Kush është për ty Jezusi?

Jun 18 • LEXIMET E SË DIELËS

E diela XII gjatë vitit (C)

 

Leximi i parë (Zak 12, 10-11; 13, 1)

Lexim prej Librit të Zakarisë profet
Kështu thotë Zoti: “Mbi shtëpinë e Davidit e mbi banorët e Jerusalemit do ta ndikoj shpirtin e hirit e të uratës, e ata do t’i drejtojnë sytë kah unë. Do ta vajtojnë atë që e shporuan, siç vajtohet djali i dishirit, do të gjëmojnë mbi të siç bëhet gjëma mbi djalin e parëlindur. Atë ditë do të jetë gjëmë e madhe në Jerusalem sikurse vaji i Adadremonit, në fushën e Magedos. Në atë ditë do të jetë kroi rrjedhës për shtëpinë e Davidit e për banorët e Jerusalemit për larje të mëkateve e të papastërtive.” 

Fjala e Zotit.

 

Psalmi 63

Ref: Shpirti im ka etje për ty, o Zot!
———————————————-
O Hyj, Hyji im je ti,
qysh në agim të kërkoj.
Ka etje për ty shpirti im,
ty të dëshiron trupi im,
tokë e shkretë, e thatë, e paujë.
———————————————-
Kështu erdha në Shenjtëroren tënde
për ta parë fuqinë tënde e lavdinë tënde.
Sepse më e mirë është dashuria jote se jeta:
buzët e mia do të të lavdërojnë.
———————————————-
Kështu do të të bekoj në jetën time,
e në Emrin tënd do t’i lartësoj duart e mia,
do të ngihem si në gosti të shkëlqyeshme,
me buzë të hareshme
do të lavdërojë goja ime.
———————————————-
Sepse ti je bërë ndihma ime,
prandaj do të brohoris
nën hijen e krahëve të tu!
Shpirti im u mbështet në ty,
e djathta jote më mban.
———————————————-

 

Leximi i dytë (Gal 3, 26-29)

Lexim prej Letrës së shën Palit apostull drejtuar Galatasve
Vëllezër, të gjithë jeni bijtë e Hyjit në fuqi të fesë në Jezu Krishtin. Në të vërtetë ju të gjithë që jeni pagëzuar në Krishtin, me Krishtin jeni veshur. Nuk ka më: hebre – grek! Nuk ka më: skllav – i lirë! Nuk ka më: mashkull – femër! Të gjithë ju jeni NJË në Krishtin Jezus! Nëse jeni të Krishtit, jeni pasardhësit e Abrahamit, trashëgimtarë në fuqi të premtimit.

Fjala e Zotit.

 

Aleluja
Unë ju quajta miq, thotë Zoti,
sepse ju zbulova gjithçka që dëgjova prej Atit tim.
Aleluja

 

Ungjilli  (Lk 9, 18-24)

Lexim i Ungjillit të shenjtë sipas Lukës
Ndërsa një ditë Jezusi po lutej në vetmi – ishin me të vetëm nxënësit e tij – ai u bëri këtë pyetje: “Kush thonë njerëzit se jam unë?” Ata i përgjigjën: “Disa thonë se je Gjon Pagëzuesi, disa Elia, kurse disa tjerë thonë se u ngjall një ndër profetët e vjetër.”
“Po ju – i pyeti atëherë ata – kush mendoni se jam unë?” Përgjigji Pjetri: “Ti je Mesia i Hyjit!”
Atëherë Jezusi i porositi të mos i tregojnë askujt. E vazhdoi: “Birit të njeriut i duhet të pësojë shumë, ta përbuzin pleqtë, kryepriftërinjtë dhe skribët, ta vrasin dhe të tretën ditë të ngjallet.” Mandej u drejtua të gjithëve: “Nëse ndokush do të vijë pas meje, le ta mohojë vetveten, le ta marrë kryqin e vet çdo ditë, dhe le të më ndjekë. Sepse, kush do të shpëtojë jetën e vet, do ta humbë, ndërsa kush ta humbë jetën e vet për shkakun tim, do ta shpëtoj.”

Fjala e Zotit.

 

POROSIA

Leximi i parë: Zakaria ishte profet i cili së bashku me shumë judenj kthehet nga robëria babilonase, sipas urdhrit të mbretit të Pezisë Kirit. Kjo ndodhi në vitin 538 para Krishtit. Ky dekret mundësonte kthimin dhe riparimin e vendit të shkatërruar, dhe njëkohësisht paralajmëron një kohë të artë që do të vije, përkatësisht paralajmëronte Mesinë Shpëtues dhe Shëlbues. 

Leximi i dytë: Të gjithë jemi një në Krishtin, jo në saje të trupit, por të shpirtit, sepse Ai na shëlboi me gjakun e derdhur nga kryqi. Prandaj pagëzimi na formëson në njerëz të rinj, të shartuar në Krishtin dhe na bën bij dhe bija të Zotit. Nëpërmes pagëzimit jemi një me Krishtin e jemi një në mes vete, nëse jetojmë sipas fesë.

Ungjilli: Krishti i pyet apostujt: “Kush thonë njerëzit se jam unë“? Të gjithë e dinin që nuk është njeri i rëndomtë, e mbanin për profetë, por vetëm Pjetri në emër të apostujve e thotë të vërtetën: Ti je Mesia i Hyjit. Në këtë përgjigje të Pjetrit duhet të shohim edhe ne thellësinë e fesë. Jezusi është shpresa e popujve, është drita e botës, është Shpëtimtari ynë. Pa të jeta nuk ka kuptim.

Edhe ne jemi ata që duhet të tregojmë dhe ta dëshmojmë Krishtin në botë, jo sikurse një profetë, por Zot i ardhur prej qiellit për shëlbimin tonë.

Ai bëri që ne të meritojmë shëlbimin me mundime, vdekje dhe ngjalljen e vet.

Prandaj kush pranon Jezusin si Zot dhe Mesi duhet të pranoi edhe logjiken dhe mënyrën e tij të vepruarit. Duhet të veproi dhe të jetojë një jetë në hirin dhe dashurinë e Zotit.

Të mohosh vetveten do të thotë që të largosh nga mendja lirimin e vuajtjes dhe të kryqit që mund të ndodhin në jetë. Ato shpesh herë janë pjesë përbërëse e jetës. E ai që jeton i bashkuar me Krishtin e ka më të lehtë të bart bashkë me Të peshën e kryqit.

Krishti premton ndihmë në tokë. Por jo vetëm kaq, Krishti premton shpërblim në amshim. Kështu që, mos të hezitojmë të besojmë në Të dhe qëndrojmë të palëkundshëm në fe duke ju përmbajte ligjeve të Zotit dhe rregullave të Kishës.

 

Lutjet e besimtarëve

Të bashkuar rreth sofres hyjnore, t‘ ia drejtojmë lutjet tona Hyjit Atë duke thënë së bashku:

Na shiqo o Hyj dhe ki mëshirë për ne!

1. Për papën tonë Françeskun, ipeshkvin tonë Dodën, meshtarët dhe diakonët, që me jetë të dëshmojnë të vërtetën që e shpalli Biri yt, Jezu Krishti, të lutem:

2. Për Kishën tënde të shpërndarë në katër anët e botës, që e forcuar nga Shpirti Shenjt të veprojë për të mirën e të gjithëve, të lutemi:

3. Për të gjithë njerëzit e botës: dhuroju mençurinë për të mënjanuar çdo pengesë që i largon nga mirësia, bujaria dhe dashuria, të lutemi:

4. Për të rinjtë tanë që të njohin shenjat e thirrjes sate dhe të ndjekin shembullin  që na e dha Biri yt Jezu Krishti, të lutemi:Për familjen tënde këtu të bashkuar, që të jetojë gjithmonë në bashkësinë e themeluar me dashurinë dhe flijimin e Krishtit, të lutemi.

5. Për të gjithë të vdekurit e famullisë sonë, për bamirës, meshtarë dhe shërbyes të kësaj kishe që kanë kaluar në amshim, dhuroju jetën e pasosur, të lutemi:

 O Zot, Hyji i gjithëpushtetshëm dhe i amshuar, Ti e dërgove Birin tënd në botë për shëlbimin tonë, na forco në fe, shpresë dhe dashuri, që të dëshmojmë me fjalë dhe jetë. Nëpër Krishtin, Zotin tonë. Amen.

Përgatiti: Don Marjan Demaj

Shpërndaje

Comments are closed.

« »