Lutja e brendshme nuk është ndonjë teknikë, por hir

Jun 27 • Këndvështrime

Edhe pse metodat (mënyrat) ose ushtrimet mund të ndihmojnë në lutje, atyre nuk duhet t’u jepet shumë rëndësi as duhet bazuar mbi to gjithë jetën tënde të lutjes, sepse kjo do të thoshte të përqendrohesh në veten tënde dhe jo në Zotin. Pikërisht këtë gabim nuk duhet ta bëjmë!

 

Nga Jacques Philippe

 

Gjithashtu  mos të besojmë se do të jetë e mjaftueshme të ushtrosh pak apo t`i përvetësosh disa marifete në mënyrë që të heqim qafe vështirësitë apo shpërqendrimet në lutje. Logjika e thellë e përparimit dhe rritjes në jetën shpirtërore për fat është e një natyre krejtësisht tjetër. Nuk do të arrinim shumë larg po të bazohej ndërtesa e lutjes së brendshme në përpjekjet tona. Shën Tereza e Avilës pohon se “ndërtesa e lutjes së brendshme bazohet në përvujtëri”, d.m.th. në bindjen se vetë nga vetvetja nuk mund të bëjmë asgjë, por që Hyji, dhe vetëm Hyji në jetën tonë mund të bëjë çdo të mirë. Kjo mund të jetë një goditje për arrogancën tonë me të cilën jemi lindur, por në fakt është shumë çliruese. Hyji që na do mund të na çojë jashtëzakonisht më larg dhe të na ngritë jashtëzakonisht më shumë sesa ne mundemi vetëm me forcat tona.

Parimi ynë themelor ka edhe një efekt çlirues. Në rastin e një teknike, gjithmonë ka njerëz të talentuar dhe të patalentuar. Po të kishte qenë jeta e lutjes së brendshme një çështje e teknikës, kjo do të thoshte se ka nga ata që janë të aftë për jetën kontemplative (soditëse) dhe ka nga ata që nuk janë. Është e saktë se ka njerëz të cilët mblidhen, përqendrohen më lehtë se të tjerët, të cilët vijnë te mendime të bukura më lehtë se të tjerët, etj., por kjo është absolutisht e parëndësishme. Të gjithë ata që besnikërisht, në përputhje me personalitetin e tyre, me dhuratat e tyre dhe dobësitë e tyre i përgjigjen hirit hyjnor, janë të aftë për një jetë shumë të thellë të lutjes së brendshme. Thirrja për lutjen e brendshme, për një jetë mistike, për bashkimin me Hyjin në lutje, është universale sikurse thirrja për shenjtëri. Njëra nuk shkon pa tjetrën. Absolutisht askush nuk është i përjashtuar nga ajo. Jezusi nuk i drejtohet një elite të zgjedhur, por të gjithëve pa dallim, kur thotë: “Lutuni në çdo moment” (Lk 21,36) dhe “Ndërsa ti, kur të lutesh, hyr në dhomën tënde, mbylle pas vetes derën e lutju Atit tënd që është në fshehtësi; e Ati yt që sheh në fshehtësi, do të të shpërblejë.” (Mt 6,6)

Një pasojë tjetër e parimit tonë themelor do të udhëheqë gjithçka që vijon në meditimin tonë. Në qoftë se jeta e lutjes së brendshme nuk është një teknikë që duhet ta zotërosh, por një hir që duhet ta marrësh, në qoftë se është dhuratë që vjen nga Hyji, atëherë nuk është më së rëndësishmi të flasim për metodat apo të japim receta, por t`i ndihmojmë njerëzit ta kuptojnë se në çfarë kushtesh do të jenë në gjendje për të marrë këtë dhuratë. Kemi të bëjmë me qëndrimin e brendshëm, për dispozicionin, gatishmërinë e zemrës. Me fjalë të tjera, përparimi në jetën e brendshme të lutjes dhe frytshmëria në të nuk varet nga mënyra me të cilën dikush lutet, por nga qëndrimi i brendshëm me të cilin i qaset jetës së lutjes dhe në të përparon. Detyra jonë kryesore është që të përpiqemi ta përvetësojmë, ta mbajmë dhe ta thellojmë këtë dispozicion, gatishmëri të brendshme të zemrës. Çdo gjë tjetër është punë e Hyjit.

(Përktheu: Shtjefën Dodes SJ)

Shpërndaje

Comments are closed.

« »