Lutja – marrëdhënia jonë me Zotin

Jul 23 • LEXIMET E SË DIELËS

E diela XVII gjatë vitit (C)

Leximi i parë Zan 18, 20-21.23-32

Lexim prej Librit të Zanafillës

Në ato ditë, Zoti tha: “Po flitet keq për Sodomën e Gomorrën dhe mëkati i tyre është tepër i rëndë. Unë duhet të zbres e të shoh a po veprojnë njëmend ashtu si po arrin ankimi deri tek unë. Do ta di apo jo!” Abrahami iu afrua Zotit dhe i tha: “Vërtetë se bashkë me fajtorin do ta zhbish edhe të drejtin? Nëse në qytet do të jenë rastësisht pesëdhjetë të drejtë, vërtetë do ta zhbish atë vend dhe nuk do ta falësh për shkak të atyre pesëdhjetë të drejtëve që do të jenë në të? Larg qoftë prej teje që ta zhbish të drejtin bashkë me të mbrapshtin? A do t’i bësh barazi të drejtin me fajtorin? Larg teje! A thua se gjykatësi i mbarë botës nuk do ta shtjerë në veprim drejtësinë?” Zoti përgjigji: “Nëse do t’i gjej në Sodomë pesëdhjetë të drejtë, brenda në qytet, për ta do ta fal tërë qytetin.”
Abrahami e mori përsëri fjalën: “Ja, unë po marrë guxim të flas me Zotin tim, unë që jam hi e pluhur: po e zëmë se ndër ata pesëdhjetë të drejtë, do të jenë pesë më pak. A thua se për shkak të atyre të pesëve do ta zhbish tërë qytetin?” Ai tha: “Nuk do ta zhbij nëse i gjej dyzet e pesë të drejtë.” Abrahami s’u durua e i tha: “Po qe se atje do të jenë vetëm dyzet?” Hyji përgjigji: “Nuk do ta ndëshkoj për shkak të atyre dyzet të drejtëve.” Përsëri tha: “Nuk më hidhërohet Zoti im nëse flas: e po qe se, atje janë vetëm tridhjetë.” Ai tha: “Nuk do ta zhbij as nëse i gjej tridhjetë.” “Ja, prapë, po marr guxim – tha – të flas me Zotin tim: po nëse, ndoshta, atje do të jenë vetëm njëzet!” Hyji i tha: “Nuk do ta zhbij për shkak të atyre të njëzetëve .” “Po të lutem – vazhdoi – Imzot nuk do të më hidhërohet, nëse flas vetëm edhe një herë: po qe se atje janë, ndoshta, vetëm dhjetë!” – “Unë nuk do ta zhbij për shkak të atyre të dhjetëve.”  

Fjala e Zotit

 

Psalmi 138

Ref: Skamnori thërret, e Zoti e dëgjon
————————————————-

Me gjithë shpirt të falënderoj, o Zot,
sepse i dëgjove fjalët e gojës sime.
Të këndoj në praninë e engjëjve,
adhuroj në drejtim të Tempullit
tënd të shenjtë.
————————————————-
E lavdëroj Emrin tënd
për dashurinë e besnikërinë tënde,
sepse e madhërove tesve premtimin tënd.
Sa herë të thirra në ndihmë,
ti më vështrove,
shpirtit tim ia kërthndeze fuqitë.
————————————————-
Do të të lavdërojnë, o Zot,
të gjithë mbretërit e tokës,
sepse i dëgjuan premtimet e gojës sate.
Do t’i këndojnë udhët e Zotit,
sepse e madhe është lavdia e Zotit;
sepse i lartë është Zoti e i shikon të përvujtët,
e prej së largu i dallon krenarët.
————————————————-
Kur të më duhet të eci
në mes të vështirësive, ti ma ruaj jetën,
shtrije dorën kundër zemërimit të armiqve të mi,
e më shpëto me të djathtën tënde.
————————————————-

 

Leximi i dytë Kol 2, 12-14

Lexim prej Letrës së Shën Palit apostull drejtuar Kolosianëve

Vëllezër, të varrosur bashkë me Krishtin në pagëzim, bashkë me Të edhe u ngjallët në saje të fesë, me të cilën besuat në fuqinë e Hyjit që e ngjalli nga të vdekurit. Edhe juve që ishit të vdekur për shkak të fajeve tuaja dhe të parrethprerjes së trupit tuaj, Hyji ju ngjalli bashkë me Të. Ai mirësisht na i fali të gjitha fajet tona, Ai e zhvleftësoi dëftesën paditëse që, në saje të urdhërimeve, ishte kundër nesh, e bëri të zhduket, e mbërtheu në kryq. 

Fjala e Zotit.

 

Aaleluja.
Lypni e do t’ju jepet, kërkoni e do të gjeni.
Ati juaj e di se për çka keni nevojë.
Aleluja.

 

Ungjilli Lk 11, 1-13

Leximi i Ungjillit shenjt sipas Lukës

Një ditë Jezusi po thoshte uratë diku në një vend. Kur e kreu uratën, i tha njëri prej nxënësve: “Zotëri, na mëso edhe ne të lutemi, sikurse i mësoi edhe Gjoni nxënësit e vet.”
“Kur të luteni – u tha Jezusi– thoni: O Atë! U shenjtëroftë Emri yt! Ardhtë Mbretëria jote! Na jep çdo ditë bukën tonë të përditshme! Na i fal mëkatet tona, sepse edhe ne i falim fajtorët tanë. E mos lejo të biem në tundim!” Dhe u tha: “Nëse ndonjëri prej jush ka një mik dhe i shkon në mesnatë e i thotë: ‘Mik, m’i jep hua tri bukë se më erdhi prej udhe miku im e nuk kam çka t’i jap për darkë’, e ai prej brenda iu përgjigj: ‘Mos më trazo! Dera është tashmë e mbyllur e fëmijët e mi e unë ramë në shtrat! Nuk mund të çohem t’i jap!’ – Unë po ju them edhe nëse s’çohet t’ia japë pse e ka mik, do të çohet me siguri për t’i dhënë aq sa kërkon për shkak të trazimit. Edhe unë po ju them: lypni e do t’ju jepet, kërkoni e do të gjeni, trokëllitni e do t’ju çelet. Sepse, kushdo lyp, merr; kush kërkon, gjen; atij që trokëllit, i hapet dera.
Dhe, cili prej jush që është baba, po i lypi djali, peshk, në vend të peshkut do t’i japë gjarpër? Ose, nëse i lyp vezë, do t’i japë akrep? Nëse, pra, ju, edhe pse të këqij, dini fëmijëve tuaj t’u jepni dhurata të mira, sa më tepër Ati qiellor do t’u japë Shpirtin Shenjt atyre që ia kërkojnë?” 

Fjala e Zotit

 

POROSIA

Urata apo lutja në jetën e të krishterit ka një rol shumë të rëndësishëm. Atëherë kur lusim jeta jonë fillon të marrë një kuptim dhe cilësia e saj bëhet e shijshme.

Shën Augustini në librin e tij “Rrëfimet” i përkujton edhe momentet e tija të lutjes kur ishte i vogël kur shkonte në shkollë për të mësuar shkrim-lexim. Dhe tregon: atëherë kur bëhesha përtac kishte ndëshkime – të mëshuara. O Zot, Zoti im, çfarë mjerimi dhe nënçmimi më është dashur të përjetoj në atë kohë. Megjithatë qysh atëherë i kam parë njerëzit që të luteshin ty, o Zot, dhe kam menduar: ti duhet të jesh më i madh se njerëzit dhe mundesh të na dëgjosh dhe të na ndihmosh edhe atëherë kur nuk mund të shohim qartë. Ndihma ime dhe strehimi im je ti, o Zot. Dhe Augustini e pranon se me zemër i lutesha Zotit që në shkollë të mos marrë më ndëshkime.

Me siguri se Augustini edhe më vonë ka marrë të mëshuara, kur ka qenë dembel në mësim. Por shumë më vonë të mëshuarat në shkollë qenë hekur. Kjo ka qenë vepër e Zotit, sepse të mëshuarat me thupër u bë metodë jo e mirë e edukimit.

Më duket interesante në të kujtuarat e Augustinit, se ai mësonte nga të rriturit: Zoti është më i madh se ne njerëzit. Ai do të na dëgjojë dhe do të na ndihmojë; edhe atëherë kur kjo nuk na duket e qartë dhe kur dëgjimi dhe ndihma nganjëherë duken më ndryshe se që e kemi pritur.

E dëgjuam edhe në leximin e parë se si Abrahami ndërmjetëson te Zoti, se si lutet. Është interesante se si Abrahami nuk konsiderohet si njeri i vogël para Zotit të madh. Jo, Zoti e merr atë si partner, pranë të cilit bisedon guximshëm. Para Zotit vijmë me falënderim, duke i dhënë lavdi, por edhe duke e lutur për dëshirat personale, për të ndërmjetësuar për të tjerët, duke ia shprehur dyshimet dhe hidhërimet, zemërimet tona.

Një prift më thoshte kur më pyet dikush në spital se a guxoj të ankohem në Zotin, të përlahem me të me fjalë, a guxoj t`ia shprehi hidhërimin tim, frikën time dhe brengosjet e mia, atëherë krejt hapur i them se ne këtë duhet ta bëjmë, në mënyrë që të qëndrojmë me Zotin në marrëdhënie, sepse në këtë mënyrë i lejojmë Zotit të qëndrojë në jetën tonë.

Sa herë kemi lutur për kishën për paqe! Sa herë për drejtësi! Dikush shpesh herë ka lutur për diçka konkrete: për shëndetin e një njeriu, që e ka të afërt, apo për shëndetin e vet. Apo dikush tjetër për ta gjetur një vend të punës, për t`u regjistruar i biri e bija në fakultet… Dhe nganjëherë e kemi përshtypjen: kjo lutje nuk është dëgjuar – të paktën jo në shikim të parë.

Me rëndësi është qëndrimmi që të vij para Zotit me lutjet që kanë të bëjnë me jetën time reale. Me siguri keni edhe ju përvoja kur keni lutur për diçka, mirëpo Zoti jua ka dëgjuar lutjen jo ndoshta siç e keni menduar, por në një mënyrë krejt tjetër, edhe më të mirë – kur e shikojmë më gjatë dhe më thellë.

Nganjëherë ndodh që të birit apo të bijës i duhet të qëndrojë edhe një vit para se të shkojë në studime. Mirëpo gjatë këtij viti e zbulon se çfarë dëshiron në të vërtetë. Apo, bëhen disa kushte që më parë kishin munguar.

Dikush tjetër kërkon shëndetin. Mirëpo nëpërmjet kësaj përvoje ky njeri bëhet më i pjekur dhe më i falënderueshëm dhe ndoshta e gjen përsëri rrugën e besimit. E di se sa lehtë është të thuhet diçka, nëse nuk ke qenë vetë në një situatë të tillë. Mirëpo kësi përvojash ekzistojnë. Ato tregojnë diçka krejt të rëndësishme për besimin tonë dhe për lutjen.

Kur i shohim përvoja të tilla atëherë vërejmë se shpesh herë atë që e kemi theksuar në lutje, nuk ka qenë gjithmonë për të mirën tonë. Nuk është gjithmonë vullneti i Zotit ajo çka lypim. Në Atynë lusim: u bëftë vullnesa jote.

Shpesh herë e shohim më vonë se na është dashur kohë që të vijmë deri te ajo që ta kuptojmë se çka dëshirojmë ne përnjëmend, çka është për të mirën time dhe çka dëshiron Zoti prej meje. Kjo i përngjan asaj. Sa më thellë të zhytesh në ujin e detit, aq më shumë mund t`i zbulosh pasuritë e tija.

A e lusim Zotin për gjendjen tonë, për dëshirat tona. A kemi guxim të dalim sinqerisht para tij dhe t`ia pranojmë gjendjen tonë reale. Ai na merr seriozisht.

Në letrën drejtuar Hebrenjve për Jezusin shkruan: Ai, në ditët e jetës së vet këtu mbi tokë, i kushtoi lutje dhe lutje me ofshama të mëdha dhe me lot Atij që mundte ta shpëtonte nga vdekja, dhe qe vështruar për shkak të nënshtrimit të vet. Si ka qenë Jezusi i dëgjuar, i vështruar? Si ka qenë i liruar nga frika?

Që më parë kishte lutur për këtë, për çastin e mundimit. E luti Zotin që t`ia largojë këtë kelk mundimesh. Frika qe aq e madhe sa që u djersit gjak. Si njeri edhe vet Jezusi nuk mundi t`i tejshihte të gjitha. Në kryq e përjetoi një vetmi të “thellë. Hyji im, Hyji im, përse hoqe dorë prej meje”. Megjithatë e pranon vullnetin e Atit dhe ka besim në Të: Jo vullneti im, por i yti le të bëhet.

Se ai e dha jetën për ne njerëzit, këtë ka mundur ta bëjë vetëm pse është lutur me gjithë zemër me besim të madh në Atin. Kishte besim të madh në dashurinë e Hyjit, prandaj mundi të qëndrojë në vështirësitë e jetës, kur e përjetoi vetminë, tradhëtinë, vdekjen.

Shën Tereza e Lisjësë thoshte: Nëse o Zot nuk më dëgjon, megjithatë do të të dua edhe më shumë.

Shpesh herë në formulat e lutjeve që i dimë vështirë e ndiejmë besimin tonë fetar. Por kur në lutjen tonë i përdorim fjalët e jetës së përditshme, atëherë Zoti është i pranishëm. Në këtë mënyrë fillon të rritet dëshira që gjithmonë në mënyrë të re të flas me Zotin. Nëse nuk e lidhim uratën tonë me jetën tonë të përditshme, atëherë lutja jonë fillon të bëhet formale dhe e huaj. Ne lusim sepse dëshirojmë ta ndiejmë marrëdhënien tonë me Zotin në jetën tonë reale – tani dhe këtu. Jo, për një jetë diku në të ardhmen. Jeta me Zotin fillon aty ku je. Lutja është jetë, jo teori e mësuar që duhet thjesht të recitohet. Nëse nuk e lidhim lutjen tonë me gëzimet dhe hidhërimet e jetës konkrete, atëherë nuk do ta motivojmë vetveten për të kaluar kohën me Zotin. Atëherë ekziston rreziku të mendoj se jam në raport me Zotin – e që në fakt është vetëm raport “zyrtar”, dmth. formal, ku Zotin e fusim në mesin e gjësendeve të kësaj bote – duke e bërë një prej ideve apo punëve që duhen bërë e që më vonë të na lë rehat.

Një shkrimtar i jetës shpirtërore thoshte: Nëse dikush të pyet që t`i ofrosh një fjalë tjetër për “Hyjin”, mund ta përdorësh fjalën “Prani”, sepse Hyji me të vërtetë është prani. Kur Moisiu e pyeti Hyjin për emrin e tij, Hyji i përgjigji, “Unë jam ai që jam”, që domethënë “Unë jam ai që jam i pranishëm”. Hyji flet në të vërtetë, “Do të jem këtu për ty”. Hyji është në mënyrë intime i pranishëm në gjithçka, e në veçanti me ne. Emri i Jezusit është Emmanuel, që domethënë “Hyji me ne”. Ungjilli i Mateut përfundon me një shprehje të mrekullueshme: “Unë jam me ju në të gjitha ditët – deri në të sosur të botës!” Kështu para Zotit mund të dalë me lutje në çdo kohë dhe në çdo vend.

Shën Injaci i nxiste nxënësit e vet në lutje. Thoshte lutja është si bashkëbisedim. Biseda fillon në të vërtetë me të folur, ashtu sikurse flet p.sh. shoku me shokun apo shërbëtori me zotërinë e tij, kështu që tash e lut për ndonjë hir, tash e pranon fajin për diçka, e herë tjera ia paraqet nevojat dhe pyet për këshillë… Në biseda lypset që mendimet dhe kërkesat (lypjet) t`i përshtasim sipas asaj që parapëlqejmë, d.m.th. varësisht nga ajo se a gjindem në tundim apo në ngushëllim dhe varësisht nga ajo se a dëshiroj të arrij këtë apo atë virtyt, a dëshiroj të pësoj apo të gëzohem për gjënë mbi të cilën jam duke reflektuar. Më në fund do të lus atë çfarë në raste veç e veç në mënyrë të veçantë dëshiroj të arrrij.

Paramendoje sesi Jezusi është ulur afër teje. Duke bërë këtë, fantazinë tënde e vë në shërbim të fesë. Jezusi nuk është këtu në mënyrën siç e paramendon ti, por me siguri është këtu, dhe fantazia jote të ndihmon që të jesh i/e vetëdishëm/e për këtë. Foli … nëse askush nuk është në afërsi, fol me zë me të, ose në mënyrën si të pëlqen … Dëgjo çfarë të përgjigjet Jezusi, apo çfarë e paramendon ti se po të flet … Ky është dallimi midis të menduarit dhe lutjes. Kur mendojmë, reflektojmë, në përgjithësi i flasim vetvetes. Kur lusim, bisedojmë me Hyjin.

Si po e ndjej veten përnjëmend? I/e pabrengosur? I/e turbulluar? Ndoshta jam i/e qetë, i/e lumtur që ekzistoj. Por ndoshta i/e frustruar, i/e brengosur dhe i/e nervozuar. E pranoj atë që ndiej realisht. Sepse Hyji më do pikërisht të tillë ashtu siç jam në realitet. Para tij gjithmonë dal siç jam – bisedoj me të në lutje, e njoh më shumë dhe e dua edhe më shumë. Kështu jeta ime e fiton kuptimin duke e lidhur trupin e shpirtin në harmoni dhe bëhet këngë lavdi për të mirat e Zotit që na jep. Amen.

 

LUTJET E BESIMTARËVE

Në Ungjill dëgjojmë lutjen: Zotëri, na mëso të lutemi. Jezusi na ka dhuruar fjalët sesi të lutemi. Ai na jep zemër. I drejtohemi Zotit si Atit tonë, duke thënë:

 Dëgjoje, o Zot, lutjen tonë!

  • Të lutemi për ata që janë të trishtuar dhe të pafuqishëm për faktin se për ta asgjë nuk është e shenjtë. Njerëzit po bëhen të këmbyeshëm, lojë rrethanash me të cilët masat po manovrojnë. As dinjiteti i njeriut nuk po është i shenjtë në shumë vende të botës. Prandaj po të lutemi: Ardhtë mbretëria jote!
  • Të lutemi për ata njerëz që angazhohen çdo ditë për të tjerët. Njerëzit kanë nevojë për punë dhe bukë, për një çati mbi kokë dhe mundësi për të marrë jetën e tyre në duart e veta. Shumë njerëz e kanë ndjenjën se po përjashtohen dhe izolohen. Prandaj po të lutemi: Ardhtë mbretëria jote!
  • Po të lutemi për njerëzit që përpiqen për pajtim. Njerëzit bëhen fajtorë, nuk  arrijnë të dalin nga pështjellimet e liga dhe ndikojnë negativisht te të tjerët duke i çuar edhe ata në shkatërrim. Nganjëherë duket të jetë pothuajse e pamundur për të ndërtuar ura mirëkuptimi dhe për të falur njëri-tjetrin. Prandaj po të lutemi: Ardhtë mbretëria jote!
  • Të lutemi për njerëzit që janë të zotët në artin e shërimit. Njerëzit kanë nevojë për ndihmë në situata kritike, në spitale dhe shtëpi pleqsh, në çastin e vdekjes. Vetmia dhe braktisja e shumë njerëzve, shpesh herë as që i vërejmë se ekzistojnë. Prandaj po të lutemi: Ardhtë mbretëria jote!
  • Të lutemi për ne që që kureshtarë dhe në pritje i shikojmë shtigjet e pazakonta para nesh. Dimë shumë, shohim shumë, dëgjojmë shumë gjëra. Të lutemi që të kemi guximin që mos ta lëmë askënd të vetmuar, kur ka nevojë për ndihmën tonë, fjalën tonë dhe forcën tonë. Prandaj po të lutemi: Ardhtë mbretëria jote!

O Atë, ne ty të themi, Hyj. Ti na drejtohesh si fëmijëve të tu. Po të kërkojmë të na dhash shpirtin tënd, për ne, për kishën tënde. Atë, emri yt është i shenjtë, ardhtë Mbretëria jote. Dëgjoji këto lutje që t`i drejtuam, nëpër Krishtin Zotin tonë. – Amen.

 

Përgatiti për Dritën: P. Shtjefen Dodes SJ

Shpërndaje

Comments are closed.

« »