Atentati në Stamboll: Ipeshkvia e Kosovës solidarizohet me dhembjen e popullit turk

Jun 29 • Kisha në Kosovë

Aktet terroriste mbrëmë në Stamboll, kanë shkaktuar dhimbje dhe pikëllim për të gjithë botën. Ipeshkvia e Kosovës ka lëshuar deklaratë, përmes të cilës shpreh dhimbjen për viktimat e atentatit dhe solidarizohet me pikëllimin e popullit turk. Lexoni më poshtë deklaratën e plotë.

Deklaratë për media

Me dhembje dhe pikëllim të thellë kemi përcjell lajmin trishtues të aktit terrorist në Aeroportin e Stambollit, i cili ishte i drejtuar kundër njerëzve të pafajshëm. Kjo shëmti e njerëzve të ligj ka tronditur botën e qytetëruar dhe të gjithë njerëzit vullnetmirë.

Ipeshkvia e Kosovës solidarizohet me dhembjen e popullit turk, është e bashkuar në lutje për viktimat e kësaj të keqeje dhe për familjarët e tyre, që Zoti t’iu jep të gjithëve forcë dhe ngushëllim.

Lusim Zotin që kjo e keqe kundër njeriut dhe popujve, me përmasa ndërkombëtare, të ndalet sa më shpejt, duke i kthyer zemrat e njerëzve që të kuptojnë se e ardhmja e njerëzimit nuk ndërtohet me dhunë e vrasje, por në vëllazëri, në paqe, në dashuri dhe me respekt ndaj tjetrit vëlla dhe motër.

Për shpirtin e të ndjerëve të rënë në këtë tragjedi dhe për paqe në botë, Ipeshkvia e Kosovës do të kremtojë meshë të dielën e ardhshme – 3 korrik 2016 – në të gjitha kishat e saja.

Zyra e Ipeshkvisë së Kosovës

Prishtinë, 29 qershor 2016

 

Shpërndaje

Comments are closed.

« »