Empatia – dhembshuria e rigjallëron

Jul 10 • Meditimi i ditës

10 korrik 2016 – E diela 15-të gjatë vitit “C”, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

(Leximet e ditës: Lp 30,10-14; Ps 18; Kol 1,15-20; Lk 10,25-37)

 

Prania e Hyjit

O Zot, më ndihmo që tërësisht të gjallërohem në praninë tënde.

Më përshko me dashurinë tënde.

Zemra ime u bëftë një me tënden.

 

Liria

Hyji nuk është mish i huaj në trupin tim.

Përkundrazi, Shpirti i tij i jep jetë dëshirave të mia më të thella,

Duke më nxituar butësisht në atë çfarë është e mirë.

Lus për hirin e shenjtë që t`i lejoj Shpirtit që të më mbushë.

 

Ndërgjegjësimi

E di se Hyji më do pa kusht.

Për këtë arsye sinqerisht e vështroj ditën e kaluar, ndodhitë dhe përjetimet.

A ekziston diçka që do të duhej të isha mirënjohës/e? Atëherë do të shpreh mirënjohje.

Diçka që ndihem fajtor? Atëherë do të kërkoj falje.

 

Fjala

Hyji i flet secilit prej nesh personalisht.

Duhet të dëgjoj në mënyrë që të dëgjoj çfarë dëshiron të më thotë.

Do ta lexoj tekstin disa herë, pastaj do të dëgjoj…

 

Lk 10, 25-37

 

25 Dhe ja, u ngrit një dijetar Ligji dhe, me qëllim që ta provojë, e pyeti:

“Mësues, çka duhet të bëj për të fituar jetën e pasosur?”

26 “Çka shkruan në Ligj? ‑ iu përgjigj Jezusi ‑ Si lexon atje?”

27 Dijetari iu përgjigj:

“‘Duaje Zotin, Hyjin tënd, me gjithë zemrën tënde, me gjithë shpirtin tënd, me gjithë fuqinë tënde, dhe me gjithë mendjen tënde edhe ‘të afërmin tënd porsi vetveten!’“

28 Jezusi i tha:

“Mirë u përgjigje! Vepro kështu dhe do të jetosh!”

29 Por ai, duke dëshiruar të përligjej, e pyeti Jezusin:

“Kush është i afërmi im?”

30 Jezusi vazhdoi e tha:

“Një njeri po zbriste prej Jerusalemit në Jeriho e ra ndër cuba. Këta e plaçkitën, e rrahën dhe ikën dhe e lanë veç gjallë.

31 Rastësisht po asaj rruge po zbriste një prift. E pa, iu shmang e vazhdoi rrugën. 32 Po ashtu edhe një levit, kur arriti aty, e pa, iu shmang dhe vazhdoi udhën. 33 Kurse një samaritanas, duke udhëtuar, kur erdhi tek ai dhe e pa, pati mëshirë për të, 34 iu afrua, ia lidhi plagët duke ia pasë larë me verë e me vaj. Pastaj e vuri mbi shtazën e vet, e çoi në bujtinë dhe u kujdesua për të. 35 Të nesërmen, nxori dy denarë, ia dha bujtinarit dhe i tha: ‘M’u kujdes për të dhe, çka të shpenzosh më shumë, do t’i jap kur të kthehem.’

36 Cili prej këtyre të treve, të thotë mendja, u dëftua i afërmi i atij njeriu që ra ndër cuba?”

37 Ai iu përgjigj:

“Ai që pati mëshirë për të!”

“Shko ‑ i tha Jezusi ‑ e bëj edhe ti kështu!”

  

Ç` dëshiron të më thuash, Zotëri?

Disa mendime mbi pasazhin e sotshëm të Shkrimit Shenjt:

 

  • Kërkesa themelore e Ligjit – dashuria ndaj Hyjit dhe dashuria ndaj të afërmit –shprehet më së miri në mënyrë praktike duke treguar mëshirë ndaj atyre në nevojë. Samaritani, një pagan, është i afërmi i vërtetë për njeriun eplagosur. Ai e vë në praktikë ligjin, edhe pa e ditur atë. Duhet `të shkoj e të bëjë edhe unë kështu.`
  • Shëmbëlltyra e Jezusit i trondit dëgjuesit. Një Samaritan, një jo-Hebre, vepron siç kërkon Ligji. Në këtë mënyrë, ai gjithashtu kualifikohet ‘për të trashëguar jetën e pasosur’. A mësoj se dashuria dhe empatia, d.m.th. aftësia për të bashkë-ndjerë – dhembshuria, janë gjithçka që vërtet ka rëndësi?

 

Bashkëbisedimi

Zot, ti më njeh më mirë se unë e njoh veten time.
Shpirti yt e përshkon çdo moment të jetës sime.
Faleminderit për hirin dhe dashurinë që e ndikon mbi mua.
Faleminderit për ftesën tënde të vazhdueshme, të butë për të lejuar të hysh në jetën time.
Më fal për momentet kur e kam refuzuar atë ftesë, dhe e kam mbyllur veten para teje.
Më ndihmo që gjatë ditës të vij, ta njoh praninë tënde në jetën time, të ta çel zemrën, që të lejoj të veprosh në mua, përlavdinë tënde më të madhe.

 

Përmbyllja

Të falënderoj, o Zot, për çdo nxitje që më dhurove gjatë këtyre momenteve të kaluara vetëm me ty.

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.
Si ka qenë në fillim, ashtu tash
e përgjithmonë e jetës. Amen.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »