Ta duash vetveten, s`do të thotë egoizëm

Jul 9 • LEXIMET E SË DIELËS

E diela XV gjatë vitit C

Leximi i parë Lp 30, 10-14

Lexim prej Librit të Ligjit të përtërirë

Moisiu foli popullit dhe i tha: “Zoti do të bëjë të lumtur, por me kusht që ta dëgjosh zërin e Zotit, Hyjit tënd, e t’i ruash urdhërimet e ligjet e tij që janë të shkruar në këtë Ligj, e të kthehesh te Zoti, Hyji yt, me gjithë zemrën tënde e me gjithë shpirtin tënd. Ky urdhër që unë po ta jap sot, nuk është tepër i vështirë për ty as nuk është tepër larg teje; nuk është i vënë në qiell, që të thuash: ‘Kush mund të ngjitet për ne në qiell për të na e sjellë që ta mësojmë e ta shtiem në veprim?’ As nuk është përtej detit që të gjesh shkak të thuash: ‘Kush do të mund të kalojë përtej detit për ne për të na e sjellë që ta njohim e të kryejmë çka është urdhëruar?’ Jo, Fjala është krejtësisht afër teje, mu në gojën tënde, në zemrën tënde që ta zbatosh!” 

Fjala e Zotit

 

Psalmi 19

Ref: Ligji i Zotit është i përsosur
——————————————–
I përsosur është Ligji i Zotit,
shpirtin përtërin;
për t’u besuar është Dëshmia e Zotit,
të miturve u jep dijen.
——————————————–
Urdhërimet e Zotit janë të drejta,
kënaqin zemrën;
urdhri i Zotit është i qartë,
dritë u jep syve.
——————————————–
E panjollë është frika e Zotit,
nuk ndërron në shekuj të shekujve;
gjyqet e Zotit janë të vërteta, 
të gjitha njënjë të drejta.
Më të çmueshme se ari, se më i pastri ar,
më të ëmbla se mjalti, se hoja që rrjedh mjaltë.
——————————————–

 

Leximi i dytë Kol 1, 15-20

Lexim prej Letrës së shën Palit apostull drejtuar Kolosianëve

Krishti Jezus është shëmbëllesa e Hyjit të papashëm, i parëlinduri, para çdo krijese. Sepse në Të u krijua çdo gjë në qiell e në dhe, çka shihet e çka nuk shihet: qoftë fronet, qoftë zotërimet, qoftë principatat, qoftë pushtetet: gjithçka u krijua nëpër Të dhe për Të. Ai është para çdo gjëje dhe çdo gjë qëndron në Të. Ai është Kryet e Trupit, Kishës; Ai është fillimi, i parëlinduri ndër të vdekurit, që të jetë në gjithçka i pari. Sepse Hyjit i pëlqeu të banojë në Të e tërë plotësia dhe, me anë të Tij, duke vendosur paqen me anë të gjakut të kryqit të Tij, të pajtojë me vete gjithçka, qoftë në tokë qoftë në qiell

Fjala e Zotit

 

Aleluja
Po ju jap një urdhër të ri:

Duani njëri-tjetrin sikurse unë ju desha juve.

Aleluja

 

Ungjilli Lk 10, 25-37

Leximi i Ungjillit shenjt sipas Lukës

Në atë kohë, u ngrit një dijetar Ligji dhe, me qëllim që ta provojë, e pyeti Jezusin: “Mësues, çka duhet të bëj për të fituar jetën e pasosur?” Iu përgjigj Jezusi: “Çka shkruan në Ligj? Si lexon atje?” Dijetari iu përgjigj: “Duaje Zotin, Hyjin tënd, me gjithë fuqinë tënde dhe me gjithë mendjen tënde, dhe të afërmin tënd porsi vetveten.” Jezusi i tha: “Mirë u përgjigje! Vepro kështu dhe do të jetosh!” Por ai, duke dëshiruar të përligjej, e pyeti Jezusin: “Kush është i afërmi im?” Jezusi vazhdoi e tha: “Një njeri po zbriste prej Jerusalemit në Jerihon e ra ndër cuba. Këta e plaçkitën, e rrahën dhe ikën e e lanë veç gjallë. Rastësisht po asaj rruge po zbriste një prift. E pa, iu shmang e vazhdoi rrugën. Po ashtu edhe një levit, kur arriti aty, e pa, iu shmang dhe e vazhdoi udhën. Kurse një samaritanas, duke udhëtuar, kur erdhi tek ai dhe e pa, pati dhimbje për të, iu afrua, ia lidhi plagët duke ia pas larë me verë e me vaj. Mandej e vuri mbi shtazën e vet, e çoi në bujtinë dhe u kujdesua për të. Të nesërmen, nxori dy dinarë, ia dha bujtinarit dhe i tha: ‘M’u kujdes për të dhe, çka të shpenzosh më shumë, do t’i jap kur të kthehem.’ Cili prej këtyre të treve, të
thotë mendja, u dëftua i afërmi i atij njeriu që ra ndër cuba?” Ai iu përgjigj: “Ai që pati mëshirë për të!” “Shko – i tha Jezusi – e bëj edhe ti ashtu!” 

Fjala e Zotit

 

POROSIA

Sipas gjitha gjasave, nuk janë të paktë ata të krishterë që po të fillosh t`u flasësh për dashurinë ndaj vetvetes do të reagonin në mënyrë të sikletshme, sepse menjëherë u vjen në mendje egoizmi, rrotullimi rreth vetvetes… Ne kemi në fakt frikë të merremi me dashurinë ndaj vetvetes. Kemi frikë se mos po fiksohemi në vetvete. Sigurisht që vëmendje duhet kushtuar edhe dashurisë ndaj Hyjit dhe të afërmit, por kjo nuk e përjashton dashurinë ndaj vetvetes. Ta duash vetveten është urdhërim i Hyjit dhe kusht për ta dashur të afërmin. A mos është ndoshta të kushtuarit jo mjaftueshëm vëmendje këtij dimensioni në jetën tonë shkaku që në botë ka shumë egoizëm? Sidoqoftë, jemi të thirrur ta kultivojmë në ne dashurinë ndaj vetvetes që në botë të ketë më pak egoizëm. Vetë Zoti është ai që dëshiron që këto gjëra t`i kultivojë në jetën tonë – që të bëhemi të aftë duke dashur vetveten ta duam edhe të afërmin.

Një ditë një skribë e pyeti Jezusin cili është urdhërimi më i madh i Hyjit. Jezusi i thotë: Ti duhet ta duash Hyjin me gjithë mendjen tënde, me gjithë fuqitë e tua, me gjithë shpirtin tënd… I dyti është po aq i rëndësishëm: ti duhet ta duash të afërmin tënd – tash vjen një shtesë shumë e rëndësishme – porsi vetveten. Ky është i tërë Ligji dhe profetët. Një deklarim shumë i fuqishëm. Nëse këto tri dimensione i kemi para sysh – dashurinë ndaj Hyjit, të afërmit dhe vetvetes atëherë gjithçka tjetër vetvetiu do të funksionojë. Nëse jetojmë në dashuri ndaj Hyjit Atë, nëse jetojmë në dashuri ndaj të afërmit, dhe nëse e duam vetveten. Kjo përgjigje që na jep Jezusi tregon se dashuria e trefishtë ndërlidhet në mes veti – nuk mund t`i ndash nga njëra-tjetra. Është fakt që në përgjithësi ne njerëzit dimensionit të dashurisë ndaj vetvetes i kushtojmë më pak rëndësi, më pak flitet dhe mësohet për të. Shumë prej nesh shumë pak reflektojmë për dashurinë ndaj vetvetes. Edhe atëherë kur e bëjmë, e bëjmë në një mënyrë të gabuar – në kuptimin e egoizmit, duke u sjellë rreth e rrotull vetes. E pra, pikërisht kjo nuk është e menduar këtu, kur thuhet ta duash të afërmin si vetveten. Zoti dëshiron që të na japë një dashuri të vërtetë, reale, të mirëfilltë ndaj vetvetes.

Ajo çka Jezu Krishti dëshiron të na thotë dhe të na japë është se duhet pasur një dimension të dashurisë apo pranimit të vetvetes. Nëse ti nuk e do vetveten nuk mund ta duash të afërmin tënd. Logjikisht, kështu nuk do të mund ta duash as Zotin. Edhe njëherë: nëse ti nuk mund ta duash vetveten, nëse ti nuk mund ta pranosh vetveten nuk mund ta duash të afërmin tënd, as Zotin tënd.

Kur aftësia jonë për ta pranuar, për ta dashur vetveten është e dëmtuar, atëherë edhe aftësia jonë për ta pranuar dhe për ta dashur të afërmin dhe Zotin është (ndoshta seriozisht) e kufizuar. Mund të ndodhë që duke mos e pranuar vetveten, dimensioni i dashurisë ndaj Zotit dhe të afërmit të jetë seriozisht i penguar. Në vazhdim dëshiroj që së bashku në këtë meditim t`i reflektojmë disa pyetje që mund të na ndihmojnë për t`i kushtuar më shumë vëmendje dhe për ta përpunuar më shumë këtë dimension kyç të jetës sonë. Të ftoj që të reflektosh me mua. Për dikë mund të jetë pakëz impenjative, por që besoj se mund të jetë shumë ndihmuese dhe çliruese.

Si mund ta përçojë një ndjenjë tutje kur nuk e njoh? A mund të themi që të gjithë ne e njohim ndjenjën e dashurisë? Është shumë e mundur që në mesin tonë ka mjaft persona që nuk e njohin ndjenjën e dashurisë, për shkak se nuk e kanë përjetuar kurrë. Si mund ta përçojë këtë ndjenjë, meqenëse është urdhërim i Zotit? Kur flasim për urdhërimet, mos të harrojmë që trajta e tyre është “ti do të… (duash)”. Disa teolog mendojnë që përkthimi më korrekt i urdhërimeve të Hyjit do të ishte, jo me “mos adhuro idhujt”, por “ti do ta adhurosh Hyjin…”; “ti do t`i nderosh prindërit”; “ti nuk do të vrasësh…” e kështu me radhë. Në këtë kuptim edhe urdhërimi i dashurisë do të ishte: ti do ta duash Hyjin, ti do ta duash të afërmin, ti do ta duash vetveten. Këtu vjen në shprehje iniciativa e Zotit. Kjo është ajo pyetja e parë që ia bëmë vetvetes.

Pyetja e dytë do të ishte: si e gjej veten në dashurinë e vërtetë ndaj vetvetes që sigurisht më aftëson për ta dashur Hyjin dhe të afërmin? Sa mund të hyj brenda saj?

Dhe e treta: çka është dashuria hyjnore ndaj vetvetes, e çka rënia në dashuri e gabuar me vetveten? Këto pyetje duhet t`i kemi të qarta vazhdimisht. Shumë të krishterë nuk merren fare me temën e dashurisë ndaj vetvetes sepse kanë frikë se mos po e zhvillojnë një dashuri të gabuar të vetvetes, që do të ishte rënie në dashuri me vetveten, domethënë egoizëm. Në këtë mënyrë thjesht i bien shkurt dhe nuk i hyjnë fare asaj pune.

Te ungjilli sipas Lukës 6, 39 thuhet: Pastaj ai u tha një shëmbëlltyrë: “Një i verbër a mund t’i prijë një të verbri tjetër? Vallë nuk do të bien të dy në gropë?”

Nëse ti duhet bërë diçka në mënyrë të mirëfilltë, dhe nuk je në gjendje – si do t`i prish tjetrit? Me fjalë të tjera: nëse duhesh ta duash tjetrin, dhe në fakt nuk e do vetveten, si do ta bësh këtë? Kjo është e njëjta gjë, sikur një i verbër të tentojë t`i prijë një të verbri tjetër. Dhe kjo është ajo që shpesh ndodh edhe nëpër bashkësitë tona, famullitë apo misionet tona, kur flasim dhe i mësojmë të tjerët mbi dashurinë. Ne provojmë t`u rrëfejmë të tjerëve për dashurinë e Zotit pa e përjetuar vetë atë dashuri të Zotit ndaj nesh. Ajo që përçojmë tek të tjerët është një dashuri njerëzore. Nëse shkojmë më thellë atëherë e shohim që ne në fakt duke bërë kështu ndërmjetësojmë një imazh, një përfytyrim të deformuar të Zotit. Këtë madje duke e përsëritur vazhdimisht.

Unë nuk mund të jap vërtet tutje, nuk mund të përçoj atë që nuk e kam te vetja. Kjo do të duhej të na nxiste edhe ne, që para se të fillojmë të flasim për gjëra shpirtërore, të ndalemi edhe të mendojmë dhe të vendosim që edhe t`i përjetojmë të vërtetat shpirtërore. Me këtë të vërtetë ballafaqohem edhe unë si prift, por mendoj që kjo vlen edhe për të gjithë ata që merren me çështjet e fesë. Ne të gjithë me dëshirë lexojmë gjëra të shpirtit, dëshirojmë t`ua përçojmë të tjerëve të vërtetat e fesë, por vazhdimisht jemi disi të vetëdijshëm se diçka tjetër është të dish dhe për këtë të flasësh e diçka tjetër të flasësh për diçka që edhe vetë e ke përjetuar.

Sa shpesh nxitohemi që të flasim për diçka që vetë nuk e kemi përjetuar. Sa koncepte të krishtera nxitojmë t`ua përçojmë të tjerëve e që vetë fare nuk i kemi përjetuar te vetja. Ne i kemi kuptuar vetëm me intelektin tonë, dhe i konsiderojmë si të mira me mendjen tonë. Sigurisht që kjo nuk është gabim që njëherë t`i kuptojmë gjërat me mendje – është krejt në rregull. Por duhet të provojmë që pasi t`i kemi rrokur njëherë me mendje dhe t`i kemi kuptuar si gjëra të mira shpirtërore, t`i drejtohemi Zotit dhe të themi: o Zot, më ndihmo që këto të vërteta të kuptuara me mendje si të mira, të bëhen të mira që i përjetoj me zemër. Dhe këtu lind pastaj përvoja. Nga dija vijmë te përjetimi – përvoja. Të shumtën e rasteve kjo është një rrugë më e vështirë. Një rrugë pak më e rëndë.

Kjo është edhe ajo ndjenja, që kur të flasësh diçka, kur të dëshmosh diçka, e ke ndjenjën që gjithë ajo që po thua nuk është gabim, por është si lloj plastike – diçka që nuk hahet. Sepse ti e ndjen se kjo që po thua nuk ka zënë vend në zemrën tënde – nuk ka jetuar në ty. Në fillim, më tregonte një miku im, e pata vërë buzën në gaz kur dëgjova që në një urdhër rregulltarësh, e kishin pasur zakon që t`u lejohet të predikojnë para asamblesë vetëm atyre që i kanë mbushur 40 vjeç. Por më vonë e kuptova urtësinë e këtij rregulli. Ka qenë bindja që një njeri vetëm atëherë, d.m.th., pasi ka kaluar edhe nëpër kriza, ka mbledhur përvoja, dhe vetëm duke u nisur nga kjo është në gjendje të flasë dhe jo vetëm nga disa të vërteta që i ka mësuar përmendsh. Edhe në këtë rast shohim që jo të gjitha rregullat e vjetra janë të këqija. Por, më duhet ta pranoj që ekzistojnë edhe të rinj të mrekullueshëm, që kanë kaluar nëpër përvoja mbresëlënëse që duke i dëgjuar ata më ndërtojnë mua. Sepse ti e ndjen se ka zemër, gjallëri, ka jetë në atë çfarë thonë. Është diçka që është për-jetuar, nëpër të cilën gjë është ecur, kaluar.

Po ju jap një urdhër të ri, thotë Zoti: duani njëri-tjetrin siç ju kam dashur unë ju – thotë Jezusi. Në bazë të dashurisë që do ta keni ndaj njëri-tjetrit do t`ju njohin të tjerët se jeni nxënës të mi.

Ne e lexojmë këtë rresht dhe çka bëjmë? Ok, aha, në rregull Jezus, çka po thua: të duam, po, aha, duhet bërë këtë, këtë, këtë, gjithçka në rregull, Jezus, e kuptova, qe. Mirëpo, edhe ky rresht tregon sesi duhet medituar fjalët e ungjillit. Çka thotë saktë Jezusi këtu: Duani njëri-tjetrin siç ju kam dashur unë ju. Jezusi u thotë: po ju jap një referencë – një shembull! Po ju jap një eksperiencë – përjetim. Këta nxënës e kanë përjetuar se çka do të thotë të jesh i/e dashur. Ajo që është e rëndësishme këtu është se Jezusi nuk i nxit apostujt, dishepujt e vet që ta imitojnë symbyllazi, por ai i kishte dashur, në mënyrë të skalitur, d.m.th. nxënësve u ishte ngulitur në zemër mënyra sesi i kishte dashur – ata e kishin përjetuar dashurinë, dhe Jezusi e vazhdon tutje dhe thotë: pikërisht kështu siç e keni përjetuar që unë ju kam dashur ju, ashtu ta duani njëri-tjetrin. Pastaj shton se do të qëndrojë me ta deri në mbarim të botës. Ai ka për t`i dashur gjithmonë.

Edhe nga kjo mësojmë diçka: dashuria ka nevojë për një shembull. Nëse unë dhe ti dëshirojmë të mësojmë të dashurojmë, atëherë kemi nevojë të lejojmë që ta përjetojmë çka do të thotë të jesh i/e dashur. Ne duhet ta kuptojmë se çka do të thotë të jesh i/e dashur. Por pyetje është se sa prej nesh e kanë kuptuar dhe përjetuar se çka do të thotë të jesh i dashur në mënyrë të pakusht. Kjo është arsyeja përse dashuria jonë është aq shpesh copa-copa, ashtu të themi: nganjëherë provojmë me ngërç, nganjëherë disi anash – në margjina t`i duam të tjerët. Duhet thënë që edhe kjo nuk është krejt gabim – më mirë disi të duash sesa fare. Por Zoti dëshiron të na japë më shumë.

Unë mund ta imitojë dashurinë bukur mirë – madje me qëllimin më të mirë. Mësoje dikë të jetë i ëmbël! Ok, edhe ti i afrohesh dhe provon ta imitosh ëmbëlsinë. E kemi parë diku dikë sesi e shpreh ëmbëlsinë edhe tash provojmë ta imitojmë. Kështu sillemi njëri me tjetrin. Nganjëherë i kemi mësuar përmendsh disa gjeste dhe i shfaqim ato pa i reflektuar, pa i përjetuar. Ky është një proces që vërtet t`i mësojmë dhe përjetojmë edhe gjestet e shprehjes së dashurisë. Zoti dëshiron që të na çojë për të hyrë në një proces, kurse shembulli i tij është ai që dëshiron të na japë në mënyrë të vazhdueshme. Është mirë që të vazhdojmë së mësuari.

Edhe në fushën e jetës martesore, familjare, ekziston gjuha e dashurisë. Disa mendimtarë thonë që burrat nganjëherë e kanë më të vështirë ta mësojnë këtë gjuhën/shprehjen e dashurisë. Ka raste kur një burrë e kupton ndryshe gjuhën e dashurisë: ai mendon se nëse sjell mjaft të holla në shtëpi, kështu ka sjellë edhe mjaft dashuri! Edhe gratë kanë nevojë ta mësojnë këtë gjuhë se si meshkujt e shprehin dashurinë, por edhe meshkujt duhet të mësojnë ta kuptojnë mënyrën sesi e shprehin femrat dashurinë.

Sigurisht që në fillim njeriu ka vështirësi për ta kuptuar, mësuar dhe shprehur gjuhën e dashurisë. Por ka më shumë, duhet shkuar tutje – duhet mësuar më shumë. Ajo çka është me rëndësi është që para se dashuria të rrjedh, të tregohet, ajo duhet njëherë të përjetohet.

Te letra e 1-të e Gjonit lexojmë: Ne dashurojmë për shkak se ai na ka dashur i pari.

Për të qenë në gjendje për të dashur, duhemi të vijmë dhe të hyjmë në dashurinë e Hyjit. Duhet ta kuptojmë që së pari ne kemi qenë të dashur. Prej këtu rrjedh pastaj urdhërimi “ti do ta duash Hyjin tënd”. Sepse Zoti ka për ta treguar dashurinë e tij.

Si mëson një fëmijë i vogël të dashurojë? Jo duke lexuar libra, as duke i rrëfyer se çka është dashuria, por thjesht ti si babë apo nënë duke e dashur atë – duke i dhuruar dashuri. Kjo fillon qysh në barkun e nënës, kur ti ke mendime të mira për të, kur flet mirë vazhdimisht… kjo krijon një rezervar dashurie, ashtu të themi, që i ndihmon personit ta krijojë një vetëbesim, një siguri, aftësinë në vitet e mëvonshme në mënyrë që dashurinë të vazhdojë ta pranojë, por edhe shumë më lehtë dashurinë edhe ta dhurojë, t`ua shfaqë të tjerëve. Shumë prej nesh këtë nuk e kanë përjetuar. Kjo është arsyeja përse jemi në gjendje të flasim për dashurinë, por nuk ndjejmë asgjë. Është si ëndërr e keqe që na shfaqet sa herë që kemi nevojë të dashurojmë, e që nuk e kemi përjetuar sesi bëhet kjo. Shpesh herë pastaj fiksohemi pas disa rregullave të shkruara, të tipit recetë – duhet bërë këtë, duhet bërë atë, dhe kështu provojmë t`i afrohemi Zotit dhe të tjerëve. Por ne duhet të mësojmë. Gjëja e parë që duhet bërë është që ti ta kuptosh, ta përjetosh se Ati të do. Ati të do pa kushte.

Kjo është ajo pyetja që ia bëjmë pastaj vetes kur ballafaqohemi me të vërtetën e dashurisë së Hyjit: çka paskam të vlefshme që të më dojë Hyji? Pyete veten, i/e dashur besimtar/e, a besoj që Hyji më do pa kushte – ashtu siç jam? Përgjigju vetes. Kush beson që është i dashur pa kushte nga Hyji Atë. Shumë të krishterë vijnë nga familje ku pranimin, mbështetjen, përparimin, kujdesin, mbrojtjen, sigurinë nuk e kanë përjetuar. Shumë vetë iu është dashur ta kalojnë një fëmijëri ku e kanë përjetuar veten si të pavlefshëm, ndoshta si pengesë. Kjo është arsyeja përse kemi filluar që ekzistencën tonë, praninë tonë të fillojmë ta meritojmë – të japim llogari përse jemi këtu ku jemi. Më duhet të jap prova se kam vlerë! Më duhet të provojë se kam të drejtë të qëndroj këtu. Më duhet të provojë vlerën time. Shumë e kanë marrë këtë përvojë nga jeta familjare që nëse jap prova atëherë do të marr lëvdatë, njohje, pranim. Nëse nuk veproj kështu, atëherë vijojnë ndëshkimi, nënçmimi, refuzimi. Këto përjetime, sidomos të fëmijërisë, skaliten në ne thellë dhe na formojnë. Këto shabllone, këto bindje që i krijojmë, nganjëherë janë aq të fuqishme, sa që mbesin edhe pasi të rilindim shpirtërisht. Nganjëherë as që jemi të vetëdijshëm për këtë të vërtetë. Dhe pas një përvoje të tillë ne konfrontohemi me pyetjen sesi ta dua tjetrin, Zotin. Pastaj vijnë pyetjet tjera: si të bëhem një i krishterë më i mirë? Dhe marrim koncepte njëra pas tjetrës duke theksuar këtë “duhet” – detyrimin. Çka ndodh? Ne fillojmë të shtyjmë vetveten – duke i dhënë gas, ashtu të themi. Vrapojmë, vrap, vrap, vrap pa qenë të formuar – pa e pas të mbushur rezervarin. Dhe vjen koha që nuk mundemi më. Vjen momenti kur fillojmë të zemërohemi në Zot, bëhemi gjaknxehtë në të tjerët, sepse vazhdimisht na vjen ajo ndjenja e hidhët siç ka qenë përpara. Pastaj varësisht prej vendit, bashkësisë, famullisë ku ndodhemi, mësohemi se Zoti efikasitetin e shpërblen kurse mosefikasitetin e ndëshkon. Zëri yt i brendshëm, sipas gjitha gjasave të thotë: pikërisht, këtë gjë e di.

Dhe takimet tona me njerëz të tjerë në fakt janë pasqyrë e ditëve dhe përvojave të fëmijërisë sonë. Ne ndihemi të dashur kur kjo harmonizohet me atmosferën shpirtërore. Atëherë kontoja jonë është në plus. Atëherë jemi në gjendje që përbrenda ta pranojmë vetveten. Kur besojmë që shpirtërisht kemi përparuar. Ne nganjëherë e zëmë veten duke bërë llogari: kam lutur, kam lexuar Biblën, kam shkuar në filan vend… ëhë, i kam ndihmuar filanit, kam shërbyer atje… kontoja ime është në plus – unë e ndiej veten mirë; e ndiej veten se jam i/e dashur. Si duket kur gjërat nuk funksionojnë? Atëherë fillon zëri i heshtur i vetëpadisë – ankimit në vetvete. E kemi ndjenjën se Zoti nuk po më dashka, famullitari nuk po më do, udhëheqësi i grupit nuk po më do, e kështu me radhë…

Do të dëshiroja që mos të keqkuptohem. Këto gjëra janë të rëndësishme. Ato bëjnë pjesë në jetën e plotë të krishterë. Por vendimtare është me çfarë motivi e bën një gjë. Çka të shtynë ta bësh një gjë. Zoti nuk ka kurrfarë interesi që ti ta lexosh Biblën, të thotë uratë, të shkosh në kishë, t`i ndihmosh të tjerët, t`i shërbesh atij nga frika. Ose për ta impresionuar famullitarin tënd. Ose për t`i lënë mbresa të afërmit tënd. Ose thjesht të qëndrosh mirësjellshëm në bashkësi. Ky është një motivacion i gabuar. Sidomos në mesjetë ka qenë shumë e përhapur tendenca për t`i bërë gjërat nga frika – qoftë nga ndëshkimi, zemërimi, apo ferri. Jezu Krishti na ka zbuluar fytyrën e Atit – Ai është Hyj i dashurisë.

Paramendoje që dikush t`i thotë gruas së vetë pasi e ka vërejtur që nuk po e do mjaftueshëm: dëgjo, të lutem, duamë më shumë! Dhe ajo ta kthen: po, po e di recetën – qe t`i kam përgatitur ëmbëlsirat. Çfarë dashurie mund të jetë ajo e përllogaritjes.

Pra, ne nuk i shërbejmë një Zoti të sëmur, por një Zoti që shumë dëshiron që ta njohim se sa i dashur është, se sa shumë na ka dashur dhe që ne t`i përgjigjemi kësaj dashurie.

Kur ti dëshiron që të krijosh një raport dashurie me një person tjetër, atëherë gjëja më e shëndosh është që ti t`i tregosh dashuri këtij personi dhe të shpresosh që ky këtë dashuri do ta dallojë, të përshkohet me të dhe në të njëjtën mënyrë, të të përgjigjet me dashuri. Dhe brenda kësaj dashurie atëherë edhe njëri edhe tjetri do të bëjnë vepra dashurie. Por motivi përse i bëjmë këto vepra është dashuria! Sigurisht që me atë rast bëjmë edhe gjëra të gabuara, bëjmë gabime, por nuk është fjala fare për këtë. Por motivi bazë është dashuria! Është motiv i gabuar që ti të dashurosh për shkak se ke bërë gjëra të caktuara. Atëherë nuk funksionon diçka as me dashurinë tënde ndaj vetvetes. Ti duhesh ta pranosh vetveten dhe ta duash vetveten edhe në fazat e dobësisë. Ti duhesh qenë në gjendje ta pranosh që Ati përkundër dobësive të mia më vështron me plot dashuri dhe mëshirë. Se Ai nuk ka kurrfarë problemi që të thotë: ok, unë e kam parë këtë që më parë; ti ke nevojë për një fazë që të durosh dhe ta kapërcesh – do ta vazhdojmë së bashku rrugën. Unë mund të vijë sërish kur të vish në vetvete.

Ju që keni fëmijë e dini se sa e vërtetë është që ekzistojnë faza kur fëmijët thjesht bëhen me teka. Ti e di që nuk mund të vazhdosh me kërcënime, me këtë apo atë, por thjesht e lë të ndodhë. Përse? Sepse ti je i qetë. Sepse ke përvojë. Sepse e di saktësisht se si ke për t`i përfituar. Por me durim – qetësi. Pikërisht kështu sillet me ne edhe Ati ynë. Edhe ai e di që ka faza në jetën tonë kur ne thjesht dalim mendsh, bëhemi tekanjoz, nuk sillemi mirë. Megjithatë, Ai na do.

Nëse ke fëmijë, dhe kur fëmija të bëhet me teka, ti fillon ta kërcënosh, nuk ke për të luajtur, nuk ke për t`i blerë ata pantallona, ke për ti mbathur ato këpucë deri sa të shqyhen… 

Cili është motivacioni ynë: nëse unë them uratë, lexoj Biblën, i shërbej Zotit për të qenë i/e dashur dhe për ta dashur vetveten atëherë e huq esencën e dashurisë së Zotit. Atëherë jetoj në një formë njerëzore të dashurisë. Ajo çka atëherë e jetoj është dashuria e njerëzve. Njerëzit të shikojnë dhe thonë: hej, unë e njoh këtë. E çka është lajmi i mirë – lajmi i gëzueshëm?

Një prej problemeve më të mëdha të ne krishterëve është ta kuptojmë se sa shumë jemi të dashur. Sepse vetë e kemi përjetuar aq pak dashurinë. Kush prej nesh e ka përjetuar në jetën e vet dashurinë e pakusht. Kjo do të thotë dashurinë që nuk ka qenë e lidhur me ndonjë kusht: të dua me kusht që ti ta bësh këtë apo atë. Dashuria e pakusht është kur prindërit më kanë dashur edhe kur kam bërë marrëzira. Nëse e kam përjetuar këtë, atëherë e kam një shembull brenda meje të dashurisë së pakusht. Atëherë e kam lehtë të më kujtohet dhe ta përjetoj se Zoti është pikërisht i tillë. Nëse jo, atëherë lind pyetja në mua: çka, a thua Zoti duhet të më dojë tani që e kam bërë këtë marrëzi?!? Davidi është një shembull i shkëlqyer i një tipi të tillë, që shprehet te psalmi 51. Ai e kishte dhënë urdhër për të vrarë një njeri, kishte shkelur kurorën… por thotë te psalmi: ki mëshirë, për mua, o Zot, pash mirësinë tënde… më laj prej çdo faji, e më pastro prej çdo mëkati… Ai e ka pasur vetëdijen e fortë. Ai e ka ditur se çfarë do të thotë falja. Ndërsa ne, sipas gjitha gjasave do të na duhej nja 3 vite që të shkojmë në shkretëtirë – të bëjmë pendesë, për të qenë në gjendje ta përmendim ungjillin pas një mëkati të tillë.

Çka është dashuria hyjnore? Te letra drejtuar Romakëve 5,8 shkruan: “Por Hyji e dëftoi dashurinë e vet kundrejt nesh kështu: ndërsa ne ende ishim mëkatarë, Krishti vdiq për ne.”

Kur paska vendosur Hyji të vdesë për ne? Jo pasi e ka kontrolluar a jemi të vlefshëm? A do t`i jepje dikujt diçka pa e kontrolluar se a është i vlefshëm? Ne njerëzit shumë rrallë japim diçka paraprakisht – pa e pas kontrolluar a ia vlen. Por Hyji e ka bërë pikërisht këtë.

Jeremia 31,3 “Prej së largu mua Zoti m’u dëftua: `Të desha me dashuri të amshueshme, prandaj ruajta për ty mëshirën.`”

Kështu i ka thënë Hyji Izraelit: nuk të kam dashur për shkak të natyrë panoramike ku po jeton, as për shkak të dukjes sate – pamjes sate të jashtme… por unë të kam dashur. Më fal, si më ke dashur? Po, të kam dashur, thotë Zoti. Po tregomë si, o Zot? A kam bërë ndonjë gjë të mirë apo…? Kurse Zoti thotë thjesht: Unë thjesht të kam dashur!

Ka diçka në ty dhe në mua, që Zoti e sheh dhe e do. Kudo që të shikosh, Zoti sheh diçka më shumë – më thellë në ty që e tërheq.

Gjn 3,16: Sepse Hyji aq fort e deshi botën, sa dha Birin e tij të vetëmlindurin, që, kushdo që beson në të, të mos humbasë, por të ketë jetë të përjetshme.

A thua çka pa Zoti të mirë në këtë botën tonë të shkretë e të mjerë për ta dashur? Sidomos kohëve të fundit kur shohim, lexojmë, dëgjojmë – çka është duke ndodhur kështu? Zoti do të duhej ta bombardonte që t`i thuhet stop këtyre gjërave! Por, Zoti thotë: aq fort e desha botën!

A mos duhet të meditojmë ndoshta më shumë mbi këtë rresht biblik. Përse Zoti e deshi aq fort botën? Çfarë të mire pa në këtë botë? Bota je ti – çdonjëri prej nesh. Çfarë të mire pa Zoti në ty? Kur e lexojmë rreshtin: Zoti aq fort e deshi botën – tingëllon disi në mënyrë të përgjithshme. Mirëpo, nuk duhet harruar se këtu është menduar çdonjëri prej nesh. Kështu që ku thuhet bota ti mund ta vendosësh emrin tënd: Zoti aq fort të deshi!

Por mos të mendojmë se kemi kuptuar diçka nga kjo? As unë! Por ka diçka që Hyjin e entuziazmon, e mahnit në ne! Kjo është një dashuri që ne ende nuk e kemi kuptuar. Kur fillojmë ta kuptojmë këtë dashuri, atëherë fillon të pushojë mallkimi yt i vetvetes, refuzimi i vetvetes dhe urrejtja e vetvetes. Ne mund ta pranojmë vetveten ashtu siç jemi.

Dhe këtu dëshiroj t`ju nxis, vëllezër e motra, të fillosh çdo ditë ta lutësh Zotin që Zoti të ta dëftojë pikërisht këtë dashuri. Sepse kjo është në fakt gjëja kryesore që ai e dëshiron. Para çdo gjëje tjetër të krishterë qëllimi i tij me ty është të ta dëftojë dashurinë e vet. Kjo dashuri largon çdo dyshim, lëkundje e mosbesim për vetveten, për të vërtetën. Kjo dashuri largon çdo lëndim të vetvetes.

Çka mendoi Hyji para krijimit të botës. Çka ndjente ai për ne kur vendosi të na krijoi? Mendo për këtë! Çka mendonte Hyji kur vendosi që të bëhet Qengji i prerë që i shlyen mëkatet e botës. Ende pa u krijuar bota, Krishti ka vendosur për të na shpërblyer. (krhs. Zb 13,9)

Ekziston diçka që Zoti sheh e që ne nuk e shohim. Ai sheh në ty një potencial, që aq i fuqishëm është sa që Ati e ka dhënë Birin e vet për të. Ti je thesari i fshehur në ar – për të cilin zbuluesi ka shitur gjithçka për të të blerë.

Ndërsa ne njerëzit shikojmë në mënyrë permanente atë çfarë nuk jemi. Ne merremi më shumë me atë çfarë ne ende nuk jemi sesa me atë çfarë jemi. Ne vazhdimisht i shohim dobësitë dhe paaftësitë tona. Vazhdimisht i shohim përtacinë, ngathtësinë, ngurtësinë tonë. Për këtë arsye e akuzojmë vazhdimisht vetveten dhe e gjykojmë vetveten me llogaritje. Kjo është arsyeja përse shpesh herë e urrejmë vetveten, përse nuk mund ta duam vetveten, dhe jemi të paaftë për ta dashur Hyjin dhe të afërmin.

Atë që e vëren te vetja pastaj fillon ta vëresh edhe te tjetri. Pyete veten: si e percepton – si e shikon më së shumti fqinjin tënd? Pyete veten në heshtje. Çfarë komentime bën më së shpeshti për njerëzit? A janë ato konstruktive apo më shumë kritike përçarëse, rrënuese dhe gjithmonë e shikon vetëm atë më të keqen? Nëse kështu vepron, nëse vazhdimisht je kritik ndaj të tjerëve, e sheh gjithmonë të keqen te të tjerët, po të garantoj se pikërisht kështu e shikon edhe vetveten. Sepse ashtu siç e shikon vetveten e shikon edhe tjetrin.

Shpirti Shenjt dëshiron që këtë shabllon ta thyejë. Në ty, në ne. Dhe ky është një proces ku kjo përsëritet. Sepse kjo gjë ka hyrë në jetën tonë në një proces, dhe në këtë mënyrë nuk hiqet si me shkop magjik, por nëpërmjet një procesi pastrues, shërues, forcues. Por Zoti nuk lodhet. Ai është i gatshëm çdo ditë të të komunikojë sesa të do. E pra, veshët tanë janë aq shumë të preokupuar me refuzimin tonë të vetvetes sa që fare nuk dëgjojmë.

Zoti dëshiron që të komunikojë me ty. Zoti dëshiron që ti t`i shohësh gjërat dhe t`i shijosh. Zoti e di që ti ke nevojë për shenja, për të të dhënë zemër. Zoti e di që ndoshta gjatë gjithë këtyre viteve nuk ke pasur mbështetje, të tjerët nuk të kanë dhënë zemër. Zoti ashtu na ka krijuar që të reagojmë kur dikush na jep zemër. Le të bëhemi njerëz që u japin zemër të tjerëve – që e nxisim njëri-tjetrin. Bëhu prani pozitive në një botë negative. Bëje këtë qoftë me gojë, qoftë me shkrim, nëpërmjet letrave, internetit, facebookut, kartolinës… Një fjalë e vogël – një dhuratë e madhe! Bëje këtë rregullisht! Dhe kjo do të kthehet! Amen.

 

Lutja e besimtarëve

O Zot Jezu Krisht, atje ku i ke takuar njerëzit, ke kontribuar gjithmonë për të krijuar një atmosferë të mirë. Në praninë tënde njerëzit ndiheshin mirë dhe të sigurt. Ata merrnin forcë ta donin njëri-tjetrin. Edhe ne duam që mendimet dhe veprimet tona të jenë të përcaktuara nga dashuria. Prandaj po t`i drejtojmë këto lutje, duke thënë:

Krisht, na dëgjo!

  • Që të dimë ta duam vetveten me dashurinë tënde të pastër ndaj nesh dhe të tjerëve, të lutemi.
  • Që të kemi forcë dhe durim në takim me njerëz të vështirë, të lutemi.
  • Që të mos t`i mbyllemi sytë para njerëzve që kanë nevojë për ndihmën tonë, të lutemi.
  • Që të jemi të aftë të bashkë-ndjejmë në vuajtjet e të tjerëve, të lutemi.
  • Që të jemi të gatshëm për pajtim pas një padrejtësie të pësuar, të lutemi.
  • Bekoji të gjithë ata që janë duke vuajtur shumë apo lëngojnë nga ndonjë sëmundje serioze, të lutemi.
  • Qëndro pranë atyre që mbajnë përgjegjësi në kishën tënde, në shoqëri, në shkencë dhe në zhvillimin e së ardhmes, të lutemi.
  • Pranoji të vdekurit në bashkim me ty, të lutemi.

O Zot, Jezu Krisht, po mbështetemi në dashurinë tënde që dëshiron t`i formojë zemrat tona. Ty të qoftë lavdi e ndera tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

Përgatiti: P. Shtjefën Dodes SJ

Shpërndaje

Comments are closed.

« »