Imzot Dodë Gjergji: E keqja e sulmeve mund të prek edhe qytetet tona

Jul 4 • Kisha në Kosovë

Dje, më 3 korrik 2016, në Katedralen “Nënë Tereza” në Prishtinë është mbajtur mesha e shenjtë për të rënët e atentatit në Stamboll dhe për paqe në botë, ashtu siç kishte paralajmëruar Ipeshkvia e Kosovës, përmes një deklarate publike të lëshuar me 29 qershor 2016, për atentatin e shëmtuar që ndodhi në Aeroportin e Stambollit, ku mbetën të vrarë mbi 40 persona e të plagosur mbi 300 persona të pafajshëm. Në meshen e shenjtë u përfshin në lutje, po ashtu, edhe të rënët e të gjitha atentateve tragjike që ndodhin në vende të prekura nga terrorizmi, një e keqe, që ka burimin nga urrejtja ndërnjerëzore, siç ndodhi ditët e fundit edhe në sulmet në Bangladesh dhe Bagdad.

Meshës së shenjtë i priu Ipeshkvi i Kosovës, Imzot Dodë Gjergji, në bashkëmeshim me famullitarin e Prishtinës, Don Fatmir Koliqi.

Imzot Dodë Gjergji, gjatë pretkut të tij, preku një sërë çështjes përkitazi me gjendjen aktuale të trazuar në botë, për botëkuptimin e krishterë për këto fenomene dhe si të krishterët i përgjigjen kësaj situate të vështirë dhe sfiduese. Ndër pikat kryesore mund t’i përmendim disa, siç janë: lutja e të krishterëve për armiq, lutja për të rënët e pafajshëm, përballja me padrejtësitë, shërimi i të keqes dhe urrejtjes, falja dhe pajtimi, aspirimi i vazhdueshëm për jetë në paqe mes njerëzve etj. etj.

Pasi bëri një hyrje mbi rëndësinë e të dielës në jetën e bashkësisë së krishterë, duke e cilësuar atë kremtim i takimit dhe miqësisë me Jezu Krishtin dhe me vëllaun dhe motrën njeri, e cila shndërrohet në shërbim, Ipeshkvi theksoj fuqishëm, se e diela është miqësia më e thellë dhe takimi më sublim liturgjik i të krishterëve, që ju ndihmon të vuajnë padrejtësitë pa pasur urrejtje, të mos mposhten as të mos dorëzohen përball sfidave të kohës, por aty e gjejnë fuqinë që të kenë të gjallë shpresën edhe në momente të territ të së keqes dhe të këqijave që i rrethojnë.

Që në kohët e lashta primitive, njerëzit kanë bashkënda dy momente të mëdha jete: gëzimin dhe pikëllimin. Kur  këto dy gjëra ndahen mes vëllezërve, motrave dhe miqve, atëherë ngushëllimi që qetëson zemrën dhe gëzimi që kënaqë shpirtin, bëhen dy burime të fuqishme dhe të dobishme për secilin anëtar të bashkësisë. Në meshën e së dielës, në mënyrë të përkryer janë të gërshetuara këto dy fakte jete, që ne në shprehjen popullore do t’i quanim: “Dasma dhe e pamja”, që do të thotë gëzimi dhe ngushëllimi. Këtu ne jemi dhe ndihemi vëllezër e motra, sepse i takojmë të njëjtit Hyj dhe jemi miq, pasi e bashkëndajmë dashurinë për njëri- tjetrin, e bashkëpërballojmë trishtimin e vuajtjes së jetës e vdekjes dhe bashkëshpresojmë në shpëtim nëpër ngjalljen e Jezusit që quhet Krisht. Bashkimi i të krishterëve në Kishë, si në objekt ashtu edhe në subjekt,  nuk është një shoqërim dhe miqësi e mbyllur për t’u mbrojtur nga të tjerët, por një mënyrë e hapjes dhe ndërlidhjes që mundëson bashkimin e zemrave njerëzore me Zemrën e Zotit, në mënyrë që me këtë zemër të bashkuar dhe të përtërirë të mund ta duam botën, vëllaun njeri dhe gjitha krijesat e tija, pa dallim.” – tha Imzoti.

Me këtë zemër – vazhdoj Bariu i Kishës së Kosovës – kam dëshur që në të gjitha kishat tona në Kosovë, në kremtimin e meshës së kësaj të diele, të lutemi për viktimat e urrejtjes në vende të ndryshme të botës, e sidomos për ato në Stamboll e Bangladesh.  Krishti i shpërbleftë shpirtrat e të vdekurve me jetën e pasosur,  i ngushëlloftë zemrat e pikëlluara dhe të trishtuara të të afërmeve të tyre, kurse të plagosurve iu dhashtë  shërimin sa më të shpejtë.

Imzot Doda, përmendi drejtpërdrejt edhe popullin që e kishte pësuar të keqen e terrorit, duke e bashkëndarë dhembjen dhe duke u lutur për të: “Ndjenja jonë e dashurisë dhe e dhembshurisë shkon te i gjithë populli turk dhe popujt e tjerë, të prekur nga aktet terroriste dhe nga dhuna e pakuptimtë. I lutemi Hyjit, i cili shndërron mendjet dhe zemrat e njeriut, t’i frymëzojë me Shpirtin e Tij të Shenjtë, të gjithë  ata që të bëjnë kthesën e duhur drejt dashurisë dhe paqes e të bëhen të aftë të pranojnë çdo njeri me dashuri dhe të kultivojnë vëllazërinë mes njerëzve. Lutemi, po ashtu, që bashkësitë fetare, shoqëritë, dhe shtetet e mbarë botës të gjejnë burimin e dashurisë dhe forcën e urtisë për të shëruar popujt nga kjo e keqe e madhe e urrejtjes, që përbuzë dhe poshtëron të gjithë.”

E keqja urrejtjes dhe e terrorit po prek shumë vende të botës, ajo gjithnjë shkakton vdekje edhe në vendet ku ka lëvizje më të dendura të njerëzve, prandaj Ipeshkvi përmendi se sulmet e viteve të kaluara nëpër kontinentin e Europës dhe këto të ditëve të kaluara, janë shenja të një përhapje të shpejt të fenomenit të sulmeve terroriste, të cilat mund të prekin çdo qytet paqedashës:

“Kjo frymë e mosdurimit dhe urrejtjes, në mënyrë të çuditshme, ka depërtuar edhe tek njeriu i jonë, kështu që ngjarjet e Parisit, Brukselit, Stambollit e Bangladeshit, shpejtë mund të vijnë në Prishtinë, Shkup e Tiranë. Këndej, shfrytëzoj rastin e këtij momenti lutjeje,  t’iu bëj thirrje të gjithë institucioneve tona fetare, kulturore, politike dhe shtetërore, që të mos bëjnë “sehir”, duke menduar që ne jemi imunë nga kjo e keqe, e as mos të përpiqemi për ta minimalizuar atë me fjalë të  mira, me shembuj të mirë të së kaluarës së lavdishme, me argumente të shterura tashmë ose duke thurë strategji institucionale, por me bashkimin e të gjithëve në vlerat e paqes dhe fryteve të lirisë, në mënyrë që të mbizotërojë fryma e vëllazërisë ndër ne dhe t’i ndihmojmë vëllazëritë tanë që kanë ra nënë hijen e urrejtjes të dalin sa më parë në shkëlqimin e dashurisë. Mbrojtja nga urrejtja nuk mund të vijë duke e luftuar atë, por duke krijuar hapësirë për dashurinë dhe mundësi për vëllazërim, nëpërmjet mundësive të barabarta dhe qëllimeve të përbashkëta.” – u shpreh Ipeshkvi i Kosovës, Imzot Dodë Gjergji.

 

Mesha u transmetua drejtpërdrejt nga Radio Maria Kosovë dhe u përcoll nga mediat e Kosovës.

 

Teskti: Drita

Fotografitë: Emanuell Demaj

[wonderplugin_gallery id=”7″]

Shpërndaje

Comments are closed.

« »