Shën Asti i Durrësit, ipeshkëv e martir

Jul 7 • Këndvështrime

 

Sot, më 7 korrik, Kisha e përkujton Shën Astin (Astio, Absterio, Ashta). Asti ishte ipeshkvi i Durrësit në vitin 98 pas Krishtit (emri tij do të thotë “qytetar” ose “i qytetit”), në kohën e sundimit të Trajanit, perandor romak (98-117), i cili rifuqizoi dekretin e persekutimeve të të krishterëve në të gjithë Perandorinë Romake. Në atë kohë qeveritar i Ilirisë ishte Agrikola, i cili detyronte, sipas urdhrave të Perandorit, të adhurohen statujat e zotave të Perandorisë.

Shën Asti, një ipeshkëv i zellshëm, i vendosur dhe plotë guxim në shpalljen e Ungjillit, kishte refuzuar nderimin dhe adhurimin e statujave të Dionizit.

Agrikola, i ndezur flakë nga ky refuzim i Astit, urdhëron që të frushkullohet me një kamxhikë prej lëkure kau të pajisur me sfera plumbi, por ai përsëri kishte qëndruar i pathyer në fenë e krishterë. Pastaj e kryqëzojnë në një dru pranë mureve të qytetit, ia lyejnë trupin e tij me majtë, që ta mbulojnë insektet derisa ia dorëzojë shpirtin e vet Hyjit, duke e dëshmuar Jezusin, Zotin dhe Shëlbuesin e vetëm të njerëzimit. Martirizimi i tij ka ndodhur me 7 korrik rreth vitit 100 pas Krishtit.  

Emri i Shën Astit përmendet edhe në Passio të martirëve Pelegrinit, Luçanit, Eskit, Papisë, Saturninit dhe Gjermanit, të cilët, të ikur nga Italia, për shkak të përndjekjeve që i kishte shkaktuar Trajani ndaj të krishterëve, ata zbritën në Durrës, në momentin kur i gjithë qyteti ishte në festimet e Dionizit, pikërisht kur Shën Asti ishte duke jetuar martirizimin e tij. Këta ishin dëshmitarë të kësaj ngjarje. Kur e panë Ipeshkvin e tyre të kryqëzuar dhe të torturuar nga insektet, filluan të këndojnë lavdi Hyjit për këtë dëshmi të gjallë të bariut. Pasi publikisht e shfaqën fenë e tyre të krishterë, ata i arrestuan, i dërguan para qeveritarit Agrikola, i cili i dënoi me vdekje duke i hedhur në detin Adriatik.
Shën Asti, me martirizimin e tij, hyn në martirologjinë e Kishës Katolike ndër shqiptarë, i cili me e dëshmon praninë e Ungjillit dhe të të krishterëve në popullin tonë, që në shekullin e parë. Është dëshmitar shkëlqyer i një Kishe të organizuar, dëshmitare e ungjillit në Europën Mesdhetare, që është pinjolle e krishterimit në tërë Europën.

Dëshmia e tij ka sjell një nderim të madh në popullin tonë. Për nder të tij janë ndërtuar kisha në Shqipëri, Kosovë, Mal të Zi dhe Maqedoni. Kisha ortodokse shqiptare ruan një nderim të veçantë për të.

Në shek. 13-14 i ndërtohet një kishë madhështore në Isavrit, dëshmojnë gjetjet arkeologjike.  

Në Katedralen “Nënë Tereza” në Prishtinë, në vitrazhin e dytë në të majtë, gjendet e skalitur piktura që e dëshmon martizimin e tij, si njëri ndër të parët që e ka dhënë jetën për Krishtin.  
Shën Asti është mbrojtës (patron) i qytetit të Durrësit.

Fotografia në ballinë: Vitrazhi i Shën Astit, ipeshkëv dhe martir, në Katedralen “Nënë Tereza” Prishtinë.

 

Shpërndaje

Comments are closed.

« »