Të rinjtë e Kosovës përgatiten për Ditën Botërore në Krakov të Polonisë

Jul 22 • Bota e të rinjve

Dita Botërore e Rinisë është një ngjarje masive ndërkombëtare e organizuar nga Kisha Katolike, e cila bashkon miliona të rinj nga e gjithë bota katolike. Fillet e kësaj dite i gjejmë në vitin 1984, kur në Vatikan, në sheshin e Shën Pjetrit u mbajt takimi botëror me Papën Shën Gjon Palin II. Viti 1985 nga OKB-ja u shpall si viti i të rinjve, ndërsa më 1986, në një letër dërguar të rinjve, Papa Gjon Pali II themeloi Ditën Botërore të Rinisë. Që nga ai vit, në çdo dy vjet, mbahen takime të të rinjve nga mbarë bota me Atin e Shenjtë. Vendi nikoqir dhe tema e takimit zgjidhen nga Papa, kurse takimi i të rinjve me të mbahet në të Dielën e Larit. Tradita e do që në fund të takimit me Papën ai të shpallë vendin pritës të takimit të ardhshëm dhe t’ua dorëzojë të rinjve të atij vendi kryqin e drunjtë që Papa Shën Gjon Pali i II ua dhuroi të rinjve për të simbolizuar Ditën Botërore të Rinisë.

Sivjet, Polonia ka nderin që për të dytën herë të jetë mirëpritëse e miliona njerëzve dhe Atit të Shenjtë Françeskut, që e zgjodhi përkatësisht Krakovën jo vetëm për hir të Papës Shën Gjon Palit II, mirëpo edhe për hir të Shën Faustinës, shenjtës polake, misioni i së cilës përcillte mesazhin e Mëshirës Hyjnore. Dhe, meqë viti 2016 nga Papa Françesku është shpallur si viti jubilar i mëshirës, shumë lehtë kuptohet pse u zgjodh përsëri Polonia.

Ky takim që do të mbahet nga 26 deri më 31 korrik të këtij viti, nuk do mund të trajtonte temë tjetër përpos «Lum të mëshirshmit, sepse do të gjejnë mëshirë» (Mt 5,7).

Kosova, në këtë takim, do të përfaqësohet nga 52 të rinj. Ne, të rinjtë e Kosovës jemi duke u përgatitur për këtë takim. E, pjesë e përgatitjes natyrisht që kanë qenë edhe ripërtëritjet shpirtërore dhe aktivitete të ndryshme .

Takimi i 31-të botëror për ne nuk është një shëtitje apo vetëm një udhëtim, por një shtegtim shpirtëror dhe një përpjekje për të njohur mëshirën e Hyjit.

Ne, të rinjtë dhe të rejat e Kosovës, do mundohemi ta përfaqësojmë në mënyrën më dinjitoze Kosovën dhe Nënën tone Terezë, e cila na ka mësuar se“mëshira dhe dashuria e Atit është më e madhe se mëkati ynë”.

Vëllezër dhe motra, lutuni për ne, që nga ky takim të kthehemi më të mirë, më të dashur, më të forte në besim në Hyjin e mbi të gjitha më të mëshirshëm! (Agnesa Beqiri)

[wonderplugin_gallery id=”8″]

Shpërndaje

Comments are closed.

« »