Të vërtetën nuk e përcakton shumica

Jul 20 • Meditimi i ditës

20 korrik 2016 – E mërkure, Shën Elia, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

 

Prania e Hyjit

Gjëja që përpiqem të bëj këtu është që ta lë kohën më një anë
dhe të përqendrohem në jetën time, atë fizike – në kohë, dhe atë shpirtërore.
Provoj ta paramendoj Jezusin ulur pranë meje
dhe bisedoj me të mbi të gjitha çfarë është duke më ndodhur në jetë.
Provoj ta marr vesh që në mundësi të panumërta
Jezusi hyn në rrethanat e përditshme të jetës sime.
E pra, jeta kalon shpejt dhe shumë gjëra ndodhin.
Ngarkesa dhe obligime të ndryshme shpesh herë e shmangin këtë vetëdije për praninë e Hyjit në jetën time të përditshme. Jam i vetëdijshëm për këtë, dhe dëshiroj të bëjë diçka.
Sa për tash, provoj të qëndroj i qetë dhe i hapur ndaj asaj çfarë prania e Tij dëshiron të më thotë.

 

Liria

Do të provoj që së paku shkurt t`i harroj të gjitha brengat dhe problemet

që ndoshta më mundojnë në këtë moment.

Të gjitha brengat e mia i vendos në duart e Zotit – së paku disa minuta deri sa të zgjatë kjo lutje.

 

Ndërgjegjësimi

Në këtë moment, o Zot, po i drejtoj mendimet e mia kah Ti.

Do t`i lë mënjanë punët dhe preokupimet e mia.

Do të pushoj dhe rifreskohem në praninë tënde, o Zot.

 

Fjala

Hyji na dëfton veten e vet me anë të shkrimeve të shenjta.
Lexoje tekstin nga Ungjilli i sotëm disa herë
dhe lejoji vëmendjes tënde të pushojë në disa pjesë të tij.

 

Mt 13,1-9

 

1 Atë ditë Jezusi doli prej shtëpisë dhe u ul të rrijë buzë detit. 2 Një turmë e madhe populli ngarendi tek ai kështu që hipi në barkë e u ul ndenjur, kurse mbarë populli zuri vend në breg.

3 U foli për shumë gjëra në shëmbëlltyra.

Kështu u tha:

4 “Doli mbjellësi për të mbjellë. Ndërsa po mbillte, disa kokrra ranë pranë udhës, erdhën shpendët dhe i hëngrën. 5 Disa ranë në zallinë, ku kishte pak dhe. Mbinë shpejt, sepse nuk e kishin tokën e thellë. 6 Porse, kur doli dielli, u vyshkën prej vapës dhe u thanë, pse nuk kishin rrënjë. 7 Disa të tjera ranë në ferra. Ferrat u rritën e ua zunë frymën. 8 Kurse disa të tjera ranë në tokë të mirë e ato dhanë fryt: njëra njëqindfish, tjetra gjashtëdhjetëfish e tjetra tridhjetëfish.

9 Kush ka veshë, le të dëgjojë!”

 

Ç`dëshiron të më thuash, Zotëri?

Disa mendime mbi pjesën e leximit të sotshëm të Shkrimi Shenjt:

 

  • Të gjitha fjalët e Jezusit nuk kanë sjellë fryte. Megjithatë kjo nuk e ka ndaluar që edhe më tutje të vazhdojë së shpalluri Lajmin e gëzueshëm, të vërtetën dhe jetën të gjithëve që dëshironin ta dëgjonin.
  • Do të lus për fuqi që të vazhdoj së foluri dhe vepruari, madje edhe atëherë nëse mungojnë rezultatet evidente dhe inkurajuese.
  • Të vërtetën nuk e përcakton shumica, ajo është e shpërndarë përreth, e pranon dhe vlerëson pakica. Do ta lus Zotin për ndihmë që të mund t`i dëgjoj fjalët e Jezusit për mua dhe t`i marr ato me zemër.

 

Bashkëbisedimi

Si e kam përjetuar Fjalën e Hyjit? A më ka lënë të ftohtë?
A më ka ngushëlluar apo nxitur që të veproj më ndryshe?
E paramendoj Jezusin sesi është duke qëndruar apo ulur pranë meje,
i drejtohem dhe i tregoj gjithçka ndiej.

 

Përmbyllja

Të falënderoj, o Zot, për çdo nxitje që ma ke dhuruar gjatë kësaj kohe sa luta mbi tekstin e Shkrimit Shenjt.

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt
Si ka qenë në fillim, ashtu tash
e përgjithmonë e jetës. Amen.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »