Gjithmonë të përkrahur dhe të vlerësuar nga Zoti që dashuron

Jul 9 • Meditimi i ditës

9 korrik 2016 – E shtunë, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

 

Prania e Hyjit

Për të hyrë në praninë e dikujt nevojitet që me sinqeritet t`i afrohem ashtu siç jam.

Në këtë moment, Hyji është këtu dhe më pret.

Zoti gjithmonë më afrohet i pari, dëshiron të më njohë më shumë se miku im më i mirë.

Do të ndalem një moment dhe do ta përshëndes Hyjin që më do.

 

Liria

Lus Hyjin që të më ndihmojë

që të lirohem nga të gjitha ankthet dhe brengat,

që t`i hapem gjatë kësaj kohe të lutjes,

në mënyrë që ta dua edhe më shumë dhe t`i shërbej.

 

Ndërgjegjësimi

Vetëdijesohem se jam në praninë e Hyjit.

Do të kërkoj strehim në zemrën e tij që më do.

Ai është fuqia ime në momentet e dobësisë,

ngushëllues në momentet e hidhërimit.

 

Fjala

Hyji i flet secilit prej nesh personalisht.

Duhet të dëgjoj në mënyrë që të dëgjoj çfarë dëshiron të më thotë.

Do ta lexoj tekstin disa herë, pa u ngutur, pastaj do të dëgjoj…

 

Mt 10, 24-33

 

24 Nuk është nxënësi më i madh se mësuesi as shërbëtori më i madh se zotëria i tij. 25 Mjaft është për nxënësin të bëhet si mësuesi i tij edhe për shërbëtorin si zotëria i tij. Në qoftë se të zotin e shtëpisë e quajtën Beelzebul, aq më tepër do të thonë për familjarët e tij!

26 “Mos ua kini, pra, frikën! Sepse nuk ka gjë të mbuluar që nuk do të zbulohet, as të fshehtë që s’do të dihet. 27 Çka ju them në errësirë, thuajeni në dritë, e çka dëgjoni të thënë në vesh, predikojeni nga pullazet!

28 Mos i druani ata që vrasin trupin e nuk mund ta vrasin shpirtin. Kini frikë më tepër nga Ai, që mund t’jua humbë në ferr shpirtin edhe trupin.

29 A nuk shiten dy trumcakë për një aspër? E, megjithatë, asnjë prej tyre nuk bie në tokë pa lejen e Atit tuaj. 30 E ju? Madje edhe të gjitha fijet e flokëve të kresë suaj janë të numëruara! 31 Pra, mos druani! Ju vleni më tepër se shumë trumcakë!”

32 Kushdo, pra, pranon para njerëzve se është imi, edhe unë do të pranoj para Atit tim që është në qiell, se jam i tij. 33 E atij që më bie mohit para njerëzve, edhe unë do t’i bie mohit para Atit tim qiellor.

 

Ç` dëshiron të më thuash, Zotëri?

 

Disa mendime mbi pasazhin e sotshëm të Shkrimit Shenjt:

 

  • Harabeli (trumcaku) ishte një nga krijesat më të vogla dhe më të lira në treg, e megjithatë vëmendja, mbrojtja dhe përkujdesja e Atit shtrihet duke përfshirë edhe atë. Ky imazh i thjeshtë na jep siguri se, pa marrë parasysh se sa të vegjël mund të ndihemi, sa të pambrojtur dhe të pavlefshëm në momente të ndryshme, ne gjithmonë jemi të përkrahur dhe të vlerësuar nga një Zot që dashuron, që kujdeset dhe na ndihmon.
  • Mjaft është për nxënësin të bëhet si mësuesi i tij.” Ndërsa rritemi ne të gjithë kemi nevojë për modele – njerëz të cilët i admirojmë dhe duam t`i imitojmë në një mënyrë tonën unike. Për një të krishterë, Jezu Krishti është modeli, i cili ia zbulon se si është Hyji.
  • O Zot Jezus, bëj që të ta dëshmoj se jam një dishepull i yti i vërtetë, duke dëgjuar me vëmendje fjalën tënde, duke u kujdesur për të varfrit, të dobëtit dhe nevojtarët.

 

Bashkëbisedimi

Nuk po më vijnë lehtë fjalët, o Zot.

Këqyr në zemrën time dhe shih se shumë e dëshiroj paqen.

Më ruaj, o Zot. E di se gjithmonë je afër meje.

 

Përmbyllja

Të falënderoj, o Zot, për çdo nxitje që ma ke dhuruar gjatë kësaj kohe sa luta mbi tekstin e Shkrimit Shenjt.

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.
Si ka qenë në fillim, ashtu tash
e përgjithmonë e jetës. Amen.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »