Mëshira “skandaloze”

Jul 15 • Meditimi i ditës

15 korrik 2016 – E premte, Shën Bonaventura, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

(Leximet e ditës: Is 38,1-6.21-22.7-8; Ps: Is 38,10-12.16; Mt 12,1-8)

 

Prania e Hyjit

Ndalem një moment
dhe e marr me mend dashurinë dhe hirin që Zoti e derdh mbi mua,

se si më krijon në shëmbëlltyrën dhe përngjasimin e vet, se si më bën tempull të tijin…

 

Liria

Pak janë ata njerëz që e kuptojnë
ç`do të mund të bënte Hyji me ta
po t`i dorëzoheshin në duart e tija
dhe po t`i lejonin t`i formojë hiri i tij. (shën Injaci)
Lus për hirin e dorëzimit tim të plotë në dashurinë e Hyjit.

 

Ndërgjegjësimi

Jetoj në një rrjetë të gërshetuar me shumë marrëdhënie, raporte,

në lidhje me natyrën, me njerëz, me Hyjin.
I lejoj vetes t`i ndiej këto marrëdhënie dhe falënderoj për jetën që rrjedh përmes tyre.
Disa prej këtyre marrëdhënieve janë shtrembëruar, disa janë dëmtuar, disa janë këputur:
për këtë arsye ndoshta ndihem i/e hidhëruar, i/e zemëruar, i/e zhgënjyer.
Lus për dhuratën të mund të pranoj dhe të fal.

 

Fjala

Do t`i jap vetes kohë që ta lexoj Fjalën e Hyjit ngadalë, disa herë,

dhe do të ndalem në atë fjalë ose ngjarje që më prek, që më flet pikërisht për mua.

 

Mt 12, 1-8

 

1 Në atë kohë ‑ një të shtunë ‑ Jezusi kaloi nëpër të mbjella. Nxënësit e tij të uritur, filluan të këpusin kallinj e të hanë. 2 Kur i panë farisenjtë, i thanë:

“Ja, nxënësit e tu po bëjnë çka s’është e lejueshme të bëhet të shtunën!”

3 Jezusi u përgjigj:

“Vallë a nuk keni lexuar ç’bëri Davidi kur u urit ai dhe shoqëruesit e tij? 4 Si hyri në Shtëpinë e Hyjit dhe i hëngrën bukët e kushtuara, që nuk ishte e lejueshme t’i hante as ai as shoqëruesit e tij, por vetëm priftërinjtë? 5 Apo nuk keni lexuar në Ligj se priftërinjtë e prishin të shtunën në Tempull në ditë të shtuna e nuk bëjnë mëkat? 6 E unë po ju them: është këtu diç më e madhe se Tempulli! 7 Ta kishit kuptuar se ç’do të thotë fjala: ‘Dua mëshirën e jo flinë’, nuk i kishit dënuar këta njerëz që s’po bëjnë faj. 8 Biri i njeriut është me të vërtetë i zoti i të shtunës!”

 

Ç` dëshiron të më thuash, Zotëri?

Disa mendime mbi pjesën e leximit të sotshëm të Shkrimit Shenjt:

 

  • Jezusi tregon mirëkuptim dhe dhembshuri për nxënësit e vet, të cilët janë të uritur në ditën e Shabatit – të shtunën. Thotë se një reagim i mëshirshëm përballë nevojave njerëzore është më i rëndësishëm se sa respektimi skllavërues i të shtunës. “Për të vërtetë po ju them: çkado bëtë për njërin ndër këta vëllezërit e mi më të vegjël, e bëtë për mua.“ (Mt 25,40)
    • Për Jezusin të praktikuarit e mëshirës dhe dhembshurisë, sidomos ndaj `fajtorëve` dhe nevojtarëve, është shumë më e rëndësishme sesa kushtimi i flive në tempull dhe ritualet boshe.
    • O Zot, më liro nga skllavëria e ligjit dhe më ndihmo që ta përjetoj “lirinë e lavdisë së bijve të Hyjit.” (Romakëve 8,21)

 

Bashkëbisedimi

Jezus i dashur, po ta hapi zemrën.

Mund të të them gjithçka më mundon.

E di që kujdesesh për gjithçka i përket jetës sime.

Më mëso që të jetoj në dijeni se ti përkujdesesh sot për mua,

se do të përkujdesesh edhe të gjitha ditët e jetës sime.

 

Përmbyllja

Të falënderoj, o Zot, për çdo nxitje që ma dhurove gjatë kësaj kohe sa luta mbi tekstin e Shkrimit Shenjt.

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt
Si ka qenë në fillim, ashtu tash
e përgjithmonë e jetës. Amen.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »