Të tjerët do të na njohin sipas fryteve tona

Jun 22 • Meditimi i ditës

22 qershor 2016 – E mërkurë, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

 (Leximet e ditës: 2 Mbr 22,8-13; 23,1-3; Ps 118; Mt 7,15-20)

 

Prania e Hyjit

 

Nganjëherë më pushtojnë brengat e kësaj bote.

Në kohën si kjo tani bëj që të bëhem i/e vetëdijshëm/e për kënaqësinë e pranisë sate

si dhe për dashurinë tënde të pakufi për mua.

 

Liria

 

Shumë vetë në këtë moment janë duke pësuar tmerret e luftës.
E përuli kokën në shenjë falënderimi për lirinë time
dhe lus për të gjithë të burgosurit dhe të robëruarit.

 

Ndërgjegjësimi

 

Bëj, o Zot, që gjithmonë të jem i/e vetëdijshëm dhe mirënjohës/e

për të gjitha bamirësitë që m`i ke dhënë.

Këtë bekim ta ndaj gjithmonë me të tjerët.

 

Fjala

 

Hyji i flet çdonjërit  prej nesh personalisht.
Duhet ashtu ta dëgjoj në mënyrë që ta ndiej çfarë dëshiron të më thotë.
Do ta lexoj tekstin disa herë, pastaj do të dëgjoj…

 

Mt 7,15-20

 

15 “Ruajuni prej profetëve të rrejshëm, që vijnë tek ju e ju shtiren si dele, kurse përbrenda janë ujq grabitqarë. 16 Do t’i njihni prej fryteve të tyre. A thua vilet rrushi prej ferrave ose fiqtë prej murrizave?

17 Kështu çdo pemë e mirë, jep fryte të mira, kurse çdo pemë e keqe jep fryte të këqija. 18 Një pemë e mirë nuk mund të japë fryte të këqija, as një pemë e keqe nuk mund të japë fryte të mira. 19 Çdo pemë që nuk jep fryt të mirë, pritet e hidhet në zjarr. 20 Kështu, pra, do t’i njihni profetët prej veprave të tyre.”

 

Ç`dëshiron të më thuash, Zotëri?

 

Disa mendime mbi pasazhin e sotshëm të Shkrimit Shenjt:

 

 – Ekzistojnë mesazhe dhe apele të ndryshme popullore, por që duke i krahasuar me Ungjillin nuk janë të vërteta. Disa parashikojnë ndëshkime dhe errësira, ndërsa të tjerë paraqesin gjëra më liberale. Profetët e vërtetë mësojnë rrugën autentike të Krishtit, ndërkohë që shumë mësues të rremë në historinë njerëzore shpallin mesazhin e tyre vetjak. Ky është për ne një përkujtues për të qenë të kujdesshëm dhe vigjilentë për të qenë në gjendje të reflektojmë dhe të shoshitim atë që është e vërtetë.

– Një pemë nuk prishet brenda natës. Përkundrazi, kalbja fillon nga brenda dhe kjo merr kohë para se të bëhet evidente. Paraqitjet e jashtme mund të jenë të mira, por vërehet humbja e fryteve. Ne humbasim drejtimin kur pak nga pak gjërat e vogla na zvarritin dhe kjo fillon të na shkëpusë nga drejtimi i parë. Nga ana tjetër, rritja në të mirën është evidente. Tek ne ka potencial për të mirën dhe Zoti dëshiron që ta zhvillojmë atë. Të tjerët do të na njohin prej fryteve

 

Bashkëbisedimi

 

Fjalët tua, o Zot, më mësojnë  se si duhet të lus.

Urata e mrekullueshme Ati ynë

përmban  gjithçka dua të them.

 

Përmbyllja

 

Të falënderoj, o Zot, për çdo nxitje që ma dhurove gjatë kësaj kohe sa luta mbi tekstin e Shkrimit Shenjt.

 

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt
Si ka qenë në fillim, ashtu tash
e përgjithmonë e jetës. Amen.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »