Jezusi gjithmonë më vështron si një mik/mikeshë e tij

Jul 1 • Meditimi i ditës

1 korrik 2016 – E premte, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

 

(Leximet e ditës: Am 8, 4-6.9-12; Ps 118; Mt 9, 9-13)

 

Prania e Hyjit

 

Ndalu një moment dhe paramendoje se si Hyji është duke të vështruar. Ati, Biri dhe Shpirti Shenjt gëzohen për dëshirën e madhe tënde që këtë kohë po ia kushton lutjes.

 

Liria

 

S`ka situatë prej së cilës nuk do të mund të dilja më i/e pasur me dashuri dhe jetë.

Mirëpo, dëshirat e mia janë shpesh herë të fiksuara, të robëruara në iluzione se të gjitha do të jenë të plotësuara.

E lus Hyjin që nëpërmjet lirisë time

t`i bëjë dëshirat e mia këngë melodie gjallëruese të dashurisë me plot harmoni.

 

Ndërgjegjësimi

 

Më ndihmo, o Zot, që të bëhem edhe më i/e vetëdijshëm/e për praninë tënde.

Më mëso se si të të dalloj në të tjerët.

Ma mbush zemrën me mirënjohje për të gjitha ato momente

kur nëpërmjet njerëzve të tjerë e ke treguar kujdesin ndaj meje.

 

Fjala

 

Do t`i jap vetes kohë që ta lexoj Fjalën e Hyjit ngadalë, disa herë,

dhe do të ndalem në atë fjalë, shprehje ose ndodhje që më prek, që më flet pikërisht mua.

 

Mt 9, 9-13

 

9 Jezusi, si shkoi prej andej, pa një njeri që quhej Maté, ndenjur në doganë. Jezusi i tha: “Eja pas meje!” Ai u ngrit dhe shkoi pas tij.

10 Dhe, kur më vonë, Jezusi u ul në tryezë në shtëpi, ja se ia behën shumë tagrambledhës e mëkatarë e u ulën në tryezë bashkë me Jezusin e me nxënësit e tij. 11 Farisenjtë kur e panë këtë, i pyetën nxënësit e tij:

“Pse mësuesi juaj ha bukë me tagrambledhës e me mëkatarë?”

12 Jezusi, kur i dëgjoi, u përgjigj:

“Mjeku nuk u duhet të shëndoshëve, por të sëmurëve! 13 Shkoni e mësoni çka do të thotë: ‘Më pëlqen mëshira e jo flia!’ Sepse unë nuk erdha të ftoj të drejtët, por mëkatarët.”

 

Ç`dëshiron të më thuash, Zotëri?

 

Disa mendime mbi pjesën e leximit të sotshëm nga Shkrimi Shenjt

 

  • Jezusi me fjalë dhe vepra jepte porosi duke arritur kështu tek ata që moralisht dhe shoqërisht ishin të dëbuar nga shoqëria. Ai i konsideron ata si miqtë e vet. Mateun, një tagrambledhës të ushtrisë pushtuese romake, të gjithë e urrenin. Çfarë shpërthimi i ndërgjegjësimit dhe respektit për veten e vet kur e sheh Jezusi të mirën në të dhe kur dëshiron të bëhet pjesë e kësaj lëvizjeje të tij të re emocionuese! Pa marrë parasysh se çfarë lloji të imazhit të vetvetes kam, Jezusi gjithmonë më sheh si një mik/mikeshë e tij.
  • Mateu organizon një festë të madhe dhe i fton për të festuar të gjithë ata që klika fetare i kishte hedhur poshtë. Jezusi gëzon banketin e përbashkët: askush nuk përjashtohet nga “tryeza e përbashkët” me të. Ai kurrë nuk thotë: “Unë dua të ulem me këtë person!” Këtu kemi një model të Eukaristisë – bashkësi/bashkim me Krishtin dhe me njëri-tjetrin, pa qenë i përjashtuar askush.

  

Bashkëbisedimi

 

Si e kam përjetuar Fjalën e Hyjit? A më ka lënë të ftohtë?
A më ka ngushëlluar apo nxitur që të veproj më ndryshe?
E paramendoj Jezusin sesi është duke qëndruar apo ulur pranë meje,
i drejtohem dhe ia tregoj të gjitha çfarë ndjej.

 

Përmbyllja

 

Të falënderoj, o Zot, për çdo nxitje që ma dhurove gjatë kësaj kohe sa luta mbi tekstin e Shkrimit Shenjt.

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt
Si ka qenë në fillim, ashtu tash
e përgjithmonë e jetës. Amen.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »