Jezusi na dërgon të ungjillëzojmë – vetveten dhe të tjerët

Jul 3 • LEXIMET E SË DIELËS

E diela XIV gjatë vitit C

 

Leximi i parë Is 66, 10-14      

Lexim prej Librit të Isaisë profet

Gëzohuni me Jerusalemin, galdoni për të ju që e doni! Galdoni me të, galdoni, të gjithë ju që qatë mbi të, që të thithni qumësht e të ngiheni prej parzmave të ngushëllimit të tij, që të dërgoni e të kënaqeni në parzmat e lavdisë së tij!
Sepse Zoti kështu po thotë: “Ja, unë po bëj të arrijë në të paqja porsi lumë, porsi përrua vërshues pasuria e popujve. Qumësht do të pini, ngrykë do të mbarteni, përmbi gjunj do t’ju përkëdhelin. Porsi nëna që ngushëllon të birin, ashtu unë do t’ju ngushëlloj; në Jerusalem ngushëllim do të gjeni.” Do të shihni, e zemra juaj do të gëzojë, si bari i njomë do t’ju përtërihen eshtrat, dora e Zotit do të dëftohet mbi shërbëtorët e tij e felgrimi i tij mbi armiqtë e tij. 

Fjala e Zotit

 

PSALMI 66

Ref: Veprat e Zotit janë të mëdha
—– —– —–
Mbarë toka le t’i brohoritë Hyjit,
këndoni lavdisë së Emrit të tij,
lartësojeni lavdinë e tij të pamasë!
Thuani Hyjit: “Sa të mrekullueshme 
janë veprat e tua!”
Le të të adhurojë mbarë toka 
e le të këndojë, 
le t’ia thotë këngës për nder të Emrit tënd!
—– —– —–
Ejani e shikoni veprat e Hyjit:
bëri mrekulli shtanguese mes bijve të njerëzve!
Ai e shndërroi detin në terik,
këmbë e kaluan lumin:
për këtë galdojnë me gëzim.
Ai sundon për amshim me pushtetin e vet.
—– —– —–
Ejani, dëgjoni, të gjithë ju 
që e druani Hyjin,
do t’ju tregoj çka i bëri shpirtit tim.
Qoftë bekuar Hyji që s’ma hodhi poshtë lutjen time,
e nuk ma mohoi mëshirën e vet!
—– —– —–

 

Leximi i dytë Gal 6, 14-18

Lexim prej Letrës së shën Palit apostull drejtuar Galatasve

Vëllezër, sa për mua, mos e thashtë Zoti të mburrem me tjetër send, përveç me kryqin e Zotit tonë Jezu Krishtit, nëpër të cilin për mua bota është e kryqëzuar dhe unë për botën. Sepse s’vlen asgjë as rrethprerja as parrethprerja, por krijesa e re. Të gjithë ata që do ta mbajnë këtë rregull si edhe mbarë Izraeli i Hyjit, paçin paqe e mëshirë!
Pas tashit askush më të mos më trazojë, sepse unë mbar në trupin tim shenjat e Jezusit. Hiri i Zotit tonë Jezu Krishtit qoftë me shpirtin tuaj, o vëllezër! Amen. 

Fjala e Zotit

 

Aleluja
Hyji nëpër Krishtin e pajtoi botën me vetvete, 
dhe na e besoi neve fjalën e pajtimit. 
Aleluja

 

Ungjilli Lk 10, 1-12.17-20

Leximi i Ungjillit shenjt sipas Lukës

Në atë kohë, Zotëria i zgjodhi edhe shtatëdhjetë e dy nxënës tjerë dhe i dërgoi nga dy e dy përpara vetes në çdo qytet dhe vend, ku mendonte të shkojë. U thoshte: “Të korrat janë të mëdha e punëtorë janë pak! Lutni të zotin e të korrave të çojë punëtorë në të korrat e veta. Shkoni! 
Ja, po ju dërgoj porsi qengja midis ujqish! Mos merrni me vete as qese, as strajcë, as sandalet, e mos përshëndetni udhës askënd! Në cilëndo shtëpi të hyni, më parë thoni: ‘Paqja me këtë shtëpi!’ Po qe se është aty ndokush mik i paqes, mbi të do të zbresë paqja juaj; po qe se s’është asnjë, do të kthehet te ju. Rrini në atë shtëpi! Hani e pini çka t’u ketë qëlluar; sepse punëtori ka tagër në rrogën e vet. 
Mos kaloni prej një shtëpie në tjetër! Në çdo qytet që të hyni e t’ju pranojnë, hani çka t’ju vënë përpara. Shëroni të sëmurit që janë në të e thoni popullit: ‘U afrua Mbretëria e Hyjit!’ Por edhe, në cilindo qytet që të hyni e nuk ju pranojnë, dilni në rrugët e tija e thoniu: ‘Deri edhe pluhurin e qytetit tuaj që u kap për sandalet tona, po e shkundim e po jua lëmë. Por veç ta dini: u afrua Mbretëria e Hyjit!’ 
Unë po ju them: Sodomasit do ta kenë më lehtë atë ditë se ai qytet.” Të shtatëdhjetë e dy nxënësit u kthyen me gëzim e thanë: “Zotëri, deri edhe djajtë na nënshtrohen në Emrin tënd!” Jezusi u tha: “Shikoja kah binte Satani porsi rrufeja prej qiellit! Qe, ju dhashë pushtet të shkelni përmbi gjarpërinj e përmbi akrepë dhe mbi çdo fuqi armike dhe asgjë s’do të mund t’ju bëjë keq. Por mos u gëzoni pse ju nënshtrohen shpirtrat, por gëzohuni pse emrat tuaj janë të shkruar në qiell!” Fjala e Zotit

 

POROSIA

Pyetjes se përse e përçojmë fenë, Katekizmi i Kishës Katolike i përgjigjet: “Ne e përçojmë fenë/besimin, sepse Jezusi na ka urdhëruar: `Shkoni e bëjini nxënës të mi të gjithë popujt! Pagëzoni në Emër të Atit e të Birit e të Shpirtit Shenjt!` (Mt 28,19) Asnjë i krishterë i vërtetë përçimin e fesë nuk ua lë vetëm specialistëve (mësuesve, famullitarëve, misionarëve). I krishterë je për të tjerët. Kjo do të thotë: Çdo i krishterë i vërtetë dëshiron që Hyji të vijë edhe te të tjerët. Ai thotë me vete: Zoti ka nevojë për mua! Unë jam i pagëzuar, i krezmuar dhe jam përgjegjës që njerëzit në rrethin tim ta përjetojnë Zotin dhe `ta arrijnë njohjen e së vërtetës.` (1 Tim 2,4b). Nënë Tereza e ka përdorur një krahasim të mirë: `Shpesh mund t`i shikosh telat e linjave rrugore. Para se rryma të kalojë nëpër to, nuk ka dritë. Teli është mbi të gjitha ti dhe unë! Rryma është Zoti! Ne kemi fuqinë për të lejuar rrjedhjen e rrymës nëpërmjet nesh dhe për të gjeneruar dritën e botës: JEZUSIN – ose të refuzojmë për t’u përdorur dhe kështu të lejojmë të përhapet errësira.`” (“Youcat”, 11). Por, edhe kur dëshirojmë ta përçojmë fenë, shpesh herë na preokupon pyetja: si ta përçojmë fenë?

Kur i dërgon Jezusi dishepujt e vet për të ungjillëzuar ua jep këto udhëzime që tingëllojnë si urdhra: “Luteni të zotin e të korrave… Shkoni… Mos merrni me vete asgjë… Thoni `paqja me ju`… Rrini nëpër shtëpi… Hani çka t`iu qesin përpara… Shëroni të sëmurtë… Thuajini popullit: ‘U afrua Mbretëria e Hyjit!’” Çdonjëri që i takon Jezusit, që beson në Jezusin, është një lajmëtar dhe përçues i Ungjillit – Lajmit të mirë. Çdo i pagëzuar dhe i krezmuar e ka marrë një mision për të shkuar dhe për t`ua dëshmuar Jezusin të tjerëve.

Dërgimit gjithmonë i paraprinë ftesa: `Eja!` `Eja e më ndiq!` Ashtu sikurse kambanat që na thërrasin: Eja në meshë! Eja te Jezusi! Mos harro të lutesh! Ai që e ndjek këtë ftesë dhe e dëgjon fjalën e Jezusit, ai e fiton edhe misionin për të përçuar lajmin e gëzueshëm. Të gjithë e dimë se kjo nuk është fare e lehtë, por jo edhe aq e vështirë siç mendojmë nganjëherë. Jezusi para se i dërgon njerëzit i fton të qëndrojnë me të. Të dërguarit duhet ta njohin Jezusin duke i dëgjuar fjalët dhe duke i parë veprat e tija. Vetëm duke e përjetuar dhe përvetësuar vetë mënyrën e Jezusit sesi flet me ta, sesi i pyet ata, sesi jeton me ta, apostujt do të bëhen të aftë të përçojnë mënyrën e jetesës së Jezusit tek të tjerët.

Në ungjij e mësojmë se çfarë duhet predikuar në mënyrë që njerëzit t`i besojnë Jezusit: Kthehuni! Filloni me një jetë të re. Mbretëria e Hyjit është afër! Jezusi ka ardhur në botë për t`ua mundësuar njerëzve hyrjen në qiell. Përgjigjuni ftesës së Zotit!

Thirrja për t`u kthyer i paraprinë besimit fetar! Kur është fjala për çështje personale, askush s`lejon me dëshirë të vihet në dyshim se a është duke vepruar mirë a jo. Ka njerëz që thonë: unë e kam besimin tim dhe s`lejoj të më diktojë dikush diçka; jo se jo nga njerëz që predikojnë diçka që as vetë nuk e jetojnë, ose edhe nga njerëz që pak ia kanë idenë se në ç` rrethana jam duke jetuar.

Të dashur vëllezër e motra, ta vësh vetë në dyshim mënyrën tënde të jetesës dhe qëllimet e tua të jetës nuk është më pak e pakëndshme se të lejosh të vihesh në dyshim nga dikush tjetër. Më tregonte një miku im prift: Më ka mbetur e paharrueshme, thoshte, një përvojë që e pata bërë në spital shumë vite më parë. Në dhomën time, e vendosën një njeri që kishte pësuar një sulm të rëndë në zemër. Pas ndihmës së parë dhe lehtësimit, gjë që u zhvillua si lloj drame, mjekët e ballafaquan pacientin me faktin se ai duhej ri-menduar mënyrën e jetesës së vet. Nëse donte të jetonte, do t`i duhej të ndryshonte mënyrën e jetesës. Kjo e futi atë në një krizë të madhe: Çfarë kuptimi ka për mua më jeta në qoftë se nuk më lejohet më të ha atë që më pëlqen, e mbi të gjitha, se më duhet ta ndërpres pirjen e duhanit, e pyeste veten dhe shokun e tij në dhomë?

Të dashur besimtarë, shpesh herë edhe ne sillemi si pacienti me sëmundjen e zemrës. E vërteta e madhe e fesë sonë është që nuk ka rrugë tjetër për të ardhur te besimi fetar, për të besuar, pos me anë të kthimit të zemrës. Çdo rrugë tjetër të çon në qorrsokak. Pa kthim ti s`mund të kesh besim të vërtetë.

Themeli i besimit të krishterë, themeli i personifikuar (mishëruar) është Jezu Krishti. Çdokush që dëshiron të ndërtojë jetën e vet fetare, duhet të ndërtojë mbi këtë themel.

Ti e ke një themel, por si ndërton tutje? Kjo është një pyetje praktike shumë e rëndësishme.

Si ndërton njeriu i urtë? Krejt thjesht: fjalët e Jezusit i dëgjon dhe vepron sipas tyre. Prandaj, mos ji vetëm dëgjues. Dëgjo dhe vepro – bëje atë që dëgjon. Këtu kemi të bëjmë me jetën praktike. Atë çfarë dëgjon e praktikon, e zbaton në jetën tënde. Nëse vetëm dëgjon, atëherë do të të duhet të konstatosh që Hyji në mënyrë të vazhdueshme është duke të hapur hapësira/raste në të cilat të duhet ta aplikosh/pranosh të vërtetën. Për sa kohë që jemi në këtë botë, Hyji do të na japë hapësira dhe fusha, raste, rrethana që ne të mund dhe duhet të përgjigjemi dhe ta zbatojmë të vërtetën e tij.

Ti i beson Hyjit aq sa e do dhe e zbaton fjalën e tij. Ti e dëgjon Hyjin aq sa i bindesh Fjalës së Tij. Nëse do të dish se cilin vend e zë Hyji në jetën tënde, atëherë shiko se si sillesh me fjalët e tij – asaj të shkruar dhe të mishëruar. Bibla është fjala e shkruar, kurse Jezu Krishti është Fjala e Hyjit e personifikuar – e bërë njeri. Krishti i Mishëruar vjen përmes fjalës së shkruar në jetën tënde.

Besimi fetar vijon nëpërmjet kthimit. Kudo në Bibël qëndron kjo renditje: kthehu dhe beso – pendohu dhe beso! Ka njerëz, ndoshta të tillë janë edhe midis nesh, të cilët përpiqen që të kenë më shumë besim, por pa e ndryshuar mënyrën e të menduarit dhe të vepruarit. Në realitet ata nuk përpiqen për më shumë besim, nëse nuk i kanë plotësuar ende kushtet, d.m.th. nuk janë kthyer. Kjo është e para. Nëse nuk e ke kthimin në fillim, atëherë i tërë themeli do të qëndrojë mbi baza të lëkundshme.

Një udhëheqës me përvojë shpirtërore, i cili i ka shoqëruar me mijëra njerëz në jetën e tyre shpirtërore, thoshte se të paktën 50% e të gjitha problemeve të të krishterëve të vërtetë duhet kërkuar në faktin se ata kurrë nuk janë kthyer. Ata kurrë nuk e kanë ndryshuar mënyrën e tyre të të menduarit. Ata kurrë nuk kanë marrë një vendim. Ata kurrë nuk ia kanë dorëzuar Jezusit pushtetin për të sunduar në jetën e tyre.

Kur vjen puna te vullneti, ata mendojnë me këto kategori: nëse e bëj atë gjë, çfarë përfitoj unë nga ajo? Nëse e bëj atë, çfarë dobie ka? Por, në qoftë se ti je kthyer, atëherë ti mendon në këtë mënyrë: në qoftë se e bëj atë gjë, a i jap kështu nder e lavd Jezu Krishtit? Ka shumë njerëz që kanë një zemër të ndarë. Bibla thotë që një njeri që ka zemrën të ndarë ai është i luhatshëm në të gjitha rrugët e tij. Ai nuk ka një themel të fortë, prandaj edhe nuk mund të ndërtojë një shtëpi të qëndrueshme.

Pra, po të sfidoj që të hysh në vetvete dhe të shohësh veten shkurt se ku qëndron. Pyete veten: A e kam ndryshuar ndonjëherë mënyrën e të menduarit – a jam kthyer, a jam ndryshuar?A mos e kam zemrën të ndarë? A thua të hënën do t`i pëlqej Jezusit, kurse të martën vetvetes? A po e sheh, nëse kështu qëndron në mes dy karrigeve, si rezultat i kësaj, do të kesh një proporcion të keq në të dyja drejtimet. Do të jesh i plotë në qoftë se vendos. Përndryshe do të kesh një personalitet të ndarë – prej dyfytyrëshi.

“Lute të zotin e të korrave… Shko… Mos merr me vete asgjë… d.m.th. mos u lidhni për gjërat materiale. Thuaj `paqja me ju`… Rri nëpër shtëpi… Ha çka të të qesin përpara… Shëro të sëmurtë… Thuaji popullit: ‘U afrua Mbretëria e Hyjit!” Ja programi që mund ta mbash në mend si mision i një të krishteri. Është ky një program se çfarë duhet bërë një i krishterë në këtë botë, që mund ta vësh në praktikë. Prandaj, le të lejojmë edhe këtë të diel përsëri që Jezusi të na dërgojë në botë. Mos ta harrojmë thirrjen, misionin tonë, për vete dhe për të tjerët: Mbretëria e Hyjit është afër! Kthehuni dhe besoni Ungjillit! Amen.

 

LUTJET E BESIMTARËVE

O Zot, Jezu Krisht, ti na ke dërguar që ta ndërtojmë të tashmen. Ti dëshiron që të na aftësosh që t`i ndihmojmë njerëzit të mund të marrin frymë dhe ta përjetojnë gëzimin në zemrat e tyre. Ne po t`i drejtojmë lutjet tona, duke thënë:

O Krisht, na dëgjo!

  • Bëj që t`i shohim më qartë nevojat e njerëzve me të cilët jetojmë, të lutemi.
  • Afrinë, inkurajimin, ngushëllimin dhe ndihmën njerëzore bëj që ta përjetojnë të gjithë ata që janë goditur nga vuajtja apo rrethana të ndryshme, të lutemi.
  • Frymëzo mendime paqeje në zemrat tona, në mënyrë që të ndalen luftërat në botë dhe pajtimi të vazhdojë gjithmonë nga vetja jonë, të lutemi.
  • Për një kohë relaksimi dhe qetësie për të gjithë ata që kanë për t`i bërë këto javë pushimet në mënyrë që të mund ta dëgjojnë zërin e brendshëm të shpirtit të tyre dhe ta gjejnë rrugën e tyre për një jetë kuptimplotë, të lutemi.
  • Na forco, për t`i thënë një Po të vendosur thirrjes sate që të ndihemi dhe të veprojmë si të dërguar nga ti në këtë botë duke dëshmuar mënyrën tënde të të menduarit dhe të vepruarit, të lutemi.
  • Na ndihmo ta shohim se sa ia kemi borxh kujdesit tënd të dashur ndaj nesh, dhe të jemi mirënjohës, të lutemi.
  • Jepu të vdekurve plotësinë dhe lumturinë e përjetshme në bashkim me ty, të lutemi.

 

O Zot, ti do që të na lirosh nga shtypja, nënshtrimi dhe skllavëri të ndryshme, në të cilat shpesh herë biem me fajin tonë. Ne të falënderojmë për përpjekjet dhe dashurinë tënde ndaj nesh. Dëgjoji lutjet tona, nëpër Krishtin Zotin tonë. Amen.

 

Përgatiti për Dritën: P. Shtjefën Dodes SJ

Shpërndaje

Comments are closed.

« »