Koncerti për Nënë Terezën në Vatikan

Aug 2 • Kisha në Kosovë

Sot, më 2 gusht, në mesditë, Ipeshkvia e Kosovës, në bashkëpunim me F.A. “Nënë Tereza dhe Filharmoninë e Kosovës, ka mbajtur Konferencë për media për të paraqitur zyrtarisht programin e Koncertit “Himni i Nënë Terezës”, që do të mbahet në Vatikan, më 3 shtator 2016, me rastin e shenjtërimit të Nënë Terezës.

 

Konferencën e udhëhoqi Don Fatmir Koliqi, zëdhënës Ipeshkvisë së Kosovës, i cili falënderoj mediat për praninë e tyre, duke thënë se “viti 2016 do të shënohet në Historinë e Kishës Katolike ndër Shqiptarë dhe të Popullit Shqiptar, sepse bija e kësaj Kishe dhe këtij Populli, e Lumja Nënë Tereza do të shpallet e shenjtë nga Ati i Shenjtë Papa Françesku, më 4 shtator 2016 në Vatikan. Kurse për Kishën Universale ka rëndësinë të madhe, sepse Papa ka zgjedhur pikërisht Vitin e shenjtë –  Jubileun e Jashtëzakonshëm të Mëshirës, për të treguar Nënë Terezën, shenjtëreshë të të mëshirës dhe dashurisë së krishterë.

Në vitin e shenjtërimit të Nënë Terezës, edhe ne, populli i saj – u shpreh Koliqi – me nderim dhe falënderim Zotit për këtë dhuratë të madhe, jemi munduar të përgatitemi për t’u paraqitur në Vatikan me dinjitet.  Kisha katolike do të shtegtojë në Vatikan me një numër të konsiderueshëm, për të marrë pjesë në këtë ngjarje të rëndësishme për ne.

Siç është i njohur opinioni publik tashmë përmes një konference për media në prill të këtij viti, do të mbahet Koncerti për Nënë Terezën në Vatikan, me 3 shtator.

 

Prej nga ka ardhur ideja për të mbajtur Koncert në Vatikan në vigjiljen e shenjtërimit të Nënë Terezës?  

Në vitin 2015, më 5 shtator, në Katedralen e Nënë Terezës në Prishtinë, është mbajtur Koncerti për Nënë Terezën, i ideuar nga producenjta Diana Toska, i realizuar nga artistë të mirënjohur shqiptarë nga Kosova, Shqipëria dhe Maqedonia, i cili ishte një realizim i mrekullueshëm,

Nga këtu lindi ideja që i njëjti koncert të ekzekutohet në ambientet e Vatikanit.

Ipeshkvi i Kosovës, Imzot Dodë Gjergji, ia ngarkoj vetës detyrën për të kërkuar nga Selia e Shenjtë që të na mirëpret me këtë koncert, pikërisht në vigjiljen e Shenjtërimit të Nënë Terezës, me idenë për të falënderuar Zotin bashkë me Kishën Katolike universale për këtë Nënë të madhe të botës, që ka dhënë Kisha jonë.

Pas kërkesës së Ipeshkvit të Kosovë, Selia e Shenjtë me kënaqësi e ka pranuar ftesën dhe është bërë nikoqire e kësaj ngjarje kulturore dhe artistike.

Këtij organizimi të Kishës katolike në Kosovë, është bashkangjitur edhe Konferenca Ipeshkvore e Shqipërisë, Argjipeshkvia e Tivarit dhe Ipeshkvia e Shkupit.

Këtë ide dhe këtë nismë kulturore dhe artistike e ka përkrah dhe e ka mbështetur financiarisht Qeveria e Kosovës.

Vendi ku ka përcaktuar Selia e Shenjtë, që të na pret për ta mbajtur këtë koncert, është njëra ndër Bazilikat madhështore Papnore: Bazilika Papnore e Shën Palit.

Prandaj, – vazhdon Zëdhënësi i Ipeshkvisë – dua të shpreh falënderimet Selisë së Shenjtë për mikpritjen, Ipeshkvin e Kosovës, Imzot Dodë Gjergjin për angazhimin e tij personal që ka bërë që ky koncert të realizohet në Vatikan, Qeverinë e Kosovës për mbështetjen dhe financimin, Diana Toskën, producenten e koncertit dhe punën e saj të vazhdueshme e të palodhshme, Filharmonin e Kosovës, artistët që kanë pranuar të bashkëpunojnë për të realizuar këtë ngjarje të rëndësishme kulturore në mënyrë vullnetare, gjegjësisht pa honorare …

Pas paraqitjes së Don Fatmir Koliqit, fjala iu dha Diana Toska, producentes së Koncertit, e cila foli për pjesëmarrjen e artistëve të mirënjohur, që do të marrin pjesë në Koncert: Inva Mula, Ermonela Jaho, Rita Ora, Shkelzen Doli, Saimir Pirgu, Ramë Laja, Gëzim Mushketa etj, të cilët do të këndojnë në këtë ngjarje të rëndësishme kulturore për ta nderuar jetën dhe veprën e Nënë Terezës. Diana i tregoj edhe recituesit e vjershave/uratave të Nënë Terezës: Don Lush Gjergji, Lorik Cana, Majlinda Kelmendi dhe dy artistët e rinj të filmit “Shok” Andi dhe Lumi, të cilët ishin të pranishëm në konferencë.

Drejtor i Filharmonisë së Kosovës, z. Baki Jashari tha se Filarmonia e Kosovës është e nderuar që është pjesë e kësaj ngjarje artistike. Që nga fillimi kemi bashkëpunuar me të gjithë artistët dhe organizatorët dhe besoj se do të jetë një koncert që do të paraqes denjësisht popullin tonë. Do të tregojmë se Nënë Tereza ka bijë dhe bija të kulturës dhe artit, që dinë ta nderojnë veprën e saj të madhe. Pastaj Z. Jashari, i pyetur nga gazetarët se në çfarë gjuhe do të këndohet, tha se programi është në disa gjuhë, shqip, italisht dhe anglisht.  

Don David Xhuxha, drejtor i programit të RV në gjuhën shqipe, i caktuar nga Ipeshkvia e Kosovës, koordinator i koncertit për Romë, foli për Bazilikën e Shën Palit, ku do të mbahet koncerti, si një vend me simbolikë të veçantë, pasi Shën Pali është ungjillëzuesi i shqiptarëve. Shën Pali ka mbjell farën e krishterimit ndër shqiptarë, dhe Nënë Tereza është figura më brilante e këtij krishterimi. Koncerti i Nënë Terezës – tha Don Davidi – ka hy në agjendën e aktiviteteve të Vatikanit për shenjtërim e Nënë Terezës dhe si i tillë ka një interesim të madh nga mediat ndërkombëtarë që do ta transmetojnë bashkë me mediat shqiptare.

Nënë Tereza në rend të parë është bijë e këtij populli, i këtyre traditave,  – theksoj Don Davidi – ajo këtu është frymëzuar nga vatra e saj familjare… Nënë Tereza është ikona të cilën Papa Francesku e ka dashur pikërisht në fazën përfundimtare të këtij vit jubilar për arsye shpirtërore, por edhe të jetë emblemë e atij qytetërimi të ri botëror, për çka Papa Francesku nënvizon se ka nevojë për figura për shembuj për stilin e një jete, siç ishte Nënë Tereza, dhe ne duhet të jemi krenar për këtë”, tha Gjugja. Për të paraqitur Koncertin për mediat ndërkombëtare do të mbahet një konferencë për media në Sallën e Shtypit të Vatikanit, me 1 shtator. Me këtë rast u tha se të gjithë ata që dëshirojnë të akreditohen në këtë Sallë dhe të përcjellin koncertin, meshën e shenjtërimit dhe aktivitetet tjera ato ditë, duhet të aplikojnë drejtpërdrejt në Zyrën e Sallës së Shtypit të Vatikanit, që mund të gjendet në këtë link:

http://press.vatican.va/content/salastampa/en/accrediti/pubblico/accredito/informazioni-logistiche-gdm.html

Në fund të konferencës u dhanë edhe disa të dhëna rreth koncertit dhe meshës:

Koncerti do të mbahet më 3 shtator, në ora 19:30, në Bazilikën e Shën Palit. Hyrja do të jetë falas, porse nevojitet të sigurohen biletat, të cilat e kanë rolin e rezervimit të vendeve. Kurse gjithë ata që do të marrin pjesë në koncert, duhet të jenë te Bazilika në ora 18:00, për shkaqe protokolli.

Të nesërm, me 4 shtator 2016 – që është dita kulminante, do të jetë mesha e solemne e shenjtërimit të Nënë Terezës, të cilën do ta kremtojë Papa Françesku, në bashkëmeshim me qindra ipeshkvij dhe meshtarë të botës, në ora 10:00, në Sheshin e Shën Pjetrit. Edhe për pjesëmarrje në meshë duhet të rezervohen biletat (falas) për të rezervuar vendet. Biletat mund të sigurohen te Ipeshkvia e Kosovës në Prishtinë, pranë Katedrales “Nënë Tereza.

Krejt në fund, Don Fatmir Koliqi, tha se në portalin revistës zyrtare të Ipeshkvisë www.drita.info, do të vendosen të dhënat shtesë për të interesuarit për koncert dhe për meshën e shenjtërimit.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »