Mos lakmo asgjë

Jul 30 • LEXIMET E SË DIELËS

E diela XVIII gjatë vitit `C`

 

***

 

Leximi i parë  (Kish 1, 2; 2, 21 -23)

Çka fiton njeriu prej gjithë mundit të vet.

Lexim prej librit të Kishtarit

Kotësi mbi kotësi, thotë Kishtari, kotësi mbi kotësi e gjithçka është kotësi!

Ç’fitesë ka njeriu prej të gjithë punës që bën nën diell?

E njëmend ka njeri që punon me urti, me dije e me kujdes dhe gjithçka do t’ia lërë për trashëgim njërit që aspak për të s’është munduar. Ja, pra, edhe kjo është një kotësi dhe e keqe e madhe!

Sepse çka fiton ai prej të gjithë mundit të vet e prej tërë përpjekjes personale që e bëri nën diell? Të gjitha ditët e jetës së tij kaluan në dhimbje, mund e kujdesim dhe as natën nuk mundi ta kalojë në qetësi. Edhe kjo gjithashtu është kotësi!

Fjala e Zotit

 

Psalmi 95

Ref: Bëj, o Zot, që ta dëgjojmë zërin tënd.

—————————————-

Ejani t’i këndojmë Zotit,

t’i brohorisim Hyjit, Shëlbuesit tonë.

T’i dalim para me falenderim,

t’i këndojmë këngë hareje!

—————————————-

Ejani ta adhurojmë, të biem përmbys para tij,

të biem në gjunjë para Zotit që na krijoi!

Sepse ai është Hyji ynë,

ne jemi populli i kullotës së tij,

grigja që ai ruan.

—————————————-

Oh sikur ta ndienit sot zërin e tij:

“Mos e bëni zemrën tuaj gur porsi në Meribë,

porsi në ditë të Masës në shkretëtirë,

kur etërit tuaj më vunë në sprovë:

më provuan megjithëse i kishin parë veprat e mia.

—————————————-

 

Leximi i dytë (Kol 3, 1-5. 9-11)

 

Dëshironi gjërat që janë lart, ku është Krishti Zot

 

Lexim i letrës së Shën Palit apostull drejtuar Kolosianëve

Vëllezër, nëse, pra, u ngjallët bashkë me Krishtin, kërkoni çka është lart, ku gjendet Krishti ndenjur në fron në të djathtën e Hyjit! 2 Dëshironi gjërat që janë lart e jo këto përmbi tokë! 3 Sepse vdiqët dhe jeta juaj është e fshehur me Krishtin në Hyjin. 4 E kur të duket Krishti ‑ Jeta juaj, atëherë edhe ju bashkë me Të do të shfaqeni plot lavdi.

5 Bëni, pra, të vdesin gjymtyrët tuaja, ato tokësoret: fëlligështia, papastërtia, epshet, dëshirat e këqija, lakmimi i tepruar i pasurisë ‑ që është idhujtari

Mos rreni njëri‑tjetrin!

Ju e zhveshët njeriun e vjetër me veprat e tij 10 dhe veshët njeriun e ri që përtërihet në njohurinë e drejtë në përgjasim të Krijuesit të vet. 11 Aty nuk ka më:

grek ‑ hebre,

rrethprerje ‑ parrethprerje,

barbar ‑ skit,

skllav ‑ të lirë,

por Krishti është gjithçka dhe në të gjithë.

Fjala e Zotit

 

Ungjilli (Lk 12, 13-21)

 

Ç’grumbullove kujt do t’i mbes?

 

Lexim i Ungjillit të shenjtë sipas Lukës

Atëherë dikush prej turmës i tha: “Mësues, thuaji vëllait tim ta ndajë me mua trashëgimin tonë.”

 “Or mik, ‑ iu përgjigj Jezusi ‑ kush më vuri mua gjykatës ose ndarës mbi ju?”

Atëherë u tha: “Vëriani mendjen: ruajuni fort prej lakmisë së pasurisë, sepse sado i pasur që ndokush të jetë, jeta e tij nuk varet nga pasuria që ka.”

Atëherë u tregoi këtë shëmbëlltyrë: “Tokat e një pasaniku i dhanë fryt të madh. Ai mendonte me vete e thoshte: ‘Ç’të bëj? Nuk kam më vend ku të mbledh të lashtat e mia.’ Dhe tha: ‘Kështu po bëj: do t’i rrëzoj grunarët e do t’i punoj më të mëdhenj dhe do t’i mbledh në ta të gjitha: grurin dhe të gjitha të lashtat e mia. Atëherë do t’i them shpirtit tim: shpirti im, ke pasuri me shumicë për shumë vjet: pusho, ha, pi, gëzo!’ Porse Hyji i tha: ‘I marrë! Pikërisht sonte, në këtë natë, do të kërkohet shpirti yt prej teje, e ç’grumbullove kujt do t’i mbesë?’ Kështu i ndodh atij që grumbullon pasuri për vete e nuk kujdeset të bëhet i pasur në Hyjin.”

Fjala e Zotit

 

POROSIA

“Ah, vetëm ta kisha një shtëpi të bukur si të filanit…“ „Po ta kisha edhe një makinë të fortë si të fqinjit…“ „Po ta kisha një vend të pune të mirë…“ vetëm atëherë do të dija ta shijoja jetën – atëherë vërtet do të jetoja. A nuk ia themi edhe ne vetvetes të njëjtën gjë – me zë të ulët, i bluajmë me mend ose ia themi edhe dikujt tjetër. Madje dikush mund të mburret se duke thënë kështu po dëshiron diçka të mirë. Ndoshta edhe me pa vetëdije biem pre e vesit të lakmisë që Zoti e sanksionon në Urdhrin e nëntë dhe të dhjetë: mos lakmo! Del në sipërfaqe qëndrimi se vetëm pasi ta kemi këtë apo atë gjë, jemi të lirë dhe nuk do të na mungonte asgjë tjetër. Çka ndodh? Arrijmë ta ndërtojmë shtëpinë – ndoshta edhe më të bukur se tjetri, por sikur na hanë të gjitha ato hapësira (pa njerëz); blejmë makinë, por bllokohet, prishet, na rriten brengosjet; vendi i punës na merr frymën… Dhe papritmas e kuptojmë që jetës po ia merr ana – diçka nuk është në rregull. I kemi dhënë më shumë rëndësi gjërave materiale, i kemi harruar ato shpirtërore ose kemi vepruar në dëm të tyre. Diçka që nuk ka themel as nuk qëndron. Gjërat materiale po nuk u shoqëruan dhe nuk u ndërtuan mbi ato shpirtërore, lëkunden dhe shkatërrohen.

Edhe shembulli që e tregon Jezu Krishti në ungjill (Lk 12,13-21) e qet në dritë këtë realitet të njeriut që përsëritet me shekuj, brez pas brezi. Njeriu në shëmbëlltyrë kishte pasur pasuri materiale dhe gjithë jetën e vet e vështronte nga perspektiva e rritjes së pasurisë që kishte. Në fakt ka mundur të bënte shumë gjëra të mira. Por nuk i ka bërë. Nuk ka mundur. Ose nuk ka dashur. Për shembull t`i ndajë ato të mira me të varfrit – me ata që nuk kanë pasur as gjërat më elementare. Kështu do të përjetonte atë gëzimin e dhurimit dhe do ta kishte pasuruar vetveten me një pasuri që nuk vyshket, që vlen edhe për jetën e amshuar. Vetveten e ka lidhur për gjërat e kalueshme. Vetvetes ia ka zënë frymën. Prandaj edhe nuk ka mundur t`i japë atë kuptimin e vërtetë jetës së vet. Horizonti i tij ka qenë i ngushtë, sepse ka menduar vetëm për këtë jetë e jo edhe për jetën pas vdekjes. Në bazë të veprave që i ka bërë – duke grumbulluar pasuri që myket – ka dëshmuar se në fakt ai ka besuar që me vdekje mbaron gjithçka. Vdekja për të ka qenë një mbarim absolut, katastrofë. Prandaj as që e ka çuar mendjen te vdekja, jeta e amshuar.

Jezusi nuk është kundër drejtësisë. Ai nuk është kundër vëllezërve, që ata ta ndajnë trashëgiminë në mënyrë të drejtë. Por, ne të gjithë e dimë se sa shumë rritet lakmia në ndarjen e pasurive, kur është në pyetje paraja, gjërat materiale, dhe sa i lëmë pas dore marrëdhëniet e vërteta. Në vend që ta shikojmë te vetvetja tundimin e lakmisë, egoizmit, kërkojmë zgjidhje diku tjetër… Sa shumë verbohemi pas pasurisë materiale, i neglizhojmë ato vlera reale që janë parakusht për t`i shijuar gjërat që i kemi dhe pa të cilat jeta nuk ka kuptim. Për qëllim të mirave materiale dhe lakmisë shpesh herë jeta kthehet në ferr. Mjafton t`i kujtojmë aq shumë vrasje – edhe vëllavrasje – për shkak të ndarjes së tokës, trashëgimisë.

Kjo është arsyeja pse Jezusi i këshillon dhe u kërkon të gjithëve në rend të parë ta kuptojnë se ku ndodhet kuptimi i vërtetë i jetës dhe ku ndodhet kuptimi i vërtetë i vdekjes. Vetëm pasuria në Hyjin na pasuron vërtet. Çdo gjë tjetër duhet vështruar nga kjo perspektivë. Përndryshe çdo gjë, në vend që ta pasurojë, e varfëron njeriun.

Ekziston rreziku që edhe ne të kujdesemi vetëm për gjërat tokësore, por fare për shpirtin. Shqetësimet tona për pasurinë tokësore na preokupojnë aq shumë sa që e harrojmë Zotin dhe njeriun vëlla, motër. Jezusi e quan pasanikun njeri të pamend për shkak se gjërat materiale i kishte bërë qëllimin e jetës së vet. Me fjalë të tjera: njeriu që ndërton vetëm në gjërat që shihen, që kapen, preken, bëhet i verbër, i marrë për ato që nuk shihen.

Askush nuk e vë në dyshim se është mirë të punojmë, të brengosemi për një mirëqenie personale, familjare, shoqërore. Nuk është keq që personi ka qenë punëtor, ka mbledhur pasuri, ka ndërtuar etj., por që duke bërë këtë e ka humbur orientimin e jetës – lirinë e ndërgjegjes, dhe është bërë skllav i pasurisë së vet. Njeriu është i thirrur që të punojë, të përparojë, të kujdeset për jetën e vet, por nuk guxon t`i përziejë, të identifikohet me to duke i barazuar me gjërat shpirtërore, të amshuara.

Njeriu nuk duhet ta lidhë zemrën për pasurinë tokësore, nuk guxon të bëhet skllav i gjërave materiale dhe kënaqësive kalimtare … Burimet e tokës mund të jenë të nevojshme vetëm për të ndihmuar njeriun për të arritur lumturinë, por kurrë nuk janë lumturia vetë. Njeriu duhet t`i përdorë sa më shumë të mirat tokësore për nder e lavd të Zotit dhe të afërmve. Kështu ai më së miri do t`i përdorte ato. Zoti na i ka dhënë ato për këtë qëllim.

Nuk është pra aq vlera e vërtetë e një njeriu që sa më shumë të kënaqet vetë në të mirat tokësore, por që ato të mira sa më shumë t`i ndajë nga dashuria për të tjerët. Gjërat materiale nuk janë lumturi, ato vetëm të ndihmojnë (ose, nëse nuk i përdor mirë, mund të të pengojnë, madje të robërojnë) për të arritur lumturinë. Njeriu, pra, nuk është i krijuar për të grumbulluar për vete të mira tokësore, por për t`i ndarë ato me të tjerët.

Të heqësh dorë nga paratë ose prona për të mirën e të afërmit tënd, kjo do të thotë të bësh pasuri që vlen përpara Zotit. Të kesh ndërgjegjen e pastër. Ky është kapitali më i madh që e vëmë në bankën e Zotit. Dhe ky kapital do të na japë norma të larta interesi.

Sot ndoshta kemi më shumë nevojë ta dëgjojmë këtë porosi ungjillore dhe t`i përsëritet njeriut të sotshëm që mendon se do ta bëjnë të lumtur vetëm nëse ka gjëra materiale. Atyre që vetëm mbledhin, grumbullojnë dhe blejnë Jezusi u thotë: “Ç’dobi ka njeriu nëse e fiton mbarë botën, por e humb vetveten?!”

Çfarë dobie nëse i ke të gjitha gjërat e botës, por nuk e ke Zotin – nëse e humb shpirtin tënd?!

Po të kishin qenë njerëzit të kënaqur me burime të vogla, do ta kuptonin se kanë mjaftueshëm dhe gjërat do t`i ndanin me të tjerët që nuk kanë. Do të ndiheshin të detyruar për të ndarë me të tjerët mallrat e veta të tepërta. Fjala e urtë indiane thotë: “Kjo jetë tokësore është vetëm një urë. Kalo mbi të dhe mos ndërto shtëpinë tënde mbi të!”

Sa e sa shumë shembuj të njerëzve na dëshmojnë se ata që janë përpjekur të ndërtojnë mbi urën kalimtare të gjërave të përkohshme për të ndërtuar një të ardhme të sigurt, janë mashtruar! Është shumë më mirë që të mendojmë për atë që ndodhet matanë urës, në përjetësi. Ura është vetëm për të kaluar. Amshimi arrihet nga të mirat që janë ndarë, u janë dhuruar të tjerëve.”

 

Sjellja egoiste dhe lakmuese

Nëse punojmë, kujdesemi për gjërat elementare për të ruajtur ekzistencën personale, për rritjen dhe përparimin e përgjithshëm, kjo është virtyt, shenjë e shpirtit të shëndoshë njerëzor, kujdes i shëndoshë për vetveten, shprehje e shëndoshë e dashurisë ndaj vetes – zbatim i urdhërimit më të madh të Zotit. Ekziston pra lidhja e shëndoshë për të mirat që na nevojiten për mbajtjen e jetës, për shembull lidhja për ajër, ushqim, pushim, temperaturë të caktuar, rroba, kontakte me njerëz, lutje dhe akte të veçanta fetare. Lidhja e jonë për Zotin, varësia jonë nga Ai, është më e shëndosha dhe më normalja, sepse prej Tij jemi dhe vetëm prej Tij dhe në Të mund të jetojmë për amshim.

Nëse nevoja për dhurata natyrore shfaqet në formë të tepruar, personi është tepër i përqendruar në ushqim, në pushim, në kënaqësi seksuale, në sende materiale, veçanërisht në para, të holla, që janë simbol i pasurisë materiale. Egoizmi dhe lakmia janë të lidhura me instinkt për pronësi dhe kënaqësi seksuale. Lakmia synon për pasuri dhe në mënyrë egoiste kënaqet në të. Nga ky disponim njeriu dëshiron të lartësohet mbi të tjerët, t’i zotërojë të tjerët, t’i shfrytëzojë të tjerët. Gruaja, për fat të keq, ka qenë dhe ende është e përulur dhe bie duke u bërë mjet pasurie dhe kënaqësie. Bukuria paguhet. Missi i popujve, kontinenteve, i botës, shpërblehet – me para.

Lakmia e sëmurë për ushqim mund të jetë e lidhur me përjetimin se njeriut i është mohuar dashuria (veçanërisht te fëmijët). Alkoolizmi mund të jetë trashëgues ose të ketë shkak organik, dhe shpeshherë është i lidhur me afektivitetin e çrregulluar.

Kleptomania, koprracia dhe grykësia janë forma jashtëzakonisht të sëmura të lakmisë. Ekziston edhe lakmia e sëmurë për nderim dhe zë të mirë që manifestohet në lajkatimin e të tjerëve ose dëshirën që të na lajkatojnë ne. Në lëmin e religjiozitetit vjen në shprehje lakmia shpirtërore në saje së cilës një person në mënyrat e devotshmërisë më shumë ka kujdes që të ndihet mirë, se sa të jetë i frytshëm me vepra; më shumë ka kujdes në paraqitjen e veprave të jashtme të përshpirtërisë, se sa në frytshmërinë e vërtetë shpirtërore të qenies së vet, e kjo është dashuria dhe gatishmëria që personi të jetojë për të tjerët.

Meqenëse lakmia dhe egoizmi i çdo lloji është shenjë e varësisë dhe papjekurisë, e pamundur është të realizohet jeta shpirtërore, sepse jeta shpirtërore kërkon personin e lirë që mund t’u dhurohet të tjerëve në dashuri. “Nëse ndokush do të vijë pas meje, le t’i bjerë mohit vetvetes, ta marrë kryqin e vet e të më ndjekë!” (Mk 8,34). “Nëse kokrra e grurit e mbjellë në dhe nuk vdes, jetë e vetme; po nëse vdes jep shumë fryt!” (Gjn 12,24)

Për këtë arsye detyra më e rëndësishme e njeriut është që vazhdimisht të ushtrohet në altruizëm, në dhurim, në dashuri. Sa më shumë të ketë përparuar njeriu në këtë, aq më shumë e ka realizuar vetveten, aq më i plotë dhe më i lumtur është. Kurse më së shumti është realizuar dhe krejtësisht është i lumtur kur është dhuruar deri në fund, kur i ka dhënë të gjitha.

A e vërej te vetvetja një kujdes të rregullt për veten time, për rritjen time shpirtërore, për gjithçka që më nevojitet në jetën normale njerëzore? A ekziston në mua një kujdes i tepruar për ushqim, para, sende materiale, pushim? A jam tepër i pushtuar me atë që i përket trupit, seksit? A e vështroj gjininë tjetër ekskluzivisht nëpërmjet seksit dhe dëshirës për pronësi? A jam tepër i varur nga ajo se çka mendojnë njerëzit për mua, sa më çmojnë dhe nderojnë, çka flasin për mua, çka fitoj prej tyre? Në veprimet e mia fetare a shikoj më shumë se çfarë do të fitoj unë, apo si do të aftësohem që t’i dhurohem edhe më shumë Zotit dhe njerëzve? A besoj se vetëm në dhurim është realizimi im i vërtetë, se vlej vetëm aq sa i jam dhënë të tjerëve? A ushtroj që për çdo ditë t’u jap diçka të tjerëve?

 

Lutjet e besimtarëve

O Zot i mirë, që na ke dhënë jetën, dhe na dhuron gjërat që na duhen për të jetuar. Ne po të drejtohemi me këto lutje, duke thënë:

 

            Dëgjoje, o Zot, lutjen tonë!

 

  • Bekoje Papën tonë Françeskun, të rinjtë, dhe bashkë me ta edhe të gjithë ata që mundohen për ripërtëritjen e nevojshme të prapambetur të Kishës, të lutemi.
  • Për njerëzit që nuk kanë miq dhe që nuk kanë me kë ta ndajnë gëzimin dhe pikëllimin. Bëj që takojnë njerëz të cilët u japin perspektiva të reja, të lutemi.
  • Për njerëzit që shqetësimet për të ardhurat, për pasuri ua errësojnë zemrën. Jepu atyre qetësi, kënaqësi dhe besim, të lutemi.
  • Për njerëzit që e kanë lidhur zemrën e tyre për pronën e vet. Për hatërmbetjet në mes vëllezërve apo familjarëve për shkak të ndarjes së tokës, trashëgimisë. Zbuloju pasurinë e vërtetë të durimit, pajtimit dhe ndërgjegjes së pastër, të lutemi.
  • Shkundi për t`i zgjuar ata që kanë qëllime për të shkaktuar dhunë, dhe jepu sukses të gjithë atyre që punojnë për paqe në botë, në vendin tonë, në familjet dhe bashkësitë tona, të lutemi.
  • Për të gjithë ata që janë në kërkim të kuptimit të jetës; sidomos për të rinjtë. Tregoju se çfarë mund ta mbushë zemrën e tyre, të lutemi.

Faleminderit, i dashur Zot, për diturinë tënde, dashurinë dhe kujdesin tënd. Në ty besojmë. Dëgjoji këto lutje dhe ato që i kemi në zemrat tona nëpër Krishtin Zotin tonë. – Amen.

 

Përgatiti: P. Shtjefën Dodes SJ

Shpërndaje

Comments are closed.

« »