Të pushosh pa u lodhur

Jul 14 • Editorial

Sfidat e pushimeve verore – turizmit

 

Nga P. Shtjefën Dodes SJ

Shumë prej nesh kemi filluar ta nuhasim, disa edhe ta shijojmë, joshjen e të qenurit të lirë dhe të mundësisë së përcaktimit të pavarur për fatin individual (shoqëror). Dëshirojmë të vendosim jo vetëm për të rrojtur, mbijetuar, por edhe për të jetuar një jetë të denjë njerëzore, përparimtare. Thell në zemër besojmë dhe na merr malli për një jetë që na ofron njëri me tjetrin. Ajo që më parë dukej se ishte e pamundur, sot fillon të japë shenja jete dhe të shfaqet, sepse nevojat dhe dëshirat tona po ndryshojnë. Vërtet ajo ka qenë gjithmonë e pranishme, por vëmendja jonë e (sh)përqëndruar në kahje dhe përmbajtje tjera e ka penguar perceptimin dhe mundësinë e shijimittë bukurive që na rrethojnë.

Njeriu si qenie e cila e ka mundësinë e perceptimit, arsyetimit dhe vendimit duhet të jetë gjithnjë e më i vetëdijshëm për nevojat e tija njerëzore. Njëra prej këtyre nevojave natyrore është pushimi, edhe ai veror (vjetor). Njeriu nuk guxon të jetojë vetëm në punë, të jetë prodhues. Ai është i thirrur të jetë njeri edhe në kohë të lirë, në lojë, në pushim. Koha e lirë nuk është humbje kohe apo ikje nga vetvetja. Pa Zotin edhe koha e lirë edhe pushimi e humbin vlerën. Pa Zotin, i cili e ka thirrë njeriun në veprim dhe pushim bashkëkrijimtar, as koha e lirë s’ka kuptim, kurse Shkrimi Shenjt qartë tërheq vëmendjen: Kush nuk do të punojë, as mos të hajë!” (2 Sol 3,10).

Lodhja dhe humbja e fuqisë si duket është bërë një fenomen i përgjithshëm. Madje dëgjojmë edhe ankime për një lodhje permanente: lodhje pranverore, lodhje para pushimeve verore, por edhe pas tyre, lodhje vjeshtore; ekziston edhe lodhja dimërore. Për të krishterin koha e lirë është në njëfarë mënyre detyrë. Në të e përjetojmë realitetin tonë rreth vetes si të bukur. Për të qenë ajo që është, koha e lirë për të krishterin është e mbështetur në kremtimin/falënderimin e Atij që është qendra e së mirës – Zotit. Kisha në parim e ka gjithmonë një qëndrim pozitiv ndaj kohës së lirë, pushimeve verore, turizmit, duke parë në to një realitet shoqëror. Këtyre fenomeneve i qaset në dritën e të vërtetave ungjillore,  që pjesëmarrësve të këtij realiteti të ri t`u ndihmojë t`i zbulojnë aspektet dhe mundësitë e reja pozitive.

Çdonjëri prej nesh e ndjen nevojën e zëvendësimit të kohës së punës me momentet e shlodhjes. Pas detyrave të rregullta në aktivitete të lira ripërtërihet shpirti dhe trupi. Sporti dhe ushtrimet fizike, udhëtimet dhe veprimtaritë kulturore, vizitat e familjeve apo miqëve, pjesëmarrja në jetën e shoqërive të ndryshme bëhet pjesë përbërëse e jetës.

Për fat të keq, për shumë kënd, puna është bërë një lloj i ri i robërisë për shkak të kushteve të vështira në të cilat janë të detyruar të punojnë. Në vendet më të varfëra të botës, por edhe në Kosovë, për shkak të numrit të lartë të papunësisë, shumë vetë nuk mund ta realizojnë të drejtën e tyre për të punuar. Në këtë situatë, problemi i papunësisë bëhet një problem i rënd dhe një e keqe e madhe. Puna, si veti, e përcakton cilësinë e brendësisë së njeriut dhe, në një kuptim të caktuar, e përbën vetë natyrën e tij. Nëse njeriu nuk punon, apo nëse nuk i është dhënë mundësia, nëse nuk i është njohur dhe siguruar e drejta e tij në punë, ekziston edhe rreziku shpirtëror i rënies në njëfarë hapësire “të kohës së lirë kolektive”, “pushimeve (të shumta) vjetore/verore”, që shpejt mund të shndërrohet në djerraditje (përtaci). Për këtë arsye, bashkë me të vërtetën e dëmit ekonomik të një gjendje të tillë, shkon edhe ai kulturor: nuk është mirë kur njeriu ka tepër kohë të lirë të cilën nuk mund ta plotësojë. Për këtë arsye është e domosdoshme të gjindet masa e drejtë në mes kohës së lirë, dhe interpretimit të drejtë të kohës së lirë, pushimit në njërën dhe punës në anën tjetër.

Në vrapimin e pandalur të jetës së sotshme, sipas hulumtimeve të shumta, pushimi veror, apo turizmi, është kohë e çmuar pikërisht për kërkimin e kuptimit të jetës. Kërkimi i kuptimit nuk ndërpritet as në kohën që është e rezervuar për pushimin e njeriut. Në atë kohë njeriu e ka mundësinë të ikë prej të gjitha sendeve, por jo edhe prej vetvetes. Prandaj njeriu është i thirrur, që pushimin e tij ta fillojë në zemrën e tij, duke mbjell paqen dhe gëzimin për ta rizbuluar kuptimin e kohës së lirë, takimin me zemrën e të afërmit, ngrohtësinë e diellit dhe një çik qiell në tokë që pret t`i dhurohet.

Turistë të shumtë në pushimet e tyre vjetore vizitojnë vende natyrore dhe objekte të ndryshme sakrale, kulturore, që tregon synimin për një zgjerim të horizontit, për ngritje personale. Është interesante se mistikët, njerëzit e thelluar në Zotin, afërsinë e Zotit në mënyrën më të thellë e kanë përjetuar nëpërmjet natyrës, të gjitha sendeve të krijuara. Natyra pra e tregon Zotin. Njerëzit e kohës bashkëkohore me afsh e dëshirojnë natyrën e cila frymëzon pamatësinë, pakufizimin, ripërtërin mendjen dhe zemrën dhe vazhdimisht sjell freski.

Kosova, si shtet i ri me një numër relativisht të vogël banorësh, me bukuritë e saja të mëdha natyrore, po bëhet gjithnjë e më joshës, jo vetëm për banorët vendor, por edhe ata ndërkombëtar. Zoti po i takon në thellësitë e ndërgjegjës me mijëra njerëz që e vizitojnë atë nëpër male, fusha, liqenj e lumenj. Në këto bukuri po shkruhen histori të shumta vizitorësh. Grupet malore që e rrethojnë Kosovën si Malet e Sharrit, Bjeshkët e Nemuna, pastaj lumenjtë e ndryshëm si Drini i Bardhë, Sitnica, Ibri, Lepenci etj., liqejt dhe malet e lartasi Gjeravica, Bistra, Luboteni etj., janë vetëm disa mundësi që në këtë pasqyrë natyrore njeriu të mund ta njohë më mirë veten, më shumë të gëzohet duke i shijuar me falënderim të gjitha këto dhurata nga Zoti.

Ekziston madje një libër apo ciceron i publikuar nga miqë jo kosovarë, që ndihen si vendas, që mund të shërbejë si udhëheqës shumë i qartë për informatat e thjeshta turistike, si p.sh. ku gjendet Kosova, klima e saj, vendet turistike, shtigjet e vrapimit, lumenjtë,kishat, xhamitë, tradita dhe historia e deri te kuzhinat tradicionale që ofron Kosova. Edhe pse për bukuritë e Kosovës po tregohen më të shkathët dhe më të interesuar jovendorët, ia vlenë me falënderim të shihet njohja e tyre e mirë e vendeve tona për ta njohur, çmuar dhe dashur edhe më shumë vetveten.

Pyetja e zhvillimit të Kosovës dhe e zotështëpisë së mirë për mysafirët e ardhur duhet të jetë preokuptim i të gjitha fuqive shpirtërore, inelektuale dhe krijuese të kombit shqiptar. Ajo do të duhej të ishte pyetja thelbësore e të përgjegjshmëve në shoqëri në të gjitha nivelet, jo aq për mysafirët sa për të mirën e vet banorëve shqiptarë dhe popullit të tij. Do të jemi zotshtëpie i mirë nëse shumica e qytetarëve tanë të jenë të formuar në identitetin, kulturën, humanitetin e tyre dhe çiltërinë e tyre për takimin me të tjerët dhe më të ndryshmit. Kjo do të thotë, kur të jemi të vetëdijshëm për velrat vetiake, përparësitë dhe kufijtë e vetvetes.

Nëse e lëshojmë rastin që të zhvillohemi e të bëhemi zotshtëpie të vërtetë, na kanoset rreziku i madh që të shkrihemi në procese bashkëkohore globalizuese që mund t`i fshijnë, si identitetet veç e veç, po ashtu edhe popuj të tërë dhe kulturat e tyre, kurse të huajt do ta marrin fjalën kryesore, jo vetëm në një lëmi…

Lajmet ditore na paraqesin fotografi që tregojnë një njerëzim të lodhur dhe të ngarkuar. Sa herë shikojmë padrejtësi, luftëra, katastrofa, kriminalitete, skamje… Me popuj të tërë jetojnë në mjerim: mungesa e ushqimit, kurrfarë sigurie, puna e rëndë, vuajtja… Mirëpo, edhe ata që materialisht janë mirë të siguruar mund të jenë, dhe shpesh edhe janë, të lodhur nga jeta. Kompleksiteti i jetës në shoqëritë moderne shkaktojnë ngarkesa psikike, vuajtje të brendshme, pasiguri, pakuptim, sëmundje, ndjenja frike, mosmarrëveshje, vetmi. Asnjë njeri nuk është i privuar nga lodhja dhe ngarkesa. Për këtë arsye edhe Jezusi na thërret të gjithëve pa dallim: “Ejani tek unë të gjithë ju që jeni të lodhur prej barrës së rënd e unë do t`ju çlodh.” Kjo shpresë se nuk jemi të lënë të vetmuar bëhet burim i fuqisë dhe optimizmit të jetës, që na ruan nga dëshpërimi. Fjalët e Jezu Krishtit, por mbi të gjitha jeta e tij, na tregojnë vazhdimisht se si ta tejkalojmë lodhjen, ngarkesën, të keqen.

Puna dhe pushimi, përgjegjësia në rrugë – në ngasjen e veturës, dhe në çdo rrethanë tjetër të jetës, e kanë një qëllim: ta humanizojnë njeriun, të cilit i kanoset dehumanizimi dhe t`i kthehet ai dinjitet burimor, me të cilin e ka pajisur Zoti me krijimin e tij – duke e krijuar edhe për punë edhe për pushim.

Po e përmbyll këtë reflektim me një poezi të bukur të Phil Bosmans, duke uruar që këto ditë të përjetoni pushim të vërtetë.   

Pshimi!

Është lumturi

më afër se që mendon.

Pushimi. Ecje nëpër vetvete!

Kërkoje heshtjen. Gjeje paqen.

Këtu banon gëzimi

që është humbur nga zhurma e madhe.

 

Lumturia jote nuk është larg.

Për lumturinë nuk të nevojiten udhëtime të gjata.

Nëse s`e gjen në vetvete,

askund s`do ta gjesh.

 

Vjerri retë e tua të shiut

që të teren në diell.

 

Dielli nuk bën kurrfarë dallimesh.

Për të çdonjëri është simpatik.

Ku dielli i zemrës shkëlqen,

për çdo njeri ia vlen angazhimi.

 

O Zot, më jep pak diell,

dhe buzëqeshje për këtë ditë.

Falmi sytë e fëmijës.

O Zot, më jep pakëz gëzim.

Phil Bosmans

Shpërndaje

Comments are closed.

« »