Ambicie apo shërbim?!

Jul 25 • Meditimi i ditës

25 korrik 2016 – E hënë, Shën Jakobi, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

(Leximet e ditës: 2 Kor 4,7-15; Ps 125; Mt 20,20-28)

 

Prania e Hyjit

Hyji është me mua. Madje më shumë: Hyji është në mua, ai bën që unë të ekzistoj.

Një moment do të pushoj në praninë jetëbërëse të Hyjit

në trupin, mendjen, zemrën time, në tërë jetën time.

 

Liria

Kur e ndiej veten të robëruar dhe kur gjithçka më tendosë, më ngarkon,

madje edhe atëherë kur rrezet e diellit s`arrijnë në vendin ku ndodhem,

edhe atëherë, në heshtjen e heshtjes, shpirti im është i lirë dhe i papenguar.

Në këtë liri të shpirtit po të drejtohem ty.

 

Ndërgjegjësimi

Duke e ditur që Hyji më do pa kushte,

Mund t`i lejoj vetes që të jem i/e sinqertë se në çfarë gjendje ndodhem momentalisht.

Si është duke kaluar dita? Si po e ndiej veten në këtë moment?

Krejt hapur, do t`i ndaj ndjenjat e mia me Hyjin.

 

Fjala

Tani e lexoj pjesën e leximit të Shkrimit Shenjt që është parashikuar për sot.

Lexoj pa u ngutur

dhe vërej fjalinë apo ngjarjen që më flet diçka.

 

Mt 20, 20-28

 

20 Atëherë iu afrua nëna e bijve të Zebedeut me të bijtë dhe e përshëndeti me fytyrë për dhe për t’i lypur diçka. 21Jezusi i tha:

“Çka dëshiron?”

Ajo iu përgjigj:

“Urdhëro që këta të dy, bijtë e mi, të rrinë në Mbretërinë tënde njëri në të djathtën e tjetri në të majtën tënde.”

22 Jezusi u përgjigj:

“Nuk dini çka lypni. A mundeni ta pini ju kelkun që unë do ta pi?”

“Mundemi!” ‑ iu përgjigjën.

23 Jezusi vijoi:

“Me të vërtetë ju do ta pini kelkun tim, por të më rrini njëri në të djathtë e tjetri në të majtë, nuk është në dorë time t’jua japë, por do t’u jepet atyre, për të cilët u bë gati prej Atit tim.”

24 Kur morën vesh dhjetë të tjerët, u zemëruan me dy vëllëzërit. 25 Atëherë Jezusi i thirri pranë vetes e u tha:

“Ju e dini se sunduesit zotërojnë mbi popujt e vet e princat e tyre i mbajnë nën pushtet. 26 Porse, ndërmjet jush nuk duhet të jetë ashtu! Përkundrazi, ai që prej jush do të bëhet i madh, le të bëhet shërbëtori juaj, 27 kurse ai që ndër ju dëshiron të jetë i pari, le të bëhet skllavi juaj, 28 sikurse edhe Biri i njeriut, që s’erdhi për të qenë shërbyer, por për të shërbyer e për të flijuar jetën e vet si shpërblim për të gjithë!”

 

Ç` dëshiron të më thuash, Zotëri?

Disa mendime mbi pjesën e leximit të sotshëm të Shkrimit Shenjt:

 

  • Jezusi i përgjigjet nënës ambicioze duke ia shpjeguar se vlerat e kësaj bote nuk janë si ato të Hyjit. Ky pasazh i Ungjillit paraqet sfidë për krenarinë time vetjake. A e pengon ndoshta ndonjë ambicie imja egoiste shërbimin tim që ia bëj Zotit dhe të afërmit? A mos sillem nganjëherë si një tiran?
  • Jezusi erdhi jo vetëm për të shërbyer, por “për ta dhënë jetën e vet si çmim për shpërblimin e shumë të tjerëve.” Shenjtërit e mëdhenj kanë qenë të inkurajuar nga rrethanat ekstreme në të cilat Jezusi kishte shkuar për të treguar dashurinë e pafund të Hyjit për njerëzimin. U frymëzofsha edhe unë si ata, në mënyrë që të shpreh gjithmonë mirënjohjen dhe dashurinë time të thellë ndaj Hyjit për të gjitha gjërat që i ka bërë Jezusi.

 

Bashkëbisedimi

Jezus, ti na thërret që të shkojmë pas teje dhe ta kompletojmë veprën tënde mbi tokë. Më ndihmo të shkoj përtej zonëssime të rehatisë dhe të jap fryt në shërbimin tënd.

 

Përmbyllja

Të falënderoj, o Zot, për çdo nxitje që ma dhurove gjatë kësaj kohe sa luta mbi tekstin e Shkrimit Shenjt.

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt
Si ka qenë në fillim, ashtu tash
e përgjithmonë e jetës. Amen.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »