Ambasadori Greg Delawie viziton Ipeshkvinë e Kosovës

Jul 22 • Kisha në Kosovë

E premte, 22 korrik 2016: Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Greg Delawie me bashkëpunëtorin e tij, këshilltarin politik Scott J. Lang, vizitojë Ipeshkvinë e Kosovës në orët e pasditës së sotme, ku u prit nga Ipeshkvi i Kosovës, Imzot Dodë Gjergji dhe stafi i tij i ngushtë.

Gjatë një ore, sa zgjati vizita e frytshme në Rezidencën e Ipeshkvisë së Kosovës, pranë Katedrales “Nënë Tereza” në Prishtinë, Ambasadori Delawie u interesua të kuptojë Kishën Katolike në Kosovë, sfidat e saja në një ndërlidhje shoqëri – shtet – dialog ndërfetarë.

Imzot Dodë Gjergji, e njoftoj Ambasadorin për rëndësinë e Kishës në popullin Shqiptar, si një nyje e lidhjes me identitetin europian, si dikur në të kaluarën ashtu edhe sot, sfidat e Kishës sot dhe të katolikëve në shoqërinë e Kosovës, perspektivën e saj dhe kontributin që jep për njeriun tonë. Gjithashtu, Ipeshkvi shpalosi para Ambasadorit gjendjen aktuale në raportet shoqëri – shtet – dialog ndërfetarë, duke paraqitur pikat më të rëndësishme në këtë trekëndësh.

Kisha Katolike në vazhdimësi ka qenë dhe është prani e pakontestueshme në shoqërinë e popullit tonë, e përgjegjshme për misionin e saj në formimin dhe kultivimin e vlerave të krishtera, kulturore dhe kombëtare, për të cilat Kisha gjithnjë ka gëzuar nderim dhe respekt nga populli. Në këtë linjë – vazhdojë Ipeshkvi – jemi munduar për të qenë një urë lidhjeje në qëllim të bashkimit të brigjeve të ndara e të shkëputura mes veti, pra për të qenë një urë bashkimi dhe pajtimi në dialogun ndërfetarë dhe ekumenizëm, e jo vetëm. Duke qenë një Institucion dymijëvjeçar në këto troje dhe në këtë shoqëri, Kisha orvatet të bashkëpunojë me të zgjedhurit e popullit për të mirën e përbashkët, edhe pse – theksoj Imzot Doda – jo gjithnjë Shteti ndihmon për të realizuar vlerat që i promovon Kisha Katolike. (Pu)shteti, kur nuk mundet të ndihmojë, së paku mos të pengojë, apo edhe të kihet kujdes në promovimin e vlerave, identifikimin dhe imazhin që përçon.  Në vazhdim u paraqitën disa pengesa që Kisha i has me pushtetin lokal dhe me pushtetin qendror. Një ndër çështjet për të cilat u diskutua ishte edhe mosaprovimi i ligjit për bashkësitë fetare, që në fakt, mbetet njëri ndër mangësitë më të theksuara të Institucionve të Kosovës karshi bashkësive fetare, që e pamundësojnë funksionalizimit ligjor të të gjitha bashkësive, një problem që akoma s’arrijmë të gjejmë arsyen e vërtetë të një ngecje të stërzgjatur nëpër zyrët e institucioneve tona.

Ambasadori Delawie, pasi e falënderojë Imzot Dodë Gjergjin për paraqitjen disa dimensionale të aktualitetit të Kishës Katolike dhe të shoqërisë së Kosovës, ai tha se USA do të vazhdojë të përkrah Kosovën si shoqëri multikulturale dhe multifetare, me përkatësin e saj europiane.

Ipeshkvi duke e falënderuar Ambasadorin, e ftojë atë dhe delegacionin e SHBA në Vatikan me rastin e shenjtërimit të Nënë Terezës, që të marr pjesë në Koncertin e Himnit të Nënë Terezës, i cili do të mbahet në Vigjilje të shenjtërimit, më 3 shtator 2016, në Basilikën Papnore Shën Pali Jashtë Mureve.

[wonderplugin_gallery id=”9″]

Shpërndaje

Comments are closed.

« »