Rruga e ngushtë që çon në jetë

Jun 21 • Meditimi i ditës

21 qershor 2016 – E martë, Shën Luigj Gonzaga, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

 (Leximet e ditës: 2Mbr 19,9b-11.14-21.31-35a.36; Ps 47; Mt 7,6.12-14)

 

Prania e Hyjit

 

“Gjithçka e ka vendin dhe kohën e vet”, thotë fjala e urtë.

O Zot, bëj që gjithmonë të dëshiroj ta kaloj kohën në praninë tënde.

Që ta dëgjoj thirrjen tënde.

 

Liria

 

Do të mundohem që së paku shkurt t`i harroj të gjitha brengat dhe problemet

që ndoshta më mundojnë në këtë moment.

Të gjitha brengat e mia i vendos në duart e Zotit – së paku disa minuta sa të zgjatë kjo lutje.

 

Ndërgjegjësimi

 

Jetoj në një rrjetë të gërshetuar me shumë marrëdhënie – lidhje, me natyrën, me njerëz, me Hyjin.
I vërej këto marrëdhënie dhe falënderoj për jetën që rrjedh nëpër to.
Disa prej këtyre marrëdhënieve janë shtrembëruar, disa janë rrënuar, disa janë ndërprerë:
Ndoshta për këtë arsye ndjehem i/e hidhëruar, i/e zemëruar, i/e zhgënjyer.
Lus për dhuratën e pranimit dhe faljes.

 

Fjala

 

O Zot, je bërë njeri në mënyrë që të bisedosh me mua;

Ke ecur dhe ke punuar mbi këtë tokë; ke duruar vapën dhe të ftohtët.

Kohën e kalove në tokë duke u përkujdesur për njerëz.

Ke shëruar të sëmurë, ke ngjallur të vdekur; dhe ajo më e rëndësishmja – më ke shpëtuar nga vdekja.

 

Mt 7,6.12-14

 

6 Mos ua jepni qenve gjënë e shenjtëruar as mos i qitni para derrave margaritarët tuaj që, pasi t’i shkelin, të mos kthehen kundër jush e t’ju shqyejnë.”

12 Gjithçka dëshironi t’ju bëjnë juve njerëzit, bëjuani edhe ju atyre! Ja, vërtet Ligji e Profetët!”

13 “Hyni nëpër derën e ngushtë, sepse e gjerë është dera dhe e gjerë rruga që çon në bjerrje e shumë janë nga ata që kalojnë nëpër të! 14 Sa e ngushtë është dera e sa e ngushtë është rruga që çon në jetë e janë pak nga ata që e gjejnë!”

 

Ç`dëshiron të më thuash, Zotëri?

 

Disa mendime mbi pasazhin e sotshëm të Shkrimit Shenjt:

 

 – Të pasurit në dispozicion gjëra të mira dhe suksesi në jetë mund të rrisin lakminë. Pasuritë e rreme mund ta pushtojnë njeriun dhe të humbin Të jesh i mirë në përgjithësi s`do të thotë të jesh i mirë në atë që vërtet është më e rëndësishmja. Kam nevojë për vlera të mira dhe kohë për reflektim, në mënyrë që të mund të marr vendime të mira në lidhje me begatitë e Zotit.

– Është lehtë t`i lëshohesh rrymave, të ndjekësh rrugë të gjera dhe të lehta, por kjo nuk të çon në jetë. Jezusi është rruga për në jetë dhe ai është dera e hyrjes. “Përnjëmend, përnjëmend po ju them: unë jam dera e deleve… kush hyn nëpër mua, do të shëlbohet: do të hyjë e do të dalë dhe do të gjejë kullosë.“ (Gjn 10, 7-9).

O Zot, më ndihmo që të jem një ndjekës i yti i mirë.

 

Bashkëbisedimi

 

Si e kam përjetuar Fjalën e Hyjit? A më ka lënë të ftohtë?
A më ka ngushëlluar apo nxitur që të veproj më ndryshe?
E paramendoj Jezusin sesi është duke qëndruar apo ulur pranë meje,
i drejtohem dhe ia tregoj të gjitha çfarë ndiej.

 

Përmbyllja

 

Të falënderoj, o Zot, që munda t`i kaloj këto pak minuta vetëm me ty.

 

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt
Si ka qenë në fillim, ashtu tash
e përgjithmonë e jetës. Amen.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »