Kungimi i shenjtë të aftëson për marrë-dhënie

Aug 1 • Meditimi i ditës

1 gusht 2016 – E hënë, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

(Leximet e ditës: Jer 28,1-17; Ps 118; Mt 14,13-21)

 

Prania e Hyjit

O Zot, në thjeshtësi dhe përvujtëri po vij tek ti.

Fjalët e tua më çojnë në paqe në të cilën e kuptoj madhërinë dhe rëndësinë e pranisë sate.

 

Liria

Zoti e njeh lirinë time, ajo për të nuk është e huaj.

Shpirti i Zotit është ai që u jep jetë dëshirave më të thella të zemrës sime,

që më udhëheq në mënyrën pa rënë në sy drejt të gjitha të mirave.

Lus për hirin e shenjtë që të lejoj të çlirohem nëpërmjet Shpirtit të Zotit.

 

Ndërgjegjësimi

E pyes veten, si po e ndiej veten sot?
A jam ndoshta i/e lodhur, kam stres apo jam jashtë forme?
Nëse diçka prej kësaj ekziston në mua,
a mund të provoj t`i hedh tej këto brenga që më shqetësojnë?

 

Fjala

Hyji na dëfton veten e vet me anë të shkrimeve të shenjta.
Lexoje tekstin nga Ungjilli i sotëm disa herë
dhe lejoji vëmendjes tënde të pushojë në disa pjesë të tij.

 

Mt 14, 13-21

 

13 Kur dëgjoi Jezusi, shkoi prej andej me barkë dhe u shmang në një vend të pabanuar ‑ në vetmi. Por, kur e hetoi populli, u nis pas tij në këmbë prej qyteteve. 14 Kur doli Jezusi prej barke, pa një turmë të madhe njerëzish, pati dhembshuri për ta dhe i shëroi të sëmurët e tyre.

15 Në mbrëmje iu afruan nxënësit e thanë:

“Vendi është i shkretë dhe u bë vonë; lëri njerëzit të shkojnë në fshatra e të blejnë ushqim.”

16 Jezusi u përgjigj:

“Nuk është nevoja të shkojnë: jepuni ju të hanë!”

17 Ata iu përgjigjën:

“S’kemi këtu veçse pesë bukë e dy peshq.”

18 Jezusi vijoi:

“M’i sillni këtu!”

19 Pastaj i dha urdhër popullit të ulet në bar.

I mori pesë bukët e dy peshqit, i çoi sytë kah qielli, i bekoi, i ndau dhe ua dha nxënësve, kurse nxënësit turmës.

20 Të gjithë hëngrën e u nginë. I mblodhën tepricat: dymbëdhjetë shporta plot me copa. 21 E ata që hëngrën, pa i numëruar gratë e fëmijët, ishin rreth pesë mijë meshkuj.

 

Ç` dëshiron të më thuash, Zotëri?

Disa mendime mbi pjesën e leximit të sotshëm të Shkrimit Shenjt:

 

  • Këtu Jezusi i sfidon nxënësit që vetë “ta ushqejnë” një numër të madh njerëzish. A është kjo vetëm një aluzion (shenjë paralajmëruese) se si Jezusi e jep vetveten për ne në Eukaristi? Aludohet se ne nga ana tjetër do të kushtohemi, do të jepemi për të tjerët, si buka që merret, bekohet, thyhet dhe ndahet me të tjerët. Marrja, pranimi i Eukaristisë, kungimi të shenjtë, ka një dimension mbresëlënës!
  • O Atë, na ndihmo t`i ndajmë dhuntitë tona me njëri-tjetrin. Na ndihmo, që të ndajmë me të varfrit atë që kemi. Na çliro nga dëshira për t`u identifikuar me atë çfarë kemi. Çdo gjë e mirë është një dhuratë prej teje, e dhuratat duhet të ndahen me zemërgjerësi.

  

Bashkëbisedimi

O Zot i dashur, më ndihmo çdo ditë

që edhe më shumë të kërkoj.

Ma mbush zemrën time me dashuri ndaj teje.

 

Përmbyllja

Të falënderoj, o Zot, për çdo nxitje që ma dhurove gjatë kësaj kohe sa luta mbi tekstin e Shkrimit Shenjt.

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt
Si ka qenë në fillim, ashtu tash
e përgjithmonë e jetës. Amen.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »