Papa Françesku jep një videomesazh për DBR-në në Krakov – Poloni

Jul 19 • Bota e të rinjve

Nga 27 korriku, Papa Françesku do të shkojë në Poloni, në udhëtimin e tij të 15-të apostolik ndërkombëtar, për të marrë pjesë në DBR-në e Krakovit. Sipas organizatorëve, numri i të rinjve që janë regjistruar në këtë Ditë ka arritur 600 mijëshin. Ndër ta do të ketë edhe të rinj shqiptarë. Sot, Ati i Shenjtë u dërgoi të rinjve të mbledhur në Krakov një videomesazh. Ja teksti i plotë:

 

Të dashur vëllezër e motra,
tashmë, është afër Dita e 31-të Botërore e Rinisë, që më fton të takohem me të rinjtë e botës, mbledhur në Krakov, e më jep edhe rastin e gëzueshëm për t’u takuar me kombin e dashur polak. Gjithçka do të bëhet nën shenjën e Mëshirës, në këtë Vit Jubilar, e të kujtimit plot falënderim e devocion për Shën Gjon Palin II, i cili ka qenë themeluesi i Ditëve Botërore të Rinisë dhe udhërrëfyesi i popullit polak, në rrugën e tij historike drejt lirisë.
Të dashur të rinj polakë, e di se prej kohësh po përgatisni, sidomos me lutje, takimin e madh të Krakovit. Ju falënderoj nga zemra për gjithçka bëni e për dashurinë me të cilën e bëni; që tani ju përqafoj e ju bekoj.
Të dashur të rinj nga çdo anë e Evropës, Afrikës, Amerikës, Azisë dhe Oqeanisë! Bekoj edhe vendet tuaja, dëshirat tuaja dhe hapat tuaj drejt Krakovit, që të jenë shtegtim feje e vëllazërimi. Zoti ynë Jezu Krishti ju dhashtë hirin për ta provuar në vetvete këtë fjalë të Tij: “Lum të mëshirshmit, sepse do të gjejnë mëshirë” (Mt 5,7).
Kam dëshirë të madhe t’ju takoj, për t’i ofruar botës një shenjë të re harmonie, një mozaik fytyrash të ndryshme, prej shumë racave, gjuhëve, popujve e kulturave, por të gjitha të bashkuara në emër të Jezusit, që është Fytyra e Mëshirës.
E tani, ju drejtohem juve, të dashur bij e bija të kombit polak! Ndjej se është dhuratë e madhe e Zotit që po vij mes jush, sepse jeni një popull, që në historinë e vet, ka kaluar shumë sprova, disa shumë të rënda, por ka ecur përpara me forcën e fesë, mbajtur nga dora amnore e Virgjërës Mari. Jam i sigurtë se shtegtimi në Shenjtëroren e Częstochowa-s do të jetë për mua kredhje në këtë fe të sprovuar, që do të më bëjë shumë mirë. Ju falënderoj për lutjet me të cilat po përgatisni vizitën time. Falënderoj ipeshkvijtë dhe meshtarët, rregulltarët e rregulltaret, besimtarët laikë, sidomos familjet, të cilave u dërgoj idealisht Nxitjen Apostolike pas-sinodale ‘Amoris laetitia’. ‘Shëndeti’ moral e shpirtëror i një kombi shihet nga familjet: prandaj Shën Gjon Pali II i kishte shumë për zemër të fejuarit, çiftet e reja dhe familjet. Vijoni në këtë rrugë!
Të dashur vëllezër e motra, jua dërgoj këtë mesazh si peng të dashurisë sime. Të qëndrojmë të bashkuar në lutje. E mirupafshim në Poloni!

Përkthimi nga www.radiovaticana.va

 

Shpërndaje

Comments are closed.

« »