Çelsat, dhuratë për të hapur dyert e Mbretërisë Qiellore

Jun 29 • Kisha në botë

Fjala e Zotit e kësaj liturgjie përmban një binom qendror:  mbyllje/ hapje. Pranë kësaj figure, mund të vëmë edhe simbolin e çelësave, premtuar nga Jezusi Simon Pjetrit, që të mund ta hapë hyrjen e Mbretërisë së Qiejve e sigurisht, jo që ta mbyllë para njerëzve, siç bënin disa skribë e farizenj hipokritë, që Jezusi i qorton ashpër (khs. Mt 23,13).

Leximi nga Veprat e Apostujve (12, 1-11) na paraqet tri mbyllje: mbylljen e Pjetrit në burg, të bashkësisë në lutje; – dhe në kontekstin e afërt të fragmentit tonë –  ajo në shtëpinë e Marisë, nënës së Gjonit, ku Pjetri shkon të trokasë pasi lirohet nga burgu.

Në krahasim me mbylljet, lutja duket si rrugëdalje; rrugë e daljes për bashkësinë, që rrezikon të mbyllet në vetvete për shkak të persekutimit e frikës, rrugë e daljes për Pjetrin, i cili, pa e nisur mirë misionin e besuar nga Zoti, flaket në burg prej Herodit, me rrezikun që të dënohet me vdekje. E ndërsa Pjetri ishte në burg, “urata e përzemërt e Kishës ngritej vazhdimisht para Hyjit për të” (Vap 12,5). Dhe Zoti e dërgoi një engjëll për ta liruar “nga dora e Herodit” (khs. rr. 11).

Lutja, si lëshim i plotë në dorë të Zotit e të vullnetit të Tij, është gjithnjë rrugëdalja nga mbylljet tona personale e  të bashkësisë. Është rrugë e madhe e daljes nga mbyllja.

Edhe Pali, që duke i shkruar Timoteut, flet për përvojën e tij lirimit, për daljen nga rreziku i dënimit me vdekje, por Zoti ishte pranë tij dhe i dha forcë ta çonte deri në fund veprën e  ungjillëzimit ndërmjet popujve (khs. 2 Tim 4,17). Po Pali flet për një ‘hapje’ shumë më të madhe, kah një horizont i pafundmë: për atë të jetës së amshuar, që e pret, pasi ta ketë kryer ‘vrapin’ tokësor. Është gjë e bukur, atëherë ta shikosh jetën e Apostullit krejtësisht “në daljefalë Ungjillit;  tërësisht e projektuar përpara, një herë për t’ua çuar Krishtin atyre, që nuk e njihnin, e pastaj, për t’u lëshuar i tëri në krahët e Tij, për t’u çuar prej Tij, “dhe to të më shëlbojë për Mbretërinë e vet qiellore” (rr. 18).

Të rikthehemi tek Pjetri. Tregimi ungjillor (Mt 16, 13-19) i dëshmisë së tij të fesë dhe misioni që i besohet nga Jezusi, na e tregon jetën e Pjetrit, peshkatarit të Galilesë – sikur të ishte jeta e secilit prej nesh – hapet plotësisht, kur e pranon nga Hyji Atë hirin e fesë. Atëherë Simoni vihet për udhë – udhë e gjatë dhe e vështirë – që e çon në dalje nga vetja, nga siguritë e tija njerëzore, posaçërisht nga krenaria e tij e përzierë me guxim e vetëmohim bujar. Në këtë udhë çlirimi, vendimtare është lutja e Jezusit: “U luta për ty (Simon), që feja jote të mos mungojë’ (Lk 22, 32). E po aq vendimtar është edhe shikimi plot mëshirë i Zotit, pasi Pjetri e pati mohuar tri herë: shikim, që ia prek zemrën dhe e bën të shkrihet në vajin e pendimit (khs. Lk 22,61-62). Atëherë Simon Pjetri u lirua nga burgu i vetes krenare e frikacake, e kapërcej tundimin, që e shtynte të mbyllej para thirrjes së Jezusit për ta ndjekur pas në udhën e kryqit.

 

Sikur e përmenda, në kontekstin e afërt të pjesës së Veprave të Apostujve, ndodhet një gjë e posaçme, që do të mund të na bëjë mirë ta rikujtojmë (khs. 12, 12-17). Kur Pjetri del mrekullisht nga burgu i Herodit, shkon në shtëpinë e nënës së Gjonit, që thirrej Mark. Troket në portë e i gjegjet një shërbëtore me emrin Rode, e cila, duke njohur zërin e Pjetrit, në vend që t’ia hapë portën, duke mos i besuar veshëve e plot me gëzim, vrapon t’ia tregojë ngjarjen së zojës. Ky tregim që mund të tingëllojë si komik – e që mund ta quajmë “kompleksi Rode” – tregon qartë atmosferën e frikës në të cilën jetonte e gjithë bashkësia e krishterë, që kishte mbyllur portat, edhe për të papriturat e Zotit. Pjetri troket në derë. “Shiko!” Ka hare, ka edhe frikë… “Ta çelim apo mos ta çelim”. Është ai në rrezik, sepse policia mund ta marr. Porse frika na stopon, na stopon përherë. Na mbyll, na mbyll para të papriturave të Zotit. Kjo hollësi na flet për tundimin e përhershëm që ekziston në Kishë, atë të mbylljes në vetvete, përballë rreziqeve. Por edhe këtu hapet një rrugëdalje, përmes së cilës mund të kalojë veprimi i Zotit: thotë Luka se në këtë shtëpi “shumë ishin mbledhur bashkë e luteshin” (rr. 12). Lutja i krijon hirit kushtet të hapë një rrugëdalje: nga mbyllja, në hapje; nga frika, në guxim; nga trishtimi, në gëzim. E mund të shtojmë edhe nga ndarja, në bashkim. Po, e themi sot me besim, së bashku me vëllezërit e Delegacionit të dërguar nga vëllai i dashur, Patriku Ekumenik Bartolomeu, për të marrë pjesë në festën e Shenjtorëve Pajtorë të Romës. Është festë bashkimi për mbarë Kishën, siç e dëshmon edhe prania e  Kryeipeshkvijve Metropolitë, ardhur për bekimin e paliove, që do t’u vihen  mbi supe nga përfaqësuesit e mi, në Selitë përkatëse.

Shenjtorët Pjetër e Pal ndërmjetësofshin për ne, që të mund ta kryejmë me gëzim këtë udhë, të  provojmë veprimin çlirues të Zotit e t’ia dëshmojmë të gjithëve.

 

(Homelia e plotë e Papa Françeskut në Festën e Shën Pjetrit dhe Shën Palit. Bazilika e Shën Pjetrit në Vatikan, 29 qershor 2016.)

Shpërndaje

Comments are closed.

« »