Kosova përgatitet të Shtegtojë në Vatikan për Shenjtërimin e Nënë Terezës

Jun 25 • Kisha në Kosovë

Prishtinë, 24 qershor 2016

Shenjtërimi i Nënë Terezës më 4 shtator të këtij viti, është një ngjarje e papërsëritur dhe me rëndësi të madhe për popullin tonë, u tha në takimin mes Ipeshkvit të Kosovës Imzot Dodë Gjergjit dhe Kryeministrit të Kosovës, Isa Mustafa, i cili i zhvillua në ambientet e Kryeministrisë.

Gjatë takimit, ku ishte i pranishëm edhe zëvendëskryeministri, njëherësh ministër i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Shala, Vikari Gjeneral i Ipeshkvisë së Kosovës, Don Lush Gjergji dhe Sekretari, Don Fatmir Koliq, u bisedua për përgatitjet që po bëhen për Shtegtimin në Vatikan me rastin e shenjtërimit të Lumes Nënë Tereza.

Imzot Dodë Gjergji e informojë Kryeministrin Mustafa për përgatitjet e Ipeshkvisë së Kosovës që ka ndërmarrë për këtë ngjaje të papërsëritshme për të gjithë shqiptarët. Përveç shtegtimit 3 ditor në Vatikan, që do jetë i organizuar nga Ipeshkvia, në kuadër të kësaj do të jetë edhe koncerti i Himinit të Nënë Terezës, i cili do të mbahet me 3 shtator, në vigjilje të shenjtërimit.

“Populli i gëzohet kësaj ngjarje të madhe. Është një vit që Zoti e ka mbush me dhurata të mëdha popullin tonë dhe këtë rast duhet ta shfrytëzojmë për qenë të pranishëm në mënyrën më të dinjitetshme”, tha Imzot Dodë Gjergji.

Kryeministri  Mustafa tha se “Kosova dhe shqiptarët kanë një arsye më shumë që të ndjehen krenar në këtë vit me shumë suksese. Shenjtërimi i Nënës Terezë është një përjetim i veçantë për qytetarët e Kosovës dhe shqiptarët në përgjithësi”.

Në këtë kontekst, kryeministri Isa Mustafa, bëri të ditur se Qeveria e Kosovës do të financojë koncertin, i cili do të mbahet në Vatikan, më vigjilje të shenjtërimit të Nënës Terezë.
Ipeshkvi i Kosovës, Imzot Dodë Gjergji, shprehu mirënjohje për Qeverinë për punën e saj në këtë drejtim dhe për mbështetjen e koncertit për nder të shenjtërimit të saj.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »