Jezusi do që edhe unë të jetoj lirshëm dhe në plotësi

Jun 30 • Meditimi i ditës

30 qershor 2016 – E enjte, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

(Leximet e ditës: Am 7,10-17; Ps 18; Mt 9,1-8)

 

Prania e Hyjit

 

Fillo duke marrë frymë thellë, duke pranuar dashurinë e Zotit, dritën e Krishtit, urtinë e Shpirtit të Shenjtë. Nxjerri jashtë të gjitha shqetësimet e tua, sfidat e tua dhe frikën tënde. Gjatë këtyre momenteve reflektoj se çka mund të bëj për t’u përgatitur për Zotin.

 

Liria

 

Hyji ma ka dhënë dhuratën e lirisë.
Madje edhe nëse jam fizikisht i/e robëruar, shpirti im është i lirë.
Më ndihmo që lirinë e dhënë prej teje, me hirin tënd, ta përdori në mënyrë të mençur.

 

Ndërgjegjësimi

 

Në praninë e Hyjit që më do
e vështroj gjithë atë që më ka ndodhur ditën e kaluar,
prej këtij momenti në mënyrë retrospektive, hap për hap.
I kujtoj të gjitha ato gjëra që kanë qenë të mira dhe të bukura, dhe për këtë falënderoj.
I vërej edhe hijet, gabimet dhe pyes se çfarë më flasin; lus për shërim, guxim, falje.

 

Fjala

 

Hyji na dëfton veten e vet me anë të shkrimeve të shenjta.
Lexoje tekstin nga Ungjilli i sotëm disa herë
dhe lejoji vëmendjes tënde të pushojë në disa pjesë të tij.

 

Mt 9,1-8

 

1 Jezusi hipi në barkë, kaloi në anën tjetër dhe shkoi në qytetin e vet. 2 Dhe ja, ia sollën para një të paralizuar, të shtrirë në vig. Jezusi, kur e pa fenë e tyre, i tha të paralizuarit: “Guxim, biro! Të janë falur mëkatet!”

3 Dhe ja, disa prej skribëve menduan me vete:

“Ky po blasfemon!”

4 Jezusi, duke i ditur mendimet e tyre, tha:

“Pse mendoni keq në zemrat tuaja? 5 Çka është më lehtë të thuhet: ‘Të janë falur mëkatet’ apo të thuhet: ‘Ngrihu e ec!?’ 6 ‘Por që ta dini se Biri i njeriut ka pushtet të falë mëkatet mbi tokë ‑ i tha atëherë të paralizuarit ‑ Çohu në këmbë, merre vigun tënd dhe shko në shtëpinë tënde!”

7 I paralizuari u ngrit e shkoi në shtëpi të vet.

8 Kur pa turma, e kapi frika e i dha lavd Hyjit që u dha njerëzve pushtet kaq të madh.

 

Ç`dëshiron të më thuash, Zotëri?

 

Disa mendime mbi pasazhin e sotshëm të Shkrimit Shenjt:

 

  • “Guxim … ngrihu … shko në shtëpi.” Janë tri fjalë që japin zemër, që bëjnë që pajtimi të na gëzojë, që takimi me të të na gjallërojë dhe që të jemi të vetëdijshëm që gjithçka ekziston në tokë është vatra jonë, sepse gjithçka i takon atij dhe ai jeton në ne.
  • Banorët e qytetit të Jezusit kanë qenë të shpejtë në gjykim dhe të zellshëm në mbrojtjen e principeve fetare. E kishin humbur nga shikimi përfytyrimin/horizontin e gjerë që e kishte Jezusi: dëshironte ta ripërtërinte shëndetin dhe tërësinë e qenies.
  • Jezusi ka mall që edhe unë të jetoj lirshëm dhe në plotësi. Në këtë kohë urate do të lus që të jem i/e lirë prej gjithë asaj që më lidh dhe do t`ia sjell para Zotit dëshirën time të zjarrtë për plotësi.
  • Duhet ta kenë ndier farisenjtë veten pavolitshëm me të dëgjuar Jezusin sesi po fliste me zë atë çka ata e thoshin me zë të ulët dhe besonin në zemrat e tyre. Koha e kalimit me Jezusin e qet të vërtetën në dritë.
  • Është rast i shpeshtë që Jezusin e mahnitin njerëz që u ndihmojnë të varfërve dhe të sëmurëve. Edhe këtu sërish reagon kur e sheh besimin e tyre. Duhet ta dijë që feja nuk është vetëm çështje e bindjes sime – ajo shprehet në praktikë, mënyrën sesi jetoj. Do të mendoj sesi jam duke e kaluar kohën, ku është duke u manifestuar feja ime.

  

Bashkëbisedimi

 

A jam duke i vërejtur reagimet e mia gjatë kohës kur lus në bazë të Shkrimit Shenjt?

A është ajo për mua sfidë, ngushëllim apo më shtynë të largohem?

Ndërsa e paramendoj Jezusin se është ulur apo qëndron pranë meje,

me besim, si mikut tim më të mirë, i flas për ndjenjat e mia.

 

Përmbyllja

 

Po të falënderoj o Zot për çdo nxitje që ma dhurove gjatë këtyre momenteve të kaluara vetëm me ty.

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.
Si ka qenë në fillim, ashtu tash
e përgjithmonë e jetës. Amen.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »