Jeta si falje 

Jun 25 • LEXIMET E SË DIELËS

E diela XIII gjatë vitit C

 

Leximi i parë 1 Mbr 19, 16.19-21

Lexim prej Librit të parë të Mbretërve

Në ato ditë, Zoti i tha Elisë: “Elizeun, birin e Safatit, që është në Abelmehulë, shuguroje profet në vendin tënd.” U nis, pra, prej andej Elia dhe e gjeti Elizeun, birin e Safatit, duke lëvruar me dymbëdhjetë pendë qe; Elizeu ishte tek e dymbëdhjeta pendë. 
Kur u afrua Elia tek ai, e hodhi leshnikun e vet mbi të. Ky menjëherë i la qetë, vrapoi pas Elisë e i tha: “Më lejo, të lutem, të merrem ngrykë me babën e me nënën time dhe atëherë po vij pas teje.” Ai i tha: “Hajt e kthehu! Sepse e di se çka kam bërë me ty!” U kthye prej tij, mori një pendë qe i preu fli. Me veglat e lëvrimit e zjeu mishin dhe ua dha njerëzve ta hanin. Mandej u çua, shkoi pas Elisë dhe u vu në shërbimin e tij. 

Fjala e Zotit.

 

PSALMI 16

Ref: Ti, o Zot, je e mira ime

————————————————
Më ruaj, o Hyj, sepse të kam rënë ndore!
I thashë Zotit: “Ti je Zoti im,
tjetër të mirë nuk kam veç teje!”
Zoti është pjesa e trashëgimit tim 
dhe gota ime,
në dorën tënde është fati im!
—- —- —-
E bekoj Zotin që më këshillon:
edhe natën veshkat e mia më mësojnë.
Zotin e kam gjithmonë para sysh,
më rri në të djathtë, 
nuk kam sesi të rrëzohem!
—- —- —-
Prandaj galdon zemra ime, 
gëzon shpirti im,
mbarë trupi im pushon në qetësi.
S’do të ma lësh shpirtin në nëntokë,
as s’do të lejosh që Shenjti yt 
të kalbet në dhe.
—- —- —-
Ti do të ma tregosh udhën e jetës,
gëzimin e plotë para fytyrës sate,
kënaqjen e amshueshme 
në të djathtën tënde.
—- —- —-

 

Leximi i dytë Gal 5, 1.13-18

Lexim prej Letrës së shën Palit apostull drejtuar Galatasve

Vëllezër, Krishti na liroi që të mbeteshim vërtet të lirë. Qëndroni, prandaj, e mos lejoni t’ju zënë në zgjedhën e skllavërisë! Vërtet, vëllezër, ju jeni të grishur në liri! Por kini kujdes që kjo liri të mos bëhet shkak të jetoni si do trupi, por me dashuri shërbeni njëri-tjetrit! Sepse i tërë ligji përmblidhet në këtë urdhër: “Duaje të afërmin tënd porsi vetveten!” Nëse njëri-tjetrin nuk e lini në paqe me fjalë dhe ia breni shoqishoqit jetën me ngatërresa, hapni sytë: po e qitni fare njëri-tjetrin! Dua të them: jetoni nën ndikimin e Shpirtit Shenjt e nuk do t’i kryeni dëshirat e mishit e të gjakut. Sepse mishi e gjaku me dëshirat e veta i kundërshtojnë Shpirtit e Shpirti i kundërshton mishit e gjakut: këta të dy janë në kundërshtim njëri me tjetrin, që të mos bëni çka dëshironi. E nëse ju prin Shpirti, nuk jeni të nënshtruar ligjit. 

Fjala e Zotit.

 

Aleluja.
Unë jam drita e botës, thotë Zoti; 

kush beson në mua do ta ketë  dritën e jetës.
Aleluja

 

Ungjilli Lk 9, 51-62

Leximi i Ungjillit shenjt sipas Lukës

Kur erdhi koha që Jezusi të jetë ngritur nga kjo botë, mori vendim të palëkundshëm të shkojë në Jerusalem. Përpara i dërgoi lajmëtarët e vet. Këta shkuan dhe hynë në një fshat samaritanësh për të përgatitur ardhjen e tij. Por ata s’deshën ta pranojnë aty, sepse ishte nisur për Jerusalem. Kur e panë këtë gjë, nxënësit – Jakobi e Gjoni – thanë: “Zotëri, a do të urdhërojmë që zjarri të zbresë nga qielli e t’i zhbijë?” Jezusi u kthye kah ata dhe i qortoi. Dhe u nisën për një fshat tjetër. Ndërsa po bënin rrugë, një njeri i tha: “Unë dua të vij pas teje kudo që të shkosh!” Jezusi i përgjigji: “Dhelprat i kanë strofujt e vet, edhe shpendët e qiellit çerdhet, kurse Biri i njeriut nuk ka ku ta mbështesë kokën!” Një tjetri i tha: “Eja pas meje!” Por ai i përgjigji: “Zotëri, më lejo të shkoj një herë e ta varros tim atë!” “Lëri – i përgjigji Jezusi – që të vdekurit t’i varrosin të vdekurit e vet, e ti shko e prediko Mbretërinë e Hyjit!” Atëherë i tha një tjetër: “Unë po vij me ty, Zotëri, por më jep leje njëherë të shkoj e të përshëndetem me anëtarët e familjes sime.” “Kushdo – i përgjigji Jezusi – që vë dorën në parmendë dhe sillet e shikon mbrapa, nuk është i përshtatshëm për Mbretërinë e Hyjit! 

Fjala e Zotit.

 

POROSIA

Leximi i parë dhe Ungjilli kanë diçka të përbashkët. Nga njëra anë rrëfejnë për thirrjen, nga ana tjetër, flasin për faljen, përshëndetjen, përkatësisht lamtumirën. Në leximin e parë, Elizeu falet me prindërit e vet duke i përqafuar, puthur, kurse me njerëzit e tjerë duke ngrënë me ta. Në Ungjill, dy nga burrat, të cilët duan të ndjekin Jezusin, dëshirojnë së pari të falen, të përshëndeten: njëri me babanë e tij të ndjerë, duke e varrosur, kurse tjetri dëshiron të falet me të gjithë familjen e vet. Të tre dëshironin të përshëndeteshin para se të bëheshin ajo që Hyji e kishte paraparë të ishin, d.m.th. profet, apo si nxënës në shërbim të Hyjit.

Kur falemi me dikë, kur i themi lamtumirë dikujt, çfarë mendojmë me këtë? Themi dhe bëjmë atë që mendojmë se është e rëndësishme në atë moment. E shprehim këtë duke i dhënë një të puthur lamtumire njëri-tjetrit ose festojmë një mbrëmje lamtumire. Te lamtumira është e udhës t`i kryesh punët e pambaruara, t`i shprehësh lutjet, kërkesat. Nuk është më pak e rëndësishme, me siguri t`iu përgjigjesh edhe pyetjeve që kanë mbetur të hapura, në mënyrë që njeriu të mund të shkojë, të largohet i qetë, njëkohësisht atyre që mbesin për t’u dhënë mundësinë; dikë ta lësh të shkojë, ta lëshosh, me vetëdije dhe besim se largimi është një gjë e mirë, sepse kjo do ta udhëzojë në të ardhmen dhe në një jetë të re. Shpesh herë i bekojmë njerëzit para se të përshëndetemi apo t`iu themi lamtumirë njëri-tjetrit: prindërit shpesh para largimit ua bëjnë shenjën e kryqit fëmijëve të vet në ballë.

Në mënyrë të vazhdueshme, lamtumirat, përshëndetjet, faljet apo shkëputjet, të mëdha a të vogla, u japin formë jetës sonë: kur largohemi çdo ditë nga shtëpia për në punë; kur fëmijët ndryshojnë shkollën dhe u duhet të largohen nga shkolla e vjetër, e njohur, nganjëherë e dashur; kur shpërngulemi në një banesë tjetër, një shtëpi tjetër; kur dikush shkon në një udhëtim; kur një anëtar i familjes niset në udhëtimin e tij të fundit dhe vdes …

Ka lamtumira/ndarje të panumërta: kështu për shembull, ne falemi, u themi lamtumirë ideve të vjetruara dhe zakoneve të vjetra. Shumë shkëputje janë të lehta, por të tjerat për dikë janë të vështira. Te sëmundja i japim lamtumirën idesë së një organi të paprekur, të shëndetshëm. Zoti e di sa lamtumira, ndarje, falje duhet të kesh përjetuar ti në jetën tënde deri në këtë moment …

Të falesh me dikë – në këtë fjalë fshihet fjala “falje”. Ikja, lamtumira ndan, respektivisht falë të kaluarën me të ardhmen. Kjo është falja me atë që ishte dhe atë që shtrihet përpara nesh. Kjo dikë e lë të kthyer drejt të kaluarës, asaj që e kemi lënë prapa, por edhe e drejton për të shikuar përpara.

Të jesh dishepull i Jezusit do të thotë të jesh pa strehë mbi krye, në mënyrë që tërësisht të varesh nga mëshira e Hyjit dhe të kesh besim në të. Të jesh dishepull i Jezusit do të thotë mos të shikosh prapa duke ngecur në të kaluarën, por vetëm ta drejtosh shikimin përpara. Të jesh dishepull i Jezusit do të thotë të jesh i kthyer drejt jetës dhe ta predikosh Mbretërinë e Hyjit.

Kushdo që e kupton artin e plugimit, e di se ai që lëron vetëm atëherë i bën brazdat e drejta nëse shikon përpara. Sapo e kthen shikimin prapa menjëherë brazdat fillojnë të bëhen jo të drejta dhe të shtrembra. Ky imazh, që e përdor Jezusi në shpjegimin e tij, tregon se çfarë dëshiron të thotë: Kush dëshiron ta shpallë Mbretërinë e Hyjit, i duhet të shikojë përpara drejt të ardhmes. Kurse ai që e kthen shikimin prapa, mbërthehet në të kaluarën, mbetet i ngurtësuar si gruaja e Lotit.

Jezusi plotësisht e njeh të qenit tonë njeri. Ai në jetën e tij gjithmonë është falur: me familjen e vet, me dishepujt e vet në Darkën e Fundit. Jezusi është falur para se të ngjitej nga kjo botë dhe njerëzit e vet. Ai e di se përveç se është mirë që atij i duhet të shkojë, ekziston edhe ana tjetër e faljes/lamtumirës: ajo që rëndon dhe dhemb. Rëndesën dhe dhimbjen e përjetojmë atje ku nuk është i mundshëm më bashkëbisedimi midis njerëzve. Ku s`ka mirëkuptim, e ku pritet nga ata që janë larguar. Atje ku ka një mungesë mirëkuptimi për rrugën e re të filluar. Ku vetë ne e kemi të vështirë të lejojmë një njeri që të niset rrugës së vet. Rrugës, së cilës ndoshta vetë Hyji e ka thirrur të shkojë.

Falja me të tjerët, lamtumira dhemb atëherë, kur nuk jemi të sigurt për të ardhmen e atij që largohet (ndoshta edhe për veten tonë). Ai që ka frikë t`i hapet të ardhmes dhe t`i lejojë tjetrit të shkojë, lehtë mund të bëhet si gruaja e Lotit shtyllë kripe, dhe të pengohet në jetën e vet.

Në Ungjill, Jezusi thërret njerëzit të shkojnë pas tij. Edhe kur për këtë përdor fjalë të rënda dhe sfiduese, fjalë të cilat janë shumë të qarta, të forta dhe të fuqishme: Jezusi e bën këtë, sepse është i sigurt se e ardhmja dhe jeta e njerëzve qëndrojnë në Mbretërinë e Hyjit. Ai i thërret njerëzit të jetojnë “falas” – “duke u falur” – në kuptimin pozitiv: të jenë të gatshëm për të lënë të vjetrën; gjithmonë të nisen në mënyrë të re dhe të marrin zemër për risi. “Kushdo që e humb jetën e vet, do ta gjejë atë.”

Jezusi, Krishti-Shpëtimtari ynë, na jep zemër të ecim së bashku me të në këtë të ardhme dhe ta ndjekim atë, me të të përpiqemi në këtë drejtim që Mbretëria e Hyjit të mund të bëhet një realitet në botën tonë. Kjo mbretëri e dashurisë, paqes, drejtësisë, dashamirësisë, sinqeritetit … do të fillojë të rritet, në qoftë se me një besim prej fëmije llogarisim në veprimin e Hyjit, kur mund t`i lëmë të gjitha dhe ecim asaj rruge, sepse Hyji na thërret në një jetë të re, të plotë: “Kërkoni së pari Mbretërinë e Hyjit, dhe çdo gjë tjetër do t`ju jepet si shtesë.” Amen.

 

LUTJET E BESIMTARËVE

Zoti na ka liruar prej robërisë së mëkatit. Ai sot na thërret që të vazhdojmë të jetojmë si njerëz të lirë të bashkuar me të. Të lusim së bashku e të themi:

O Zot, na jep lirinë e vërtetë

1. O Zot, bëj që besnikëria jonë ndaj mësimit Tënd dhe aftësia për ta bërë të mishëruar këtë mësim në jetën e përditshme të mos mbetet vetëm një dëshirë në fjalë, të lutemi.

2. Bëj, o Zot, që siguria se jemi të dashur prej Teje të na ndihmojë të mos e përjashtojmë askënd, të lutemi.

3. Bëj, o Zot, që dashuria që na ka dhuruar jetën, të na ndihmojë të kuptojmë domethënien e saj e ta çmojmë si vlerë për jetë, të lutemi.

4. Bëj, o Zot, që liria e jonë e dhuruar prej Teje të jetë shembull për të gjithë se si duhet të ngadhënjejmë mbi të gjitha situatat e robërisë, shpirtërore dhe trupore, të lutemi.

O Atë, madhnia Jote e tejkalon zemrën tonë e ligjet tona, na ndihmo të t’kërkojmë pandërprerë e tek Ti të gjejmë sigurinë. Këtë po ta kërkojmë, nëpër Krishtin Zotin tonë

Përgatiti: P. Shtjefën Dodes, SJ

Shpërndaje

Comments are closed.

« »