Marrëdhënie (mbi)natyrore

Jul 13 • Meditimi i ditës

13 korrik 2016 – E mërkurë, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

(Leximet e ditës: Is 10,5-7.13-16; Ps 93; Mt 11,25-27)

 

Prania e Hyjit

O Zot i dashur, më ndihmo që të çelem krejtësisht ndaj teje
sepse tani po i lë anash të gjitha brengat e mia.
Mbushi mendimet e mia me paqe, me dashurinë tënde.

 

Liria

Lus për hirin e fesë,

të besoj në gjithë atë çfarë do të mund të bëhesha dhe të bëja

vetëm po t`i dorëzohesha Hyjit, atij që krijon gjithçka nga dashuria,

që të vazhdojë të më krijojë, udhëheqë dhe formojë.

 

Ndërgjegjësimi

Kur e ndiej ngrohtësinë e diellit në fytyrë,

jam i/e vetëdijshëm/e për praninë tënde në këtë botë.

 

Fjala

O Zot, je bërë njeri në mënyrë që të bisedosh me mua;

Ke ecur dhe ke punuar mbi këtë tokë; ke duruar vapën dhe të ftohtët.

Kohën e kalove në tokë duke u përkujdesur për njerëz.

Ke shëruar të sëmurë, ke ngjallur të vdekur; dhe ajo më e rëndësishmja – më ke shpëtuar nga vdekja.

 

Mt 11, 25-27

 

25 Në atë kohë Jezusi mori fjalën e tha:

“Po të bekoj, o Atë, Zotërues i qiellit e i dheut,

që i fshehe këto gjëra nga të dijshmit e nga të urtët,

e ua zbulove të vegjëlve.

26 Mirë, o Atë, pse të pëlqeu ty kështu!

27 Ati më dorëzoi mua gjithçka

dhe askush s’mund ta njohë Birin përveç Atit,

dhe askush s’mund ta njoh Atin, përveç Birit

e përveç atij kujt Biri do që t’ia zbulojë.

 

Ç` dëshiron të më thuash, Zotëri?

Disa mendime mbi pjesën e leximit të sotshëm të Shkrimit Shenjt:

 

  • Këtu është hequr një perde për të treguar marrëdhënien e veçantë midis Jezusit dhe Atit të tij. Emri i veçantë dhe intim “Abba, Atë (babë)” shfaqet pesë herë në këtë pasazh. Ky është një emër i zakonshëm familjar në gjuhën aramaike (gjuhën amtare të Jezusit), me të cilin fëmija do ta thërriste babanë e vet natyror. Për shkak të supozimit (nënkuptimit) të kësaj marrëdhënie unike dhe intime, farisenjtë dhe skribët do ta dënojnë Jezusin me vdekje në kryq.
  • Biri ka qasje të privilegjuar tek Ati. Kjo nuk është marrëdhënie ekskluzive apo e mbyllur, në të vërtetë, Jezusi i fton edhe të tjerët të marrin pjesë në të. Ne në “Momentin e shenjtë” jemi në mesin e atyre “të cilëve Biri dëshiron të na zbulojë Atin”.
  • O Zot Jezus, na ndihmo të përjetojmë se edhe ne jemi bij dhe bija të dashur të Atit tonë Qiellor.

 

Bashkëbisedimi

Nganjëherë e pyes veten çfarë do të të thosha, o Zot, për të takuar personalisht.

Ndoshta do të mund të thosha: “Faleminderit, o Zot”, që je gjithmonë pranë meje.

E di, sigurisht, se ka pasur momente kur më ke mbartur dhe je kujdesur për mua.

Kur me fuqinë tënde i kam mbijetuar momentet e errëta të jetës sime.

 

Përmbyllja

Të falënderoj, o Zot, për çdo nxitje që ma dhurove gjatë kësaj kohe sa luta mbi tekstin e Shkrimit Shenjt.

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt
Si ka qenë në fillim, ashtu tash
e përgjithmonë e jetës. Amen.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »