Duke takuar të bukurën mund ta takoj Hyjin

Jun 18 • Meditimi i ditës

18 qershor 2016 – E shtunë, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

(Leximet e ditës: 2 Kro 24,17-25; Ps 88; Mt 6,24-34)

 

Prania e Hyjit

 

Në heshtjen e qenies sime më intime,

në fragmentet e unitetit tim shumë të dëshiruar,

a mund ta ndiej pëshpëritjen e pranisë së Hyjit?

A mund t`ia kujtoj vetes kur e kam ndier afërsinë e Hyjit;

kur kemi ecur së bashku, duke i lejuar vetes që të përqafohem nga dashuria e Hyjit?

 

Liria

 

Lus për hirin e besimit

në gjithë atë çfarë do të mund të isha dhe të bëja

vetëm po t`i dorëzohesha Hyjit, atij që gjithçka krijon nga dashuria,

që të vazhdojë të më krijojë, udhëheq dhe formojë.

 

Ndërgjegjësimi

 

Më ndihmo o Zot, që të jem edhe më i/e vetëdijshëm për afërsinë tënde.

Më mëso se si të të identifikoj në të tjerët.

Mbushe zemrën time me falënderim për shkak të dashurisë sate

të cilën ma ke treguar nëpërmjet njerëzve tjerë.

 

Fjala

 

Tani e lexoj pjesën e leximit të Shkrimit Shenjt që është i parashikuar për sot.

Lexoj ngadalë

dhe ia vë mendjen fjalisë apo ngjarjes që më flet diçka.

 

Mt 6, 25-34

 

25 “Prandaj po ju them: mos u brengosni për jetën tuaj se çka do të hani dhe çka do të pini, as për trupin tuaj se çka do të vishni: vallë a nuk është jeta më e vlefshme se ushqimi e trupi se petku? 26 Shikoni shpendët e qiellit! As nuk mbjellin, as nuk korrin, as nuk mbledhin në drithnikë, e Ati juaj qiellor i ushqen! A nuk jeni ju më të vlefshëm se ata? 27E kush prej jush, me gjithë përpjekjet shqetësuese që mund të bëjë, është i zoti ta zgjasë sado pak jetën e vet? 28 E për veshje, përse brengoseni aq? Shikoni si rriten lilat e fushës: nuk heqin keq as nuk tjerrin! 29 E unë po ju them: as vetë Salomoni me tërë madhërinë e vet nuk është veshur si njëri nga ata! 30 Tashti, nëse Hyji e vesh kështu barin e tokës, që sot është e nesër hidhet në furrë, vallë, a nuk do t’ju veshë më me ëndje ju, o fepakët? 31 Mos u brengosni, prandaj, duke thënë: ‘Çka do të hamë?’ e ‘Çka do të pimë?’ ‘Me çka do të vishemi?’ 32 ‑ këto gjëra i kërkojnë paganët ‑ sepse Ati juaj qiellor e di mirë se ju keni nevojë për të gjitha këto. 33 Kërkoni, pra, më së pari, Mbretërinë dhe drejtësinë e tij e të gjitha këto do t’ju jepen si shtesë! 34 Prandaj: mos u brengosni për të nesërmen, sepse e nesërmja do të kujdeset vetë për vete. Secilës ditë i del mjaft mundimi i vet!”

 

Ç` dëshiron të më thuash, Zotëri?



Disa mendime mbi pasazhin e sotshëm të Shkrimit Shenjt:

 

 –Ky pasazh është me të vërtetë i mrekullueshëm. Ndalu mbi këtë dhe gjeje paqen në të. Hyji është bukuri në vetvete dhe duke takuar të bukurën mund ta takoj Hyjin.
-Jezusi na premton që Hyji është shpirtmadh, bujar. Hyjit mund t`i besojmë se ka për të siguruar atë që kemi nevojë në qoftë se më së pari “kërkojmë mbretërinë e Hyjit.”

  

Bashkëbisedimi

 

Fjalët nuk po më vijnë lehtë, o Zot.

Shiko në zemrën time dhe shih se sa shumë e dëshiroj paqen.

Më ruaj, o Zot. E di që gjithmonë je pranë meje.

 

Përmbyllja

 

Të falënderoj, o Zot, për çdo nxitje që më dhurove gjatë këtyre momenteve të kaluara vetëm me ty.

 

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.
Si ka qenë në fillim, ashtu tash
e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Comments are closed.

« »