Jezusi ka fuqinë t`i qetësojë stuhitë e jetës sime

Jun 28 • Meditimi i ditës

28 qershor 2016 – E martë, Shën Ireneu, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

 

(Leximet e ditës: Am 3,1-8; 4,11-12; Ps 5; Mt 8, 23-27)

 

Prania e Hyjit

 

Jezus i dashur, sot po vij tek ti dhe kam nevojë për afërsinë tënde.

Dëshiroj të të dua sikurse ti më do mua.

Kurrë mos më ndaftë asgjë prej teje.

 

Liria

 

Trungu i trashë dhe i shtrembër i pemës kurrë nuk do të besonte
se mund të bëhet statujë, vepër e mrekullueshme artistike,
dhe kurrë nuk do t`i nënshtrohej daltës së skulptorit,
i cili me gjeninë e tij depërton për të nxjerr gjithë atë çfarë mund të bëhet prej këtij trungu (Shën Injaci)
Lus për hirin shenjtë që të lejoj të formohem me dorën e Krijuesit tim të dashur.

 

Ndërgjegjësimi

 

Në praninë e Hyjit që më do
e vështroj gjithë atë që më ka ndodhur ditën e kaluar,
prej këtij momenti në mënyrë retrospektive, hap për hap.
E kujtoj të gjithë atë që kanë qenë mirë dhe bukur, dhe për këtë falënderoj.
I vërej edhe hijet, gabimet dhe pyes se çfarë më flasin; lus për shërim, guxim, falje.

 

Fjala

 

Hyji na dëfton veten e vet me anë të shkrimeve të shenjta.
Lexoje tekstin nga Ungjilli i sotëm disa herë
dhe lejoji vëmendjes tënde të pushojë në disa pjesë të tij.

 

Mt 8, 23-27

 

23 Si hyri në barkë, pas tij u nisën edhe nxënësit e tij. 24 Dhe ja, në det u çua një stuhi e madhe aq sa valët po e mbulonin barkën; e ai flinte.

25 Atëherë nxënësit iu afruan, e zgjuan dhe i thanë:

“Ndore tënde, o Zot, se u mbytëm!”

26 “Pse po frikësoheni, o fepakët?” ‑ u tha dhe atëherë u ngrit, u urdhëroi erërave dhe detit e u bë qetësi e madhe. 27 Njerëzit të habitur thoshin: “Kush është ky që po i nënshtrohen erërat dhe deti?”

 

Ç` dëshiron të më thuash, Zotëri?

 

Disa mendime mbi pjesën e leximit të sotshëm të Shkrimit Shenjt:

 

– Vë re disa kontradikta në këtë raport. Nga njëra anë, nxënësit e tmerruar, dhe në anën tjetër Jezusi që është në gjumë. Në njërën anë kaos stuhie, nga ana tjetër, “qetësi e madhe”, pas ndërhyrjes së Jezusit. Jezusi tregon se ka besim të plotë në mbrojtjen e Hyjit, kurse nxënësit kanë “pak besim”. Si qëndron puna me mua?

– Vetëm Hyji ka fuqi mbi fuqinë natyrore të ujit. Jezusi tregon publikisht se edhe ai ka atë fuqi, që i referohet hyjnisë së tij. A ka pas ndonjë ngjarje në jetën time kur e kam thirrur ndihmën e Hyjit, e ai e ka ripërtërirë qetësinë dhe paqen e madhe në ujërat e mia të stuhishme?

  

Bashkëbisedimi

 

O Zot i dashur, ji pranë meje gjithmonë.

Ma jep një zemër e cila gjithmonë do të të besojë.

Faleminderit që më do.

 

Përmbyllja

 

Të falënderoj, o Zot, që munda t`i kaloj këto pak minuta vetëm me ty.

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt
Si ka qenë në fillim, ashtu tash
e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Shpërndaje

Comments are closed.

« »