A sillem si Jezusi me të tjerët?

Jul 5 • Meditimi i ditës

5 korrik 2016 – E martë, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

 

(Leximet e ditës: Oz 8,4-7.11-13; Ps 113B; Mt 9,32-38)

 

Prania e Hyjit

Jezus i dashur, po vij sot tek ti, kam nevojë për afërsinë tënde.

Dëshiroj të të dua sikurse ti më do mua.

Kurrë mos më ndaftë asgjë prej teje.

 

Liria

Hyji më do pa kushte,
dhe më tërheq pas çdo gjëje që është e mirë,
duke më sjellë në plotësinë e jetës.
I kërkoj Shpirtit Shenjtë që të ma hapë zemrën time,
në këtë mënyrë mund t`i përgjigjem lirshëm
lëvizjes së Shpirtit në jetën time.

 

Ndërgjegjësimi

Në praninë e Hyjit që më do
e vështroj gjithë atë që më ka ndodhur ditën e kaluar,
prej këtij momenti në mënyrë retrospektive, hap për hap.
E kujtoj të gjithë atë që kanë qenë mirë dhe bukur, dhe për këtë falënderoj.
I vërej edhe hijet, gabimet dhe pyes se çfarë më flasin; lus për shërim, guxim, falje.

 

Fjala

O Zot, je bërë njeri në mënyrë që të bisedosh me mua;

Ke ecur dhe ke punuar mbi këtë tokë; ke duruar vapën dhe të ftohtët.

Kohën e kalove në tokë duke u përkujdesur për njerëz.

Ke shëruar të sëmurë, ke ngjallur të vdekur; dhe ajo më e rëndësishmja – më ke shpëtuar nga vdekja.

 

Mt 9, 32-38

 

32 Posa dolën këta, ja se i sollën një memec të djallosur. 33 Pasi e nxori djallin, memeci foli. Njerëzit të mrekulluar, thoshin: “Kurrë s’u pa një gjë e tillë në Izrael!” 34 Ndërsa farisenjtë thoshin: “Ai i nxjerr djajtë me fuqinë e kryetarit të djajve.”

35 Kështu Jezusi qarkullonte nëpër të gjitha qytetet e fshatrat. Mësonte në sinagogat e tyre: predikonte Ungjillin e Mbretërisë dhe shëronte çdo sëmundje e lëngatë.

36 Kur e pa turmën e popullit, ndjeu dhembshuri për të, sepse ishte e nëpërkëmbur dhe e lënë pasdore si delet pa bari. 37 Atëherë u tha nxënësve të vet:

“Të korrat janë të mëdha, kurse punëtorë ka pak. 38 Lutjuni, pra Zotërisë së të korrave, të dërgojë korrtarë në të korrat e veta.”

 

Ç` po dëshiron të më thuash, Zotëri?

Disa mendime mbi pasazhin e sotshëm të Shkrimit Shenjt:

 

  • Kur e pa turmën e popullit, ndjeu dhembshuri për të, sepse ishte e nëpërkëmbur dhe e lënë pasdore…” A është “dhembshuria” një tipar i Jezusi? Duke qenë njeri Jezusi hyn thellë në shpirtin e njerëzve, bashkë-ndien me ata që janë të humbur, si delet pa bari.
  • Deri në çfarë mase i përngjaj Jezusit në raport me të tjerët, sidomos me të varfrit dhe nevojtarët? Apo kritikoj dhe dënoj si farisenjtë në Ungjillin e sotëm?
  • O Zot, po të lutem, më jep diçka nga ajo se si ke qenë ti, i sinqertë dhe i dhembshur në marrëdhëniet e mia me të tjerët.

  

 Bashkëbisedimi

O Zot i dashur, ji pranë meje gjithmonë.

Ma jep një zemër e cila gjithmonë do të të besojë.

Faleminderit që më do.

 

Përmbyllja

Të falënderoj, o Zot, që munda t`i kaloj këto pak minuta vetëm me ty.

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt
Si ka qenë në fillim, ashtu tash
e përgjithmonë e jetës. Amen.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »