Ngjarjet dhe raportet me njerëz, shenjat e Zotit

Jul 18 • Meditimi i ditës

18 korrik 2016 – E hënë, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

(Leximet e ditës: Mik 6,1-4.6-8; Ps 49; Mt 12,38-42)

 

Prania e Hyjit

Në heshtjen e qenies sime më intime,
në fragmentet e unitetit tim të dëshiruar me afsh,
a mund ta ndjej pëshpëritjen e pranisë së Hyjit?
A mund të më kujtohet kur e kam ndjerë afërsinë e Hyjit;
kur kemi ecur bashkë, duke i lejuar që të jem i përqafuar nga dashuria e Hyjit?

 

Liria

Lehtë është të biesh në kurthin e pasurisë së kësaj bote.

Më jep hirin, o Zot, që të mund të jem i/e lirë nga lakmia dhe egoizmi.

Ma përkujto se gjërat më të mira në jetë janë falë – gratis.

Dashuria, buzëqeshja, përkujdesja dhe bashkimi.

 

Ndërgjegjësimi

Duke e ditur që Hyji më do pa kushte,

Mund t`i lejoj vetes që të jem i sinqertë në atë çfarë jam.

Si kaloi dita? Si po e ndjej veten në këtë moment?

Krejt hapur, do t`i ndaj ndjenjat e mia me Hyjin.

 

Fjala

Tani e lexoj pjesën e leximit të Shkrimit Shenjt që është parashikuar për sot.

Lexoj pa u ngutur

dhe vërej fjalinë apo ngjarjen që më flet diçka.

 

Mt 12,38-42

 

38 Një herë disa skribë e disa farisenj morën fjalën e i thanë:

“Mësues, prej teje duam të shohim një shenjë.”

39 Ai u përgjigj:

“Breznia e prapë dhe lavire shenjë kërkon! Shenjë tjetër s’do t’i jepet përveç shenjës së Jonës profet! 40 Sikurse Jona qe në barkun e përbindëshit të detit tri ditë e tri net, ashtu edhe Biri i njeriut do të jetë në zemrën e tokës tri ditë e tri net. 41 Njerëzit e Ninivës do të ngrihen Ditën e Gjyqit bashkë me këtë brezni dhe do ta dënojnë, sepse ata u kthyen në predikimin e Jonës. E ja, këtu diç më shumë se Jona! 42 Mbretëresha e Jugut do të ngritet Ditën e Gjyqit bashkë me këtë brezni dhe do ta dënojë, sepse ajo erdhi nga skaji i botës për të dëgjuar urtinë e Salomonit, dhe ja, diç këtu më shumë se Salomoni!”

 

Ç`dëshiron të më thuash, Zotëri?

Disa mendime mbi pjesën e leximit të sotshëm të Shkrimit Shenjt:

 

  • Duket që nganjëherë është e dëshirueshme që Zoti të na japë shenja, madje është edhe racionale të priten ato. Jezusi ma përkujton që nëse i dëshiroj shenjat ndoshta jam duke shikuar në drejtim të gabuar. Do të lus që të bëhem i/e aftë të shoh dhe ta vlerësoj ku është Zoti tashmë në veprim, në ngjarje dhe raporte ndërnjerëzore në jetën time.
  • Koha e lutjes mund ta ushtrojë syrin e zemrës sime që ta njohë Zotin në veprim në jetën time.
  • Nëse bëhem më i/e afërt me Zotin dhe kam besim në shpirtin e tij aq më pak do të kem nevojë për prova dhe jam i/e aftë të mbështetem në atë çka tashmë e kam mësuar. Zoti ka besim në mua kurse unë duhet të mësoj të kem besim në shpirtin e Zotit që është në mua.

 

Bashkëbisedimi

O Zot i dashur, ji pranë meje gjithmonë.

Ma jep një zemër e cila gjithmonë do të të besojë.

Faleminderit që më do.

 

Përmbyllja

Të falënderoj, o Zot, për çdo nxitje që ma dhurove gjatë kësaj kohe sa luta mbi tekstin e Shkrimit Shenjt.

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt
Si ka qenë në fillim, ashtu tash
e përgjithmonë e jetës. Amen.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »