Vdekja, kalimi në botën e të gjallëve

Jul 29 • Meditimi i ditës

29 korrik 2011 – E premte, Shëna Marta, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

(Leximet e ditës: Fu 31,10-13.19-20.30-31; Ps 14; Gjn 11,19-27 ose Lk 10,38-42)

 

Prania e Hyjit

Teksa jam duke qëndruar pranë kompjuterit, Hyji është këtu i pranishëm,
ai i jep jetë jetës sime dhe gjithë asaj që më rrethon.

Qëndroj në heshtje një moment,
dhe bëhem i/e vetëdijshëm për praninë e Hyjit.

 

Liria

Falë hirit të shenjtë të Hyjit më është dhuruar jeta në liri.

Lirisht kënaqem në të mirat që Ai i ka krijuar për mua.

O Zot i dashur, bëj që të mund të jetoj ashtu siç e ke paramenduar ti,

me besim të plotë në kujdesin tënd të butë për mua.

 

Ndërgjegjësimi

Duke iu kthyer detyrave të mia të përditshme,

më përkujto, o Zot,

se je gjithmonë pranë meje.

Kurrë nuk duhet të dëshpërohem.

 

Fjala

I jap vetes kohë që ta lexoj Fjalën e Hyjit ngadalë, disa herë, pa u ngutur,

dhe ndalem në atë fjalë apo fjali që më prek, që më flet pikërisht mua.

 

Gjn 11, 19-27

 

19 Shumë judenj kishin ardhur te Marta e Maria për t’i ngushëlluar për vëllain e tyre.

20 Kur Marta mori vesh se po vinte Jezusi, i doli para, kurse Maria ndenji në shtëpi. 21 Atëherë Marta i tha Jezusit:

“Zotëri, të kishe qenë ti këtu, im vëlla nuk do të kishte vdekur. 22 (Por) edhe tani e di se çkado që të lypësh prej Hyjit, Hyji do të ta japë.”

23 “Do të ngjallet vëllai yt!” ‑ i tha Jezusi.

24 “E di se do të ngjallet ‑ iu përgjigj Marta ‑ në ringjallje ‑ Ditën e fundit.”

25 Jezusi iu përgjigj:

“Unë jam Ringjallja dhe Jeta:

kush beson në mua, edhe nëse vdes, do të jetojë.

26 Edhe kush jeton e beson në mua,

nuk do të vdesë kurrë.

A e beson ti këtë?”

27 Marta iu përgjigj:

“Po, Zotëri! Unë besoj se ti je Mesia, Biri i Hyjit ‑ ai që duhej të vijë në botë!”

 

Ç`dëshiron të më thuash, Zotëri?

Disa mendime mbi pjesën e leximit të sotshëm të Shkrimit Shenjt:

 

  • Këtë botë e quajmë tokën e të gjallëve, por do të mund ta quanim edhe tokën e të vdekurve. Nëpërmes dyerve të vdekjes që kalojmë hyjmë në tokën e të gjallëve. “Unë jam Ringjallja dhe Jeta: kush beson në mua, edhe nëse vdes, do të jetoj. Edhe kush jeton e beson në mua, nuk do të vdes kurrë.”
  • A e besoj unë këtë?

 

Bashkëbisedimi

A jam duke i vërejtur reagimet e mia gjatë kohës kur lus në bazë të Shkrimit Shenjt?

A është ajo për mua sfidë, ngushëllim apo më shtynë të largohem?

Ndërsa e paramendoj Jezusin se është ulur apo qëndron pranë meje,

Me besim, si mikut tim më të mirë, i flas për ndjenjat e mia.

 

Përmbyllja

Të falënderoj, o Zot, për çdo nxitje që ma dhurove gjatë kësaj kohe sa luta mbi tekstin e Shkrimit Shenjt.

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt
Si ka qenë në fillim, ashtu tash
e përgjithmonë e jetës. Amen.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »