Sfida e (mos)besimit

Jul 12 • Meditimi i ditës

12 korrik 2016 – E martë, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

(Leximet e ditës: Is 7,1-9; Ps 47; Mt 11,20-24)

 

Prania e Hyjit

Mendoj një moment për praninë e Hyjit rreth meje dhe në mua.
Krijuesi i gjithësisë, diellit dhe hënës, tokës,
i çdo molekule dhe atomi, i të gjitha gjërave që ekzistojnë, që janë:
Hyji është në çdo rrahje të sime zemër. Ai është në mua, tani.

 

Liria

Hyji sillej me mu ashtu siç bën një mësues shkolle me një fëmijë:

më mësonte. (Shën Injaci)
Do ta kujtoj se ekzistojnë edhe shumë gjëra për të cilat Hyji duhet të më mësojë,
dhe do të lus për hirin që t`i vërej
dhe t`i lejoj që nëpërmjet tyre të më ndryshojë.

 

Ndërgjegjësimi

O Zot, ma ke dhënë natën për pushim dhe fjetje.

Në momentet e mia kur jam zgjuar kurrë mos e harrofsha mirësinë tënde.

Më mëso që bekimin tënd ta ndaj me të tjerët.

 

Fjala

Lute Shpirtin Shenjt që të të ndriçojë dhe të ta hapë mendjen dhe zemrën që të mund ta dëgjosh Zotin se si po të flet në Fjalën e tij.

 

Mt 11, 20-24

 

20 Atëherë zuri t’i qortojë qytetet, në të cilat Jezusi kishte bërë shumë e shumë mrekulli, e ato nuk u kthyen.

21 “I mjeri ti, Korazin, e mjera ti, o Betsaidë! Sepse, sikur të ishin bërë në Tir e në Sidon të gjitha ato mrekulli që u bënë ndër ju, kaherë do të kishin bërë pendesë të veshur me thes pendese e të përhimë. 22 Prandaj po ju them: Tiri e Sidoni do ta kenë më lehtë se ju Ditën e Gjyqit!

23 E ti, o Kafarnaum,

a thua do të ngritesh deri në qiell?

Ti do të plandosesh deri në ferr!

Sepse, sikur të ishin bërë në Sodomë mrekullitë që u bënë në ty, ajo do të ishte edhe sot e kësaj dite! 24 Prandaj po ju them: treva e Sodomës do ta ketë më lehtë se ti ditën e Gjyqit!”

 

Ç` dëshiron të më thuash, Zotëri?

Disa mendime mbi pjesën e leximit të sotshëm të Shkrimit Shenjt:

 

  • Jezusi predikonte mesazhin e kthimit dhe pendimit për faljen e mëkateve. Këtë mesazh njerëzit e merrnin në mënyra të ndryshme, varësisht prej besimit që e kishin në Jezusin. O Zot, “unë besoj, ndihmo mosbesimin tim” (Mk 9,24).
  • Jezusi jetoi për një kohë në Kafarnaum. Ai predikonte në sinagogë. E megjithatë, mrekullitë e tij nuk ishin të mjaftueshme për të bindur vendasit se ai ishte nga Hyji.
  • Besimi im në Jezu Krishtin Zot dhe ungjillin e Tij ma mundëson që gjithmonë t`i admiroj veprat e tij të mrekullueshme dhe t’i japë atij lavd e ta falënderoj pambarim.

 

Bashkëbisedimi

Jezus i dashur, po ta hapi zemrën.

Mund të të them gjithçka më mundon.

E di që kujdesesh për gjithçka i përket jetës sime.

Më mëso që të jetoj në dijeni se ti përkujdesesh sot për mua,

Se do të përkujdesesh edhe të gjitha ditët e jetës sime.

 

Përmbyllja

Të falënderoj, o Zot, që munda t`i kaloj këto pak minuta vetëm me ty.

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt
Si ka qenë në fillim, ashtu tash
e përgjithmonë e jetës. Amen.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »