Kush është pronari i zemrës sate?

Jul 26 • Meditimi i ditës

26 korrik 2016 – E martë, Shëna Prenda, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

 (Leximet e ditës: Jer 14,17-22; Ps 78; Mt 13,36-43)

 

Prania e Hyjit

 

Shpirti im e ndjen mallin e pranisë sate, o Zot.

Kur i drejtoj mendimet e mia drejt teje,

gjej paqe dhe pushim.

 

Liria

 

O Zot, ma ke dhënë dhuratën e madhe të lirisë.
Ma jep hirin që të mund të jem i/e lirë nga çdo formë urrejtjeje dhe padurimi.

Ma përkujto, o Zot, se në sytë e tu të gjithë jemi të barabartë.

 

Ndërgjegjësimi

 

Ku, në ç` gjë në jetën time jam duke e gjetur shpresën, guximin dhe rritjen?

Duke u kthyer në mendime disa muaj prapa,

a jam i aftë të vërej cilat janë ato aktivitete të mia që kanë dhënë fryt të pasur?

Nëse i kam vërejtur këto lëmi,

do të vendosi që në të ardhmen do të sigurojë për to hapësirë dhe kohë.

 

Fjala

 

O Zot, je bërë njeri në mënyrë që të bisedosh me mua;

Ke ecur dhe ke punuar mbi këtë tokë; ke duruar vapën dhe të ftohtët.

Kohën e kalove në tokë duke u përkujdesur për njerëz.

Ke shëruar të sëmurë, ke ngjallur të vdekur; dhe ajo më e rëndësishmja – më ke shpëtuar nga vdekja.

 

Mt 13, 36-43

 

36 Atëherë e shpërndau turmën dhe hyri në shtëpi. Nxënësit iu afruan dhe e pyetën:

“Na e shtjello shëmbëlltyrën e egjrës së arës.”

37 Ai u përgjigj:

“Ai që e mbjell farën e mirë, është Biri i njeriut. 38 Ara është bota. Fara e mirë janë ata që i përkasin Mbretërisë. Egjra paraqet ata që i përkasin Qoftëlargut. 39 Armiku që mbolli egjrën është djalli. Korrja është mbarimi i botës. Korrtarët janë engjëjt. 40 Siç mblidhet egjra e digjet në zjarr, kështu do të ndodhë në mbarimin e botës. 41 Biri i njeriut do t’i dërgojë engjëjt e vet për t’i mbledhur në Mbretërinë e tij të gjithë ngashnjyesit dhe ata që bëjnë keq, 42 e do t’i hedhin në furrë të ndezur, ku do të jetë vaj e kërcëllim dhëmbësh. 43 Kurse të drejtët, atëherë, do të shndrisin porsi dielli në Mbretërinë e Atit të tyre.

Kush ka veshë, le të dëgjojë!”

 

 Ç` dëshiron të më thuash, Zotëri?

 

Disa mendime mbi pjesën e leximit të sotshëm të Shkrimit Shenjt:

 

  • Ku ka jetë, aty është  gjithmonë edhe shpresa e shpërblimit dhe e fitores e të mirës mbi të keqen. Fitoren përfundimtare të së mirës dhe dashurisë, të së vërtetës dhe drejtësisë do ta realizojë Biri i Njeriut në “korrje në mbarim të botës.”
  • O Zot, merre pronësinë mbi “arën” time – zemrën dhe jetën time – në mënyrë që “i keqi” të mos ketë asnjë pushtet mbi mua. Më ndihmo që drita ime të shkëlqejë në botë si “të drejtët në mbretërinë e Atit të tyre.”

 

Bashkëbisedimi

 

Sot, o Zot, jam duke e gjetur praninë tënde në të gjitha sendet.

Rri, vështroj dhe mrekullohem për bukurinë e krijesave të tua.

Dëgjoj cicërimën e zogjve.

 

Përmbyllja

 

Të falënderoj, o Zot, që munda t`i kaloj këto pak minuta vetëm me ty.

 

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt
Si ka qenë në fillim, ashtu tash
e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Shpërndaje

Comments are closed.

« »