I/e shpëtuar nga preokupimet dhe planet vetjake

Jul 27 • Meditimi i ditës

27 korrik 2016 – E mërkure, Shën Joakimi dhe Ana, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

 (Leximet e ditës: Jer 15,10.16-21; Ps 58; Mt 13,44-46)

 

Prania e Hyjit

Ndalem një moment dhe e marr me mend praninë e fshehur të Hyjit në sende: në elemente duke u dhënë që ato të ekzistojnë;
në bimë duke ua dhuruar jetën; në kafshë duke bërë që ato të ndiejnë;
dhe më në fund në mua, sepse m`i jep të gjitha këto, edhe më shumë,
më bën tempull, vendbanim të Shpirtit të Shenjtë.

 

Liria

Trungu i trashë dhe i shtrembër i pemës kurrë nuk do të besonte
se mund të bëhet statujë, vepër e mrekullueshme artistike,
dhe kurrë nuk do t`i nënshtrohej daltës së skulptorit,
i cili me gjeninë e tij depërton për të nxjerr gjithë atë që mund të bëhet prej këtij trungu (Shën Injaci).
Lus për hirin shenjtë që të lejoj të formohem me dorën e Krijuesit tim të dashur.

 

Ndërgjegjësimi

Më ndihmo, o Zot, që të bëhem edhe më i/e vetëdijshëm/e për praninë tënde.

Më mëso se si të të dalloj në të tjerët.

Ma mbush zemrën me mirënjohje për të gjitha ato momente

kur nëpërmjet njerëzve të tjerë e ke treguar kujdesin për mua.

 

Fjala

Fjala e Zotit na vjen nëpërmjet Shkrimit Shenjt.

Shpirti Shenjt e ndriçoftë mendjen dhe zemrën time që t`i përgjigjem porosisë së ungjillit:

Që t`i dua të afërmit e mi si vetveten dhe që të kujdesem për vëllezërit dhe motrat në Krishtin.

 


 

Mt 13, 44-46

 

44 “Mbretëria e qiellit është e ngjashme me thesarin e fshehur në arë: njeriu që e gjen, e fsheh prapë, dhe, plot gëzim, shkon, shet gjithçka ka dhe e blen atë arë.

45 Pastaj Mbretëria e qiellit i përngjan tregtarit që kërkon perla të çmueshme. 46 Kur gjen një perlë me vlerë të madhe, shkon, shet gjithçka ka dhe e blen atë perlë.

 


 

Ç` dëshiron të më thuash, Zotëri?

Disa mendime mbi pjesën e leximit të sotshëm të Shkrimit Shenjt:

 

  • Thesari i fshehur duket sikur dallon nga shpallja e lajmit të gëzueshëm. Ekziston koha kur fjalën e Zotit duhet ta pranoj në heshtje, direkt në zemrën time, ta vlerësoj atë dhe në dritën e saj ta vështroj jetën time. Shpalljen mund ta lë për një kohë tjetër. Thesarin duhet ta gjejmë e perlën duhet ta blejmë, që të mund pastaj shpallim.
  • Krahasimi apo shëmbëlltyra tregon rëndësinë që të di të çlirohem apo ta lë të shkojë një gjë. Do ta lus Zotin që të ma japë lirinë që më duhet që t`i lë anash preokupimet e mia, planet – madje edhe shpresat – kështu që të bëj vend për Zotin dhe planet e tij.

 

Bashkëbisedimi

Jezus, po më flet me tekstin e Shkrimit Shenjt.
Bëj që t`i përgjigjem thirrjes sate të sotshme.
Më mëso që ta dalloj dorën tënde vepruese në jetën time të përditshme.

 

Përmbyllja

Të falënderoj, o Zot, për çdo nxitje që ma dhurove gjatë kësaj kohe sa luta mbi tekstin e Shkrimit Shenjt.

 

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt
Si ka qenë në fillim, ashtu tash 
e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Shpërndaje

Comments are closed.

« »