Takimi me të (pa)njohurën – Zotin

Jul 16 • LEXIMET E SË DIELËS

 

E diela XVI  gjatë vitit (C)

Leximi i parë Zan 18, 1-10

Imzot, mos kalo pa hyrë te shërbëtori yt

Lexim prej Librit të Zanafillës

Në atë kohë, Zoti ju duk Abrahamit te Qerret e Mambres, ndërsa po rrinte në derë të tendës. Ishte pika e zhegut. Si i çoi sytë përpjetë, i pa tre burra në këmbë pranë tij. Si i shikoi, vrapoi t’u dal para prej derës së tendës dhe u përkul në nderim e tha: “Imzot, nëse kam ndonjë farë rëndësie para syve të tu, mos kalo pa hyrë te shërbëtori yt. Do t’ju sillet pak ujë dhe lani këmbët tuaja e pushoni nën hije të tendës. Po ju sjell një kafshore bukë që ta merrni vetën para se të vazhdoni udhën. Po ju po i bini kah dera e shërbëtorit tuaj!” Ata i thanë: “Bëj, pra, si the!”

Abrahami shpejtoi në tendë te Sara e i tha: “Shpejto e përziej masë të miellit më të mirë dha na i bëj do kuleç”. Ai vetë vrapoi në vathë dhe prej andej e nxori një viç të ri e të majmë dhe ia dha shërbëtorit. Ai e përgatiti me të shenjtë. Mori edhe mazë, qumësht dhe viçin që e kishte pjekur dhe ua shtroi përpara, ndërsa ai vetë, derisa ata hanin, rrinte pranë tyre në këmbë nën lëndë. Ata i thanë: “Ku është Sara, gruaja jote?” Ai përgjegji: “Qe, është në tendë!” Ai i tha: “Do të kthehem dhe do të vij te ti po në këtë kohë, dhe Sara, gruaja jote, do të ketë një djalë”.

Fjala e Zotit

PSALMI 15 (14)

Ref: Ata që e kanë zemrën e pastër, do të banojnë në shtëpinë e Zotit

————————————————————————————

O Zot, e kush do të guxojë të hyjë në tendën tënde?

Kush do të guxojë të banojë në malin tënd të shenjtë?

Vetëm ai që jeton me nder,

që vepron me drejtësi

e prej zemrës flet të vërtetën,

———————————————-

Që s’i shpifet kujt me fjalë,

që të afërmin s’e dëmton,

që shokun nuk e çnderon:

ai që keqbërësin e mban për asgjë

e i çmon ata që e druajnë Zotin.

 ———————————————–

Nuk jep të holla me kamatë

e nuk merr ryshfet kundër të pafajshmit.

Kush vepron kështu

kurrë e për këtë jetë nuk do të luhatet.

Leximi i dytë Kol 1, 24-28

Misterin e mbajtur fshehur gjatë shekujsh dhe breznish tani ua zbuloi shenjtërve të vet.

 

Lexim prej Letrës së Shën Palit apostull drejtuar Kolosianëve

Vëllezër,  tani vetë u gëzohem vuajtjeve të mia për të mirën tuaj dhe plotësoj në trupin tim çka u mungon mundimeve të Krishtit për Trupin e tij ‑ Kishën. U bëra mbarështues i Saj në fuqi të misionit që Hyji më caktoi për të mirën tuaj që ta bëj të njohur njëherë e përgjithmonë Fjalën e Hyjit: ‑ Misterin e mbajtur fshehur gjatë shekujsh dhe breznish, të cilin tani ua zbuloi shenjtërve të tij. Këtyre Hyji deshi t’ua bëjë të njohur lavdinë e begatshme të këtij Misteri në paganë: domethënë : Krishti është ndër ju, shpresa e lavdisë! Ne kumtojmë Atë. Qortojmë çdo njeri dhe mësojmë gjithkënd me çdo njohuri për të bërë që gjithkush të arrijë përsosmërinë në Krishtin.

Fjala e Zotit

Aleluja!

Fjala e jote, o Zot, është e vërtetë,

Na shenjtëro në të vërtetën.

Aleluja!

Ungjilli Lk 10, 38-42

Marta e priti në shtëpi. Mari zgjodhi pjesën më të mirën.

Lexim i Ungjillit të shenjtë sipas Lukës

Në atë kohë, Jezusi hyri në një fshat dhe një grua, me emrin Martë, e priti në shtëpi. Ajo kishte një motër që quhej Mari. Kjo iu ul Zotërisë te këmbët dhe dëgjonte fjalën e tij. Marta, e zënë krejtësisht me punët e shërbimit të pritjes, iu afrua e i tha: “Zotëri, a nuk po të duket rëndë që motra ime më la krejt vetëm të shërbej? Thuaji, pra, të më ndihmojë!”

“Martë, Martë ‑ iu përgjigj Zotëria ‑ ti po brengosesh dhe po shqetësohesh për shumë gjëra, e pra, e nevojshme është vetëm një. Vërtet, Maria zgjodhi pjesën më të mirën që nuk do t’i merret.”

Fjala e Zotit

POROSIA

Takimi me Zotin gjithmonë e pasuron njeriun, në të vërtetë ai e shpëton njeriun: bën që njeriu ta njohë vetveten, Hyjin dhe të afërmin. Takimi me Zotin në bashkim me të tjerët edhe më shumë na pasuron. Një bashkësi e tillë bëhet miqësore, të cilën secili e njeh gjithnjë e më shumë dhe i pëlqen të kthehet në të. Në shkollë duhet shkuar, por në Kishë kemi ardhur ne që këtë e dëshirojmë dhe duam ta bëjmë. Nëse jetojmë në një rrethinë ku njerëzit janë të ftohtë për fenë, do të ftohet edhe feja jonë. Vështirë është të jesh i vetëm! Është e pamundur të qëndrosh i krishterë vetëm! Nëse jemi të bashkuar, do të jemi më të fortë, entuziazmi ynë do të rritet, besimi i krishterë i njërit do ta ngrohë tjetrin.

Për këtë arsye jemi edhe jashtë takimeve tona miq, lidhemi dhe i ndihmojmë njëri-tjetrit.

Në pranverë çdo bimë vetë ia çel rrugën diellit nëpër tokë, nëpër fletët e vjetra të thara; mbin, rritet, qet syth, lulëzon… Çdo zog e çan me sqep mbështjellësen e vezës dhe del jashtë, vetë mësohet të ecë, të fluturojë, ta pushtojë botën dhe në të e gjen vendin e vet… Mirëpo, bimës i duhet dielli, kurse zogut nëna-shpendi! Kështu edhe ne mblidhemi rreth Jezusit dhe në dritën e tij i zgjidhim pyetjet e jetës – mësohemi të ecim si duhet në këtë jetë, bëhemi njerëz/të krishterë të pjekur.

Cila është dobia e të gjitha takimeve tona vëllazërore? Dobia do të jetë pse secili prej nesh personalisht e fiton në brendësinë e vet bindjen e jetës, e fiton shikimin në botë – e formon botëkuptimin. Ajo që do ta përjetoni në bisedimin e sinqertë me Jezu Krishtin dhe me Nënën e tij do të vendosë për jetën tuaj. Ajo që do ta përjetoni në bashkësinë e të krishterëve, vetëdija se së bashku me të tjerët besoni, luteni dhe e kërkoni Zotin, ky është përjetimi i Kishës… Shtrohet pyetja, a është e mjaftueshme për të krishterët që të mendojnë, të lusin, të krijojnë bashkësinë? A nuk ishte dashur që së bashku të veprojnë! Gjithsesi! Mirëpo bindjen e tyre ta shndërrojnë edhe në vetedukim. Që të mund të ndërtojmë lartë duhet të rrëmihim thellë.

Me shembullin e Martës dhe Marisë në ungjill, Jezu Krishti na mëson si të jenë të pranishme në jetën tonë veprimi i Martës, por edhe veprimi që rrjedh nga dëgjimi i Zotit, siç bëri Maria. Duhet ta njohim vetveten në takim me Jezu Krishtin që të ketë efektin e dëshirueshëm veprimi ynë. Të jemi “soditës në veprim”, pat thënë Shën Injaci.

Njerëzit e pushtojnë botën e jashtme, gjithësinë e madhe, natyrën rreth vetes, botën e imtë atomike, mirëpo vetveten sa e njohim?! Ne i dimë largësitë e planetëve prej Tokës dhe Diellit dhe rrotullimet e tyre, i masim me të mijë-qindtat e sekondave procese të ndryshme atomike, mirëpo njeriu ka mbetur i panjohur. Shpesh herë edhe për ekspertët më të mëdhenj njeriu mbetet i panjohur – veçanërisht bota e tij shpirtërore. E çka është për jetën e njeriut më e rëndësishme, njohja e largësisë së hënës prej diellit apo njohja e brendësisë së tij personale.

Secili prej nesh ka diçka që është e njohur për gjithë të tjerët: emri dhe mbiemri, vendi i lindjes, prindërit. Ka diçka që për mua e dinë vetëm disa persona: e dua këtë muzikë, atë sport, këtë literaturë… Ekziston diçka që e di vetëm unë: nuk e dua këtë gjë apo atë gjë… Por ka edhe gjëra që as vetë nuk i di për veten time.

Çfarë jam përbrenda? Çfarë karakteri kam? Kam veti të mira, por më hedhin edhe dobësi të ndryshme? Cilat janë kryesoret? Me të vërtetë duhet ta njohim vetveten! Njeriu për vetveten është një mister i madh. Por ta njohësh vetveten është një gjë shumë e dobishme. Pa njohjen e vetvetes është e pamundur ta pushtosh veten, ta edukosh, ta bësh veten të lumtur, të bëhesh i krishterë i vërtetë.

Kur e shikon llojllojshmërinë e njerëzve me temperamente, do ta ndjesh se sa artist i madh është Zoti. Në botë i ka krijuar aq shumë qenie, aq shumë njerëz, por asnjëri prej tyre nuk është si tjetri. Një shumicë e madhe llojllojshmërie! Secili e ka zërin e posaçëm, secili shenjat e posaçme të dorës… por mbi të gjitha secili e ka një jetë të begatshme të brendshme. Këtu e shohim se si Zoti secilit i afrohet personalisht duke e respektuar secilin në veçanti, dhe secilit i drejtohet duke e pasur para sysh edhe të kaluarën e tij.

Çdo takim i njeriut me Zotin është miqësi personale. Hyji dëshiron me mua, ashtu siç jam sipas Dorës së Tij krijuese, të flasë (në uratë), të hyjë në jetën time (në sakramente), të më bëjë të lumtur, të më bëjë birin/bijën e tij dhe të më shpie tek vetja – në parajsë. Nuk jam i humbur në masën e besimtarëve, unë jam personalisht miku intim i Zotit.

Sado që të jemi të ndryshëm, të gjithë duhet ta shenjtërojmë vetveten, ta bëjmë më bujar, të bëhemi bijtë dhe bijat e Zotit. Të gjithë, por secili sipas temperamentit të vet. Çdo njeri i madh dhe çdo shenjt është në mënyrën e vet i mirë dhe i madh. Për këtë arsye guxojmë të themi se shenjtërit duhet t`i ndjekim deri diku. Duhet të bëhesh “i krishterë” disi në mënyrën tënde. (Mos imito të tjerët vetëm pse duhet imituar!) – Në uratë duhet ta gjesh mënyrën tënde që i përshtatet zhvillimit, rritjes, personalitetit tënd.

Tokën që duhet pushtuar duhet më parë ta njohësh. Për këtë arsye luftëtarët i kanë hartat e sakta! Konkurruesit nëpër lojëra dëshirojnë më parë ta njohin më mirë automobilin, kalin, motorin, terrenin ku garojnë… Edhe ti mundesh ta zotërosh vetveten vetëm nëse më parë e njeh vetveten.

Në jetë ka shumë tundime, ngashënjime. Kush nuk e njeh vetveten, vetitë e tija të mira e të këqija, do të kalojë keq. Kush shikon dobët, do të bie në kurth.

Shpesh herë ndoshta nuk i kupton njerëzit e tjerë, nervozohesh pse nuk po të kuptojnë, të gjykojnë gabimisht, thjesht nuk të marrin vesh etj. Çeli sytë dhe njihe temperamentin e njerëzve rreth vetes sate.

Jezusi e ka njohur secilin në veçanti – sipas karakterit të tyre. Në ungjill dëgjojmë se si është takuar me dy motrat. Edhe pse Marta iu ankua Jezu Krishtit, dhe do të thoshim me të drejtë, Jezu Krishti shikon më shumë se që ajo që shfaqet. Ai e njeh personin e Marisë dhe e di se asaj i duhet takimi dhe dëgjimi i Fjalëve të tija. Më vonë te varri i vëllait Lazrit Marta do ta pranojë me besim se Jezu Krishti është Rruga, e Vërteta dhe Jeta.

Kështu Jezusi e përcjell secilin duke e shoqëruar në hapat që i përshtaten personit. Ta pyesim veten: a jam i/e lumtur? A ankohem vazhdimisht pa u munduar që ta njoh temperamentin e tjetrit. Çka më pengon dhe nuk më lejon që të shkoj pas Jezusit.

Nëse shikojmë rreth vetes shohim se edhe në jetën tonë ndodh që të tjerët të na bindin se të tjerët duhet të ndryshohen. Edhe ne biem në kurthin e tundimit që të bëhemi robër të pritshmërive të të tjerëve. Duke u munduar ta ndryshojmë tjetrin na kalon jeta në zemërime, hidhërime, zhgënjime. Në fund bëhemi edhe vetë ajo që e shohim te të tjerët dhe bëhemi të palumtur. Në vend të jetës në komunikim, në plotësi, shpesh herë e zgjedhim jetën plot frustrime, ankthe, ankime, pasiguri… që i sjellin sendet e kalueshme të kësaj bote nëse nuk dimë mirë t`i përdorim.

A nuk është e vërtetë se edhe ne çdo herë kur ndoshta jemi xhelozë, a thua nuk ndodh kjo pse jemi të lidhur për diçka. Dhe gati i tërë zemërimi, nervozizmi vjen nga e vërteta se jemi lidhur për diçka të kësaj bote – e mbajmë atë shtrëngueshëm, sepse ndërtojmë mbi të duke menduar se ajo është siguria e vërtetë. Duke e kufizuar vetveten i qesim vetvetes barrë që s`mund t`i mbartim. Kështu e mashtrojmë vetveten dhe mendojmë se jemi në rrugën e lumturisë. Mirëpo, realiteti e tregon krejt të kundërtën.

Duhet ta kuptojmë se ajo për çka jemi lidhur, në fakt jemi bërë të varur, nuk është reale dhe nuk ta sjell lumturinë. Ajo është mendimi ynë në kokën tonë. Në këtë kuptim ka thënë një shkrimtar: I pasuri nuk mund të hyjë në mbretërinë e gëzimit jo pse dëshiron të jetë i keq, por për shkak se e zgjedh të jetë i verbër.

Farisenjve të kohës së Jezusit u kalonte koha në zbatimet e cakërrimeve të ligjit. Për këtë arsye ishin pothuajse vazhdimisht të mërrolur dhe të gatshëm për të kritikuar vend e pa vend. Gjithmonë ka njerëz xhelozë dhe të pakënaqur të cilët nuk e pranojnë se tjetri mund të përmirësohet dhe të kthehet.

Ta falënderojmë Zotin që sillet më ndryshe se ne njerëzit, që nuk i shikon njerëzit nëpërmjet etiketimeve dhe nuk u ngjet njerëzve gjëra të paqena. Le të na ndihmojë që ta pranojmë shërimin e tij nëpërmjet fjalës dhe pranisë së tij. Ai na liroftë prej çdo varësie që të jetojmë një jetë të plotë – në lirinë e bijve të Hyjit. Me të mund t`ia filloj gjithmonë një jetë të re. Amen.

 

LUTJET E BESIMTARËVE

Zot i mirë, ti i di dëshirat dhe nevojat e njerëzve. Ty po t`i dretojmë lutjet tona duke thënë:

Dëgjoje, o Zot, lutjen tonë!

  1. Për të gjithë fëmijët dhe të rinjtë që e kanë kryer vitin shkollor dhe tani janë në pushime. Mbroji dhe shoqëroji në të gjitha rrugët dhe përpjekjet e tyre,të lutemi.
  2. Për të gjithë ata që janë duke i shijuar apo planifikuar pushimet e tyre verore. Bëj që të pushojnë dhe të mbledhin përvoja që e pasurojnë jetën e tyre,të lutemi.
  3. Për të gjithë ata që nuk e kanë mundësinë të bëjnë pushime verore. Mos lejo që të shtypen nga pesha e jetës,të lutemi.
  4. Për të gjithë ata që ndodhen rrugëve si refugjatë. Bëj që të arrijnë në destinacione, vende ku mund të jetojnë një jetë të denjë,të lutemi.
  5. Për të gjithë ata që i kanë arritur qëllimet e tyre të jetës. Bëj që në takimin me ty të gjejnë plotësinë,të lutemi.

O Zot dhe Atë i mirë, kur e dimë se je i pranishëm në jetën tonë kjo na jep paqen dhe sigurinë, të falënderojmë për këtë dhe të lutemi, dëgjoji këto lutje që t`i drejtuam, nëpër Krishtin Zotin tonë. Amen.

Përgatiti: P. Shtjefën Dodes SJ

 

Shpërndaje

Comments are closed.

« »