Jezusi, stuhia dhe të rinjtë

Jul 4 • Bota e të rinjve, Këndvështrime

Nga Don Fatmir Koliqi

 

Të dashur studentë, të reja e të rinj,

 

Në takimet tona të martëve, jemi bërë dëgjues të Fjalës së Zotit, dëgjues të vëmendshëm. Vërtet, ne të krishterët, jemi dëgjues të Fjalës. Pjesët e ungjillit, që na e përzgjedh Kisha për dëgjim e meditim, janë një guidë shpirtërore, një shujtë e shijshme për shpirtin tonë.

Sot, do të doja të bashkëndajë me ju meditimin e pjesës së ungjillit, që liturgjia e fjalës ka përzgjedhur për ne.

Ungjilli i Mateut, sjell ngjarjen e trazimit të detit, rrezikun e fundosjes dhe fashitjen e stuhisë:

“Si hyri në barkë, pas tij u nisën edhe nxënësit e tij.  Dhe ja, në det u çua një stuhi e madhe aq sa valët po e mbulonin barkën; e ai flinte.

Atëherë nxënësit iu afruan, e zgjuan dhe i thanë:

“Ndore tënde, o Zot, se u mbytëm!”

 “Pse po frikësoheni, o fepakët?” ‑ u tha dhe atëherë u ngrit, u urdhëroi erërave dhe detit e u bë qetësi e madhe. Njerëzit të habitur thoshin: “Kush është ky që po i nënshtrohen erërat dhe deti?” (8, 23-27)

Jezusi është ai që hyn në barkë i pari, nxënësit e ndjekin pas. Është vetë Jezusi iniciatori i ngjarjes. Konteksti i këtij fragmenti ungjillor vjen pas dy pjesëve paraprake që kishin në spikamë thirrjen, ndjekjen pas Jezusit. Këtu vazhdon Jezusi t’i vë në provë ndjekjen pas tij, në një situatë sfide.

 

Stuhia si sfidë dhe prania e Zotit

Kur historia (personale dhe bashkësiore) ngjet të jetë sfiduese, është, ndonjëherë, shenjë se Zoti ka filluar të vihet në lëvizje, të shfaq praninë e tij të lavdishme. Këtë mund ta marrim si përfundim nga përvoja e historisë së popullit të zgjedhur, por edhe nga tërë historia e pranisë së Zotit në historinë e njerëzimit. Për këtë arsye Jezusi ju thotë nxënësve të vetë se janë fepakët. Ata s’arrijnë akoma të shohin Zotin në histori. Ata gjenden të shqetësuar e në një gjendje frike, paniku, sepse shohin vetëm stuhinë dhe detin e trazuar, jo shkakun e stuhisë. Fepaktësia shkakton frikë, shqetësim e pasiguri. Kurse feja, në anën tjetër, jep qetësi e paqe.

Ngjan edhe me ne që të mos e shohim Zotin të pranishëm në historinë tonë, por shohim vetëm stuhitë, detin e trazuar, pakuptimin, lakmitë dhe tjetërsimet, përmbysjet, trazirat, tradhtitë, të keqen…

Stuhitë janë çaste sfidash, çaste ndryshimesh dhe çaste të nisjeve të reja. Zoti dëshiron që përmes këtyre ngjarjeve – stuhive – të na rikthej tek e vërteta e zbehur apo e harruar në ne dhe rreth nesh, t’i ndryshoj ato koncepte tona statike e të pashpirt. Ai do që të ndodh një kthim rrënjësor për të parë gjërat me një perspektive ungjillore… Ai do, që mendjen dhe zemrën tonë, ta kthejmë në drejtim të duhur, që nuk zhgënjen.

Janë këto momente që Zoti do me na mësue si me pasë një raport me Te, me tjerët dhe me natyrën. Bahet një pedagog i mirë, një pedagog që e fillon tek secili njeri një proces edukimi me qetësi, maturi dhe na shoqëron për t’na çue deri te pika që ai ka vë si prioritet. Ai nuk na le vetëm, edhe në çastet e vështira dhe tronditëse të rrugëtimit tonë. Ai na ban me kuptua se rastësia nuk është pjesë e edukimit të tij, as nuk mund të lë të na kaplojë njëfarë fatalizmi materialist apo natyralist. Pedagogjia e Hyjit është ecje e paprashme për të ndryshuar, për tu rritur, një lëvizje që të çon tek Burimi i kuptimit të jetës.

 

Një nisje dhe një ndjekje

Bota e të rinjve i ngjan më së tepërmi këtij rrugëtimi pedagogjik në fe, këtij fillimi për ta ndjekur Jezusin si apostuj, nxënës që i shkojnë pas, e përcjellin dhe hyjnë në anije me të.

Ju, të dashur të rinj, sapo keni hyrë në anijen e jetës. Keni nisur një aventurë të vërtetë të jetës. Jeni nisur për të zbuluar të rejat në një det të pafund. Ecja/lundrimi i juaj do të jetë shumë e/i bukur, mahnitës, sepse do të zbuloni jetën plotë ngjyra, befasi dhe të reja që do të ju pasurojnë.

Aventura me Jezusin është ndërmarrje që ja vlen ta bësh. Ai që asnjëherë nuk ka hyrë në anien e Jezusit apo me Jezusin, nuk ka përjetu aventurën e bukur e fesë. Ai nuk do të ketë kurrë eksperiencën e zbulimit dhe të resë që dhurohet kur lundrohet me Të. Ai që mbetet në bregun e detit, nuk mund të shijojë detin; i përngjan njeriut që ka ndërtuar shtëpinë, por kurrë nuk ka hy në te; njeriut që e mbjell arën, por kurrë s’ka marr fruta prej saj; njeriut të fejuar, por kurrë i martuar.

Në anën tjetër, nuk duhet të harrojmë se kjo aventurë do të përballë edhe stuhi, që do të ngritën kundër jush. Stuhi të vogla e të mëdha, që do të ju godasin papritur duke ju hedhur në një gjendje kaosi dhe ankthi, pasigurie dhe dyshimi, e do të sulmoheni prej pyetjeve tunduese që do të lindin tek ju, nëse ja vlen të vazhdoni rrugën apo jo. Janë ato çastet e lëkundjes të “sigurisë” në fe, çaste jo të pa rëndësishme të udhëtimit drejt njohjes së të vërtetave që ju/na presin.

Në ujërat e trazuar dhe stuhitë e jetës, njohim zemrën tonë, zbulojmë vetveten; fuqinë dhe brishtësinë e personalitetit tonë, fenë tonë, sigurinë dhe dyshimet tona për atë që jemi dhe për atë që besojmë. Stuhitë shpalosin pjesët e fjetura diku në skutat e qenies sonë, të përgjumura, por që mund të jenë të rrezikshme për ta përmbysur rritjen dhe ecjen tonë drejt cakut përfundimtar. Stuhitë të s’maskojnë, e zhveshin personalitetin tonë të mbuluar e të fshehur; ato na nxjerrin mangësitë në shesh për ta parë vetveten ashtu siç jemi.

Fepakët. Jezusi i qorton apostujt për mungesën e besimit, të fesë. Feja e mangët, në këtë rast, shfaqet si mosevidentim i pranisë së Jezusit, si një braktisje e tij, si lëshim në fatin e jetës. Të qenët fepakë, është gjithnjë një gjendje pasigurie, dezorientimi, frike.

E kundërta e kësaj, pra feja e vërtetë, e plotë, është njohje, evidentim i praninë e Jezusit (në jetë), kurse qartësia e saj është kuptimi se jeta është në duart e Tij. Edhepse jeta në/e fe/së, kohë pas kohe, ngjan të jetë si një anijethyerje, kjo mbase duhet të jetë e domosdoshme të prekim thellësitë e jo vetëm sipërfaqen e jetës. Kjo përvojë e fesë në dimensionin e saj “ndryshe”, është përvojë e domosdoshme për ta rritur, shtuar e për ta thelluar fenë, për ta kuptuar fenë e për ta jetuar fenë reale. Kjo, gjtihashtu, e ndihmon besimtarin t’i shmanget një spiritualizmi imagjinar, që s’të le të prekësh jetën reale, apo e paraqet jetën reale të tjetërsuar. Feja e vërtetë s’e shmang realen, por e fisnikëron atë. Feja është kalim nga frika tek besimi. Feja është ndjekje pas Jezusit, është vetëdija e pranisë së Zotit.

Të dashur të rinj, mos i kini frikë stuhitë. Ato zgjojnë tek ju të metat që duhet t’i ndreqni me Mësuesin e jetës – Pedagogun Hyjnor. Një gjë të ngjashme e përjetoni edhe gjatë studimeve të juaja, përmes të cilave do të ndreqni shumë mangësi e të meta intelektuale, me plotë mund e djersë. Pas një përvoje të stuhisë, do të jeni më të fortë, sepse Zoti është përherë me ju, edhe pse nganjëherë duket se ai fle.

Ai është në barkën tonë, mos të kemi frikë. Sa herë do të ndodh të jetë barka jote në rrezik të fundosjes, mos ngurro të thërrasësh: “ndoren tënde, o Zot, se u mbyta”.  Ai do të jep qetësinë e stuhive, sigurinë e drejtimit dhe guximin e vazhdimit.

Sot, do t’ia kërkoj Zotit këtë hir të guximit, që të mund ta shuaj frikën e stuhive dhe të trazimeve, e të më jap një zemër prej nxënësi të tij, një zemër plotë ngrohtësi e t’ndritshme për të vazhduar zbulimin e jetës së bashku me Të.  Amen.

(Pretku në meshën me studentë, Kisha e Shën Ndout në Prishtinë, e martë, 28 qershor 2016)

Shpërndaje

Comments are closed.

« »