T`ua dëshirosh të tjerëve të mirën

Jul 3 • Meditimi i ditës

3 korrik 2016 – E diela 14-të gjatë vitit `C`, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

(Leximet e ditës: Is 66,10-14c; Ps 65; Gal 6,14-18; Lk 10,1-12.17-20)

 

Prania e Hyjit

“Ndaluni e shihni se unë jam Hyji.” (Ps 46,11)
Qetësohu dhe njihe Zotin.

O Zot, fjalët e tua na çojnë në
qetësinë dhe madhështinë e Pranisë sate.

 

Liria

Hyji nuk është mish i huaj në trupin tim.

Përkundrazi, Shpirti i tij i jep jetë dëshirave të mia më të thella,

duke më nxitur butësisht në atë çfarë është e mirë.

Lus për hirin e shenjtë që t`i lejoj Shpirtit që të më mbushë.

 

Ndërgjegjësimi

Në praninë e Atij që
pranon, shëron dhe ripërtërin
mund të jem i/e sinqertë në lidhje me mënyrat sesi kam arritur

ta përjetoj dashurinë.

Si kaloi dita e fundit?
Si po e ndiej veten në lidhje me mënyrën se si jam përgjigjur,
sesi kam ndërvepruar, sesi e kam hapur zemrën?
I ndaj ndjenjat e mia me Zotin.

 

Fjala

Hyji i flet secilit prej nesh personalisht.

Duhet të dëgjoj në mënyrë që të dëgjoj çfarë dëshiron të më thotë.

Do ta lexoj tekstin disa herë, pastaj do të dëgjoj…

 

Lk 10,1-12.17-20

1 Pastaj Zotëria i zgjodhi edhe shtatëdhjetë [e dy] nxënës të tjerë dhe i dërgoi nga dy [e dy] përpara vetes në çdo qytet dhe vend, ku mendonte të shkonte. 2 U thoshte:

“Të korrat janë të mëdha e punëtorë janë pak! Luteni të zotin e të korrave të çojë punëtorë në të korrat e veta. 3Shkoni! Ja, po ju dërgoj porsi qengja mes ujqish! 4 Mos merrni me vete as qese, as strajcë, as sandalet e mos përshëndetni udhës askënd! 5 Në cilëndo shtëpi të hyni, më parë thoni: ‘Paqja me këtë shtëpi!’ 6 Po qe se është aty ndokush mik i paqes, mbi të do të zbresë paqja juaj; po qe se s’është asnjë, do të kthehet te ju. 7Rrini në atë shtëpi! Hani e pini çka t’u ketë qëlluar; sepse punëtori ka tagër në rrogën e vet. Mos kaloni prej një shtëpie në një tjetër!

8 Në çdo qytet që të hyni e t’ju pranojnë, hani çka t’ju vënë përpara. 9 Shëroni të sëmurët që janë në të e thuajini popullit: ‘U afrua Mbretëria e Hyjit!’

10 Por edhe, në cilindo qytet që të hyni e nuk ju pranojnë, dilni në rrugët e tij e thuajuni: 11’Deri edhe pluhurin e qytetit tuaj që u kap për sandalet tona, po e shkundim e po jua lëmë: Por veç ta dini: u afrua Mbretëria e Hyjit!’ 12 Unë po ju them: sodomasit do ta kenë më lehtë atë Ditë se ai qytet.”

17 Të shtatëdhjetë [e dy] nxënësit u kthyen me gëzim e thanë:

“Zotëri, deri edhe djajtë na nënshtrohen në Emrin tënd!”

18 Jezusi u tha:

“Shikoja kah binte Satani porsi rrufeja prej qiellit! 19 Ja, ju dhashë pushtet të shkelni përmbi gjarpërinj e përmbi akrepë dhe mbi çdo fuqi armike dhe asgjë s’do të mund t’ju bëjë keq. 20 Por mos u gëzoni pse ju nënshtrohen shpirtrat, por gëzohuni pse emrat tuaj janë të shkruar në qiell!”


Ç`dëshiron të më thuash, Zotëri?

Disa mendime mbi pasazhin e sotshëm të Shkrimit shenjtë:

  • Jezusi i dërgon nxënësit e vet pa mjete: njëherë do të shkojnë te njerëzit që janë më së afërmi. Misioni im i parë ndërlidhet me ata që janë rreth meje, që t`u ndihmoj që ta kuptojnë që Mbretëria e Hyjit është afër.
  • Asgjë nuk më kushton nëse të tjerëve ua dëshiroj të mirën. Do të lus për paqe, mirësi dhe bekim për të gjithë njerëzit që mund t`i kujtoj.
  • Jam i dërguar si qengj midis ujqërish. Nganjëherë më shumë më përshtatet që të akomodohem dhe të ndihem komod. Do të lus që të mësohem të vlerësoj dhe të dalloj që me atë rast të mbetem i gjallë!

 

Bashkëbisedimi

Jezus, ti na thërret që të shkojmë pas teje dhe ta kompletojmë veprën tënde mbi tokë. Më ndihmo të shkoj përtej zonëssime të rehatisë dhe të jap fryt në shërbimin tënd.

 

Përmbyllja

Të falënderoj, o Zot, që munda t`i kaloj këto pak minuta vetëm me ty.

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.
Si ka qenë në fillim, ashtu tash
e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Shpërndaje

Comments are closed.

« »