Jezusi nuk i nënshtrohet asnjë formule

Jul 2 • Meditimi i ditës

2 korrik 2016 – E shtunë, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

 

(Leximet e ditës: Am 9, 11-15; Ps 84; Mt 9,14-17)

 

Prania e Hyjit

 

Për ta përgatitur veten për këtë kohë të çmueshme, qetësohu dhe bëhu i/e vetëdijshëm/e për ajrin që po e merr, që është duke lëvizur nëpër ty.

Qetësohu, vetëm për një moment të shkurtë.

 

Liria

 

Vdekja jote në kryq më ka liruar.

Mund të jetoj lirshëm dhe gëzueshëm, pa frikë prej vdekjes.

Mëshira jote nuk njeh kufi.

 

Ndërgjegjësimi

 

O Zot, ma ke dhënë natën për pushim dhe fjetje.

Në momentet e mia kur jam zgjuar kurrë mos e harrofsha mirësinë tënde.

Më mëso që bekimin tënd ta ndaj me të tjerët.

 

Fjala

 

Hyji i flet secilit prej nesh personalisht.

Duhet ashtu ta dëgjoj në mënyrë që ta ndiej çfarë dëshiron të më thotë.

Do ta lexoj tekstin disa herë, pastaj do të dëgjoj…

 

Mt 9, 14-17

 

14 Atëherë iu afruan nxënësit e Gjonit e i thanë:

“Përse ne dhe farisenjtë agjërojmë shpesh, kurse nxënësit e tu nuk agjërojnë?”

15 Jezusi u përgjigj:

“A është e mundur të mbajnë zi dasmorët derisa të jetë me ta dhëndri? Por, do të vijë koha, kur do t’ua rrëmbejnë dhëndrin. Atëherë edhe ata do të agjërojnë.

16 Askush nuk vë arnë pëlhure të re në petk të vjetër, sepse arna e shtrin petkun dhe grisja bëhet më e madhe.

17 As nuk shtihet vera e re në rrëshiqa të vjetër: përndryshe rrëshiqat shpohen, vera derdhet edhe rrëshiqat shkojnë dëm. Vera e re hidhet në rrëshiqa të rinj e kështu ruhen të dy.

 

Ç`dëshiron të më thuash, Zotëri?

 

Disa mendime mbi pasazhin e sotshëm të Shkrimit Shenjt:

 

  • Jezusi përdor imazhet e martesës për të na bërë të ditur se sa intime është marrëdhënia e tij me ne.  Është kjo një kohë gëzimi. Mungesa e dhëndrit do të jetë e shkurtër – Jezusi do të vdes – por ai do të kthehet tek ne për të qenë gjithmonë afër nesh për të sjellë gëzim, paqe dhe dashuri.
  • O Zot, bëj që me gëzim t`i përgjigjem pranisë dhe miqësisë sate të ngushtë me mua. Jeta me ty është çështje dashurie, diçka gjithmonë e re!
  • Për Jezusin, rrobat e vjetra ose rrëshiqat (kacekët) e vjetër të verës nuk janë të përshtatshme. Ardhja e tij shënon një fillim të ri, një epokë të re në marrëdhëniet tona me Zotin. Ai nuk i nënshtrohet asnjë formule. Ai nuk e lë pas dore, nuk e shfuqizon të vjetrën, por e plotëson në një mënyrë që shkon përtej të kuptuarit tonë njerëzor.

 

Bashkëbisedimi

 

Komunikimi nënkupton bisedimin dhe dëgjimin.

Kur bisedoj me Jezusin, duhet të jem i gatshëm edhe të dëgjoj gjithçka ai dëshiron të më thotë.

Do ta paramendoj butësinë dhe mirësinë në sytë e Jezusit dhe buzëqeshjen plot dashuri gjatë kohës kur më vështron.

Mund të jem krejt i/e sinqertë me Jezusin kur ia besoj të gjitha brengat dhe gëzimet e mia.

Ia çeli zemrën kur i flas për ndjenjat e frikës dhe dyshimet e mia.

Do ta lus që të më ndihmojë që plotësisht të mund të mbështetem në kujdesin e tij,

i/e vetëdijshëm/e se ai gjithmonë di ç`është më së miri për mua.

 

Përmbyllja

 

Të falënderoj, o Zot, për çdo nxitje që ma dhurove gjatë kësaj kohe sa luta mbi tekstin e Shkrimit Shenjt.

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt
Si ka qenë në fillim, ashtu tash
e përgjithmonë e jetës. Amen.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »