Paraqitja e jashtme dhe cilësia e brendshme

Jun 23 • Meditimi i ditës

23 qershor 2016 – E enjte, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

 

(Leximet e ditës: 2 Mbr 24,8-17; Ps 78; Mt 7,21-29)

 

Prania e Hyjit

 

Ndalem një moment
dhe mendoj për dashurinë dhe hirin që Zoti është duke e derdhur mbi mua,

se si është duke më krijuar në shëmbëlltyrën dhe përngjasimin e vet, se si më bën tempull të tij…

 

Liria

 

Hyji ma ka dhënë dhuratën e lirisë.
Madje nëse jam fizikisht i/e robëruar, shpirti im është i lirë.
Më ndihmo që lirinë e dhënë prej teje, me hirin tënd, ta përdor në mënyrë të mençur.

 

Ndërgjegjësimi

 

E di që Zoti më do pa kushte.

Për këtë arsye me sinqeritet e vështroj ditën që po kalon, ngjarjet dhe përjetimet.

A ekziston diçka që duhet të jem mirënjohës/e? Atëherë do të them faleminderit.

Diçka që ndihem fajtor/e? Atëherë do të lus për falje.

 

Fjala

 

Lute Shpirtin Shenjt që të të ndriçojë dhe të ta hapë mendjen dhe zemrën që të mund ta dëgjosh Zotin se si po të flet në Fjalën e tij.

 

Mt 7, 21-29

 

21 “Jo secili që më thotë: ‘O Zot, o Zot!’ do të hyjë në Mbretërinë e qiellit, por ai që kryen vullnetin e Atit tim që është në qiell. 22 Shumë do të më thonë atë ditë: ‘O Zot, o Zot, a nuk profetizuam në Emër tënd, a nuk i nxorëm shpirtrat e këqij në Emër tënd, a nuk bëmë shumë mrekulli në Emër tënd?’ 23 Atëherë unë do t’u them: Kurrë nuk ju kam njohur! Shporruni prej meje, o keqbërës!”

24 “Kështu, kushdo i dëgjon këto fjalë të mia dhe i vë në veprim, mund të krahasohet me njeriun e urtë, i cili e ndërtoi shtëpinë e vet mbi shkëmb. 25 Ra shiu, u çuan përrenjtë, frynë erërat e u përplasën për atë shtëpi, por ajo nuk u rrëzua, sepse i kishte themelet në shkëmb. 26 Kurse, ai që i dëgjon të gjitha këto fjalë të mia e nuk i vë në veprim, mund të krahasohet me njeriun e marrë, i cili e ndërtoi shtëpinë e vet mbi rërë. 27 Ra shiu, u çuan përrenjtë, frynë erërat dhe u përplasën për atë shtëpi e ajo u rrëzua: rrënimi i saj qe i madh!”

28 Kur Jezusi i kreu këto fjalime, turma e popullit mbeti e habitur nga mësimi i tij, 29 sepse vërtet i mësonte si njeriu që ka autoritet, e jo si skribët e tyre.

 

Ç`dëshiron të më thuash, Zotëri?

 

Disa mendime mbi pasazhin e sotshëm të Shkrimit Shenjt:

 

– Prezantimi i të ftuarve të nderuar mund të jetë një zbulim për prezantuesin, si dhe për mysafirët. Për një person mund të kemi shumë informacione, por ta njohësh një person është krejt diçka tjetër, siç është cilësia e atij personi. Mesazhi duhet të tregohet në Jezusi na ka treguar rrugën duke jetuar atë që thoshte dhe mësonte. Si do të më prezantonte mua?

– Ndërtesa ka nevojë për themele të forta. Një themel ranor nuk është i besueshëm. Mesazhi vlen edhe për jetën tonë fetare, nëse dëshirojmë të lidhemi më intensivisht me Jezusin. Fjala e Zotit është shkëmb mbi të cilin ndërtojmë. Sa më e thellë dhe më e fortë të jetë baza, aq më e sigurt është shtëpia. Njohja e Zotit dhe fjala e tij na ndihmon që ta dallojmë/identifikojmë rrugën e Zotit dhe të jemi të hapur ndaj vullnetit të Zotit për ne. Kjo na ndihmon të jetojmë dhe të flasim me bindje sikurse bëri Jezusi.

 

Bashkëbisedimi

 

O Zot, emrin tim e ke shkruar në pëllëmbët e duarve të tua.

Madje edhe nëse më harrojnë të tjerët, ti këtë nuk do ta bësh kurrë.

 

Përmbyllja

 

Të falënderoj, o Zot, për çdo nxitje që ma dhurove gjatë kësaj kohe sa luta mbi tekstin e Shkrimit Shenjt.

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt
Si ka qenë në fillim, ashtu tash
e përgjithmonë e jetës. Amen.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »