë e gjetën aty një pus me ujë të gjallë” shkruhet që në Librin e Zanafillës (26,19). Në rrugën e Izraelit në shkretëtirë, pas daljes nga Egjipti, mungesa e ujit shkaktoi rebelim (shih Es 15,22-27). Edhe Jeremia flet për vështirësi të mëdha për shkak të thatësirës: “Judeja u mbulua në zi, qytetet e saj rënkojnë, të mekura rrafsh ranë përdhe, në qiell arrin e Jerusalemit vigma!” (Jer 14,2). Ndërsa, në kohën e mbretit Akab, thatësira e madhe e bindi Elinë profet të ndërhynte në favor të popullit (shih 1 Mbr 18). Sigurimi i ujit ishte jetësor për Izraelin, si për qyetet, ashtu edhe për fushimin gjatë betejave e për rastet e rrethimeve nga ana e armiqve. Rreziku i etjes ishte gjithnjë pranë, aq sa Davidi në betejën kundër filistejve në Pas-Dammìm shprehu këtë dëshirë: “Oh sikur të gjendej dikush të më jepte të pi ujë nga pusi që është te dera e Betlehemit” (2 Sam 23,15). Pavarësisht se më pas nuk e pi, por ia kushton Zotit. E gjithë historia e Izraelit përbëhet nga periudha të mëdha zie shoqëruar me thatësirë.

Është besnikëria ndaj Aleancës me Zotin ajo, që garanton gjithnjë shiun, si shenjë bekimi, ndërsa thatësira lidhet me mosbindjen, pra, me mallkimin: “Nëse do të jetoni sipas ligjeve të mia dhe nëse do t’i mbani urdhërimet e mia e do t’i shtini në veprim ato, do t’ju jap shira në stinën e tyre dhe toka do të japë prodhimet e veta dhe pemët do të mbushen me fruta”, thotë Zoti në Librin e Levitikut (3-4).

Kushtet e klimës së Palestinës, tokë barinjsh me shumë thatësirë e pak shi, na bëjnë ta kuptojmë mirë se t’i japësh të pijë të eturit është diçka që s’mund të ndahet nga çdo rregull e normë elementare mikpritjeje, aq sa në Besëlidhjen e Vjetër njerëzit nxiten t’i japin për të pirë edhe armikut: “Edhe këto janë fjalë të urta të Salomonit që i mblodhën njerëzit e Ezekisë, mbretit të Judës… Nëse armiku yt është i uritur, jepi të hajë, nëse është i etur, jepi të pijë; kështu grumbullon mbi kokë të tij prush e Zoti do ta shpaguajë” (Fu 25,1.21-22).

Përvoja e bijve të Izraelit, si ajo tokësore, ashtu edhe ajo shpirtërore, u thotë se ujin duhet ta marrin përditë si simbol të jetës së dhuruar prej Zotit. Dhurata e ujit do të jetë plotësisht e kuptueshme vetëm në kohët mesianike, kur Jezusi i ftoi ta ndiqnin ata, që kishin etje e të besonin në Atë, që ishte uji i gjallë. Por për këtë do të flasim në emisionin e ardhshëm.

 

II – Uji në Besëlidhjen e Re

Ujin na e ka dhuruar Zoti e kjo dhuratë arrin plotësinë e vet në kohët mesianike. Vërtet, Jezusi, në ditën e festës së Tëbanave, u ngrit në këmbë e tha: “Kush ka etje le të vijë tek unë! Le të pijë kush beson në mua!” (Gjn 7,37-38). Uji është figurë e hirit hyjnor dhe na jepet falas. Ai rrjedh si dhuratë nga qielli mbi të gjithë njerëzit, sepse Zoti: “bën të bjerë shi për të drejtët e për të padrejtët” (Mt 5,45), në kundërshtim me çdo aspetativë njerëzore.

Në Ungjillin sipas Gjonit, Jezusi takon Nikodemin dhe e njofton për mundësinë e ringjalljes, e cila realizohet përmes “ujit e Shpirtit” (Gjn 3,5), ujë që vjen nga lart, pra, nuk është fryt i riteve njerëzore, por dhuratë e Zotit. Në takimin pranë pusit të Jakobit, Jezusi i zbulon samaritanes se Ai vetë është uji i jetës dhe i premton një ujë “që rrjedh për jetën e pasosur” (Gjn 4,14). Kush pi nga ky ujë bëhet ai vetë burim për të tjerët. Jezusi i kërkon ujë samaritanes, në të njëjtën mënyrë si do ta kërkojë mbi kryq, duke thirrur: “Kam etje” (Gjn 19,28). Jezusi kishte etje për drejtësi e për jetën e amshuar, digjej për t’u kthyer në Mbretërinë e vet, aty ku mbretëron drejtësia e ku “Lum ata që kanë uri e etje për drejtësi, sepse do të ngihen!” (Mt 5,6). Ai erdhi në këtë botë për t’i përgatitur njerëzit për një jetë më të mirë, jo vetëm për qiell, por edhe për këtu në tokë. Jezusi u premtoi amshimin atyre, që e shohin fytyrën e Tij të mishëruar në atë të tjetrit: “Kush ia jep ndonjërit prej këtyre të vegjëlve, madje edhe një gotë uji të freskët, pse është nxënësi im, për të vërtetë po ju them: nuk do t’i humbë shpërblimi!” (Mt 10,42).

Të vegjlit janë ata, që sjellin kumtin e Ungjillit. Prandaj, kur ndihmojmë ungjillëzimin, me çdo formë – me gjithë vetveten, me lutje e me lëmoshë – në një farë mënyre, u japim ujë të tjerëve. I eturi, shpesh, është pranë nesh. Ka dy lloje njerëzish, që kanë etje: ai që e di ku është burimi, siç lexojmë në Psalme: “O Hyj, Hyji im je ti, që në agim të kërkoj. Ka etje për ty shpirti im”(Ps 63,2), ose “Sikurse dreri i dëshiron burimet e ujërave të gjalla, po ashtu shpirti im të dëshiron ty, o Hyj! Shpirti im ka etje për Hyjin, për Hyjin e gjallë” (Ps 42,1-2); si edhe ai që nuk e di ku është burimi dhe e ka humbur rrugën.

Nëse e marrim për dore këtë të fundit dhe e çojmë deri tek burimi i ujit të gjallë, që është Krishti, me anë të kumtimin të Ungjillit, por edhe me dëshminë e jetës sonë, vetëm atëherë e kemi zbatuar veprën e mëshirës për t’u dhënë të pijnë të eturve. Vende të tjera, ku mund të gjejmë “etje” për dashuri janë spitalet, shtëpitë për të moshuarit, familjet me fëmijë të gjymtuar, ose të sprovuara nga sëmundja e vuajtja. Detyra jonë është t’ua shuajmë etjen e pafund për Zotin edhe vëllezërve e motrave, pengje të dëshpërimit, lypësve, që s’ua hedh sytë njeri, atyre që, edhe pse kanë luftuar me zjarr për jetën, për një arsye a për një tjetër, janë dorëzuar.

Vetëm tani, pasi ndeshemi në ujin e gjallë, në Jezusin, në Ungjill, e kuptojmë pse t’u japësh të pijnë të eturve është akt dhembshurie dhe një nga veprat e mëshirës, që vetë Krishti u kërkoi dishepujve të vet (shih Mk 9,41). Ai u mësoi atyre të bëhen bukë e ujë për të shuar urinë dhe etjen e çdo njeriu. Lindi kështu Kisha, sipas figurës së përdorur nga Shën Gjoni XXIII, papë: “Kisha është si burimi i vjetër i fshatit, që i shuan etjen brezave të ndryshëm. Ne ndryshojmë, burimi mbetet”.

(Nga Radio Vativani. Titulli dhe nëntitujt janë të Redaksisë.)

Shpëndaje: