Imzot Dodë Gjergji pret në vizitë Ministrin e Diasporës Valon Murati  

Jul 11 • Kisha në Kosovë

Në vazhdën e takimeve që ministri Murati po realizon në kuadër të fushatës së regjistrimit “Ti je pjesë e atdheut”, sot u takua me Ipeshkvin e Kosovës, Imzot Dodë Gjergji.

Në këtë takim, u diskutuan dy çështje: procesi i regjistrimit dhe funksionimi i shkollës shqipe në diasporë.

Ministri Murati shtroi nevojën që mesazhi i regjistrimit të bashkatdhetarëve gjatë qëndrimit në atdhe të përcillet edhe përmes Ipeshkvisë së Kosovës dhe mekanizmave të saj dhe t’u qartësohet se regjistrimi është interes kombëtar, se është në të mirën e tyre, në mënyrë që të krijohen politika më të mira shtetërore për diasporën.

Po ashtu,  u diskutua  që t’u bëhet thirrje bashkatdhetarëve që sa më shumë t’i dërgojnë fëmijët në shkollat shqipe, sepse përmes saj ruhet edhe identiteti kombëtar e kulturor.

Ministri Murati e njoftoi ipeshkvin Gjergji edhe me aktivitetet që Ministria e Diasporës do t’i bëjë këtë verë për bashkatdhetarët, për punën që po bëhet për hartimin e një kurrikule të përbashkët Kosovë-Shqipëri për mësimin e gjuhës shqipe në diasporë etj.

Ndërkaq, Ipeshkvi i Kosovës, Imzot Dodë Gjergji,  e njoftoi ministrin Murati për Qendrat e Misioneve që i kanë në Europë, për rolin e rëndësinë e tyre dhe për kontributin e madh që japin për mësimin dhe ruajtjen e gjuhës shqipe. 

Imzoti theksoi se si në Kosovë, ashtu edhe në vendet ku i kanë misionet, përmes priftërinjve do të shpërndahet informacioni – porosia për regjistrim të bashkatdhetarëve, por edhe për  vijimin e fëmijëve të diasporës në shkollën shqipe.

Ipeshkvi i Kosovës theksoi se shqiptarët në diasporë duhet të lidhen kulturalisht me njëri-tjetrin, të mos ndahen fetarisht, por të bashkohen  rreth vlerave kombëtare e traditave, përmes aktiviteteve kulturore e shkollës shqipe. 

Në fund të takimit,  ipeshkvi i Kosovës, imzot Dodë Gjergji, tha se misionet e tyre do të jenë në dispozicion për bashkëpunim me MeD-në dhe do ta kenë përkrahjen e tyre, që bashkërisht të jenë në shërbim dhe në të mirë të bashkëkombësve tanë në Diasporë. (MeD dhe Drita)

Shpërndaje

Comments are closed.

« »