Soditës në veprim

Jul 17 • Meditimi i ditës

17 korrik 2016 – E diela 16-të gjatë vitit `C`, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

 

(Leximet e ditës: Zan 18,1-10a; Ps 14; Kol 1,24-28; Lk 10,38-42)

 

Prania e Hyjit

“Ejani tek unë të gjithë ju që jeni të lodhur prej barrës së rënd dhe unë do t`ju çlodh“.

Ja ku jam, o Zot.

Kam ardhur ta kërkoj praninë tënde.

Me mallëngjim e dëshiroj fuqinë tënde që shëron.

Liria

E lus Hyjin që të më ndihmojë

që të lirohem nga mërzitë dhe brengat e mia,

që t`i hapem nëpërmjet kësaj kohe të lutjes,

në mënyrë që ta dua dhe t`i shërbej edhe më shumë.

Ndërgjegjësimi

Duke iu kthyer detyrave të mia të përditshme,

më përkujto, o Zot,

se je gjithmonë pranë meje.

Kurrë s`duhet të dëshpërohem.

Fjala

Në gjendjen momentale të shpirtit koncentrohu në tekstin e sotshëm me besim.

Beso se Shpirti Shenjt është i pranishëm

dhe që ai mundet të të frymëzojë për ta zbuluar çfarë po të flet ky tekst i sotshëm.

Lexo me vëmendje dhe me kuptim; përgjo çfarë po ndodhë në zemrën tënde.

Lk 10, 38-42

38 Tashti, gjatë udhëtimit, hyri në një fshat dhe një grua, me emrin Martë, e priti në shtëpi. 39 Ajo kishte një motër që quhej Mari. Kjo iu ul Zotërisë te këmbët dhe dëgjonte fjalën e tij. 40 Marta, e zënë krejtësisht me punët e shërbimit të pritjes, iu afrua e i tha: “Zotëri, a nuk po të duket rëndë që motra ime më la krejt vetëm të shërbej? Thuaji, pra, të më ndihmojë!”41 “Martë, Martë ‑ iu përgjigj Zotëria ‑ ti po brengosesh dhe po shqetësohesh për shumë gjëra, e pra, 42 e nevojshme është vetëm një. Vërtet, Maria zgjodhi pjesën më të mirën që nuk do t’i merret.”

 

Ç` dëshiron të më thuash, Zotëri?

Disa mendime mbi pasazhin e sotshëm të Shkrimit Shenjt:

 

  • Në këtë episod, Jezusi përsëri vepron në kundërshtim me praktikat e pranueshme hebraike. Ndodhet në shtëpinë e dy grave që ndoshta nuk bëjnë pjesë në farefisin e tij, nuk janë të afërmit e tij. Për më tepër, ai i mëson ato. Jezusi përdor çdo mundësi, pa marrë para sysh se a ndodhet përballë masave publike a njerëzve të shtëpisë, për të folur për Mbretërinë e Hyjit – Mbretërinë  “e drejtësisë dhe paqes, gëzimit në Shpirtin Shenjt.” (Rom 14,17)
  • Të dy dimensionet e jetës së krishterë, ai aktiv dhe soditës/kundrues, janë të rëndësishme. Por kjo ngjarje tregon se dëgjimi i Jezusit ka rëndësi primare. Si një dishepulle e vërtetë, Maria e dallon që Jezusi mund t`i ofrojë asaj shumë më tepër në aspektin e ushqimit shpirtëror sesa ajo apo Marta mund t`i ofrojnë atij.
  • O Zot Jezus, më ndihmo që të mos jem “i/e brengosur dhe i/e shqetësuar për shumë gjëra”, por që të harxhoj më shumë kohë duke dëgjuar fjalën tënde. Bëj që të jem besnik/e ndaj “Momentit të Shenjtë”, lutjes së përditshme, që është një zgjidhje “e pjesës më të mirë”.

 

 

Bashkëbisedimi

Ç` ndodhë në mua kur lus?

A jam i/e ngushëlluar, i/e shqetësuar, apo indiferent/e?

E paramendoj Jezusin ndenjur apo ulur pranë meje

dhe i tregoj për gjithçka që jam duke ndier.

Përmbyllja

Të falënderoj, o Zot, për çdo nxitje që ma dhurove gjatë kësaj kohe sa luta mbi tekstin e Shkrimit Shenjt.

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt
Si ka qenë në fillim, ashtu tash 
e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Shpërndaje

Comments are closed.

« »