Deklaratë: Atë Jacques Hamel, i vrarë gjatë kremtimit të Meshës – dëshmi martire e dashurisë së krishterë

Jul 27 • Kisha në Kosovë

 

Dje, më 26 korrik 2016, edhe një lajm i zi tronditi mbarë botën, sidomos Francën, Kishën Katolike, Evropën, njerëzit vullnetmirë,  masakrimi i meshtarit 86 vjeçar francez Atë Hacques Hamel, gjatë kremtimit të Meshës, në Sant Etienne du Rouvray.

Atë Jacques Hamel ka flijuar jetën për të tjerët, për të gjithë, pra, edhe për vrastarë, si dëshmi të fuqishme të krishterë, si jetë me Jezusin, deri në bashkimin dhe kalimin e fundit, nga Eukaristia tokësore  –  te Gostia Qiellore.

Kjo është dhe mbetet dëshmi martire, që edhe një herë  dëshmon verbërinë e urrejtjes dhe së keqes, por edhe fuqinë e fesë dhe të dashurisë,  që  cila  flijohet dhe dhurohet në stilin e Jezu Krishti.

Ipeshkvia e Kosovës është pjesëmarrëse në dhembje dhe pikëllim, në uratë dhe në shpresë të krishterë, me lutje Hyjit të gjithëpushtetshëm  dhe me dëshirë që kjo ngjarje tmerruese, të ndërpritet kudo në botë, si dhe të sjellë fryte të shumta për paqe dhe pajtim për mbarë njerëzimin.  Shprehim solidaritetin tonë  me Kishën Katolike në Francë, por edhe më gjerë, për ta luftuar dhe mposhtur të keqen, urrejtjen, përçarjen mes njerëzve dhe popujve.  

Jeta tokësore e atë Jacques mbaroi, mesha e tij nuk përfundoi… Ajo vazhdon të kremtohet kudo në botë “për ne dhe për shëlbimin tonë”, si mision i shenjtë dhe domethënës për çdo të krishterë.

 Pushoftë në paqe dhe e gëzoftë amshim e lumtur!

Don Lush Gjergji, Vikar Gjeneral

Prishtinë, 27 korrik 2016                        

 

Shpërndaje

Comments are closed.

« »