Përqendrohu në Jezusin, jo në përplasjen e valëve

Aug 2 • Meditimi i ditës

2 gusht 2016 – E martë, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme 

(Leximet e ditës: Jer 30,1-2.12-15.18-22; Ps 101; Mt 14,22-36)

 

Prania e Hyjit

Jezus i dashur, sot në mënyrë të veçantë kam nevojë për ty.

Kryesisht kërkoj prej teje ndonjë shërbim.

Sot dëshiroj vetëm që të jem me ty.

Zemra ime t`i përgjigjet dashurisë sate.

 

Liria

Lehtë është të biesh në kurthin e pasurisë së kësaj bote.

Më jep hirin, o Zot, që të mund të jem i/e lirë nga lakmia dhe egoizmi.

Më përkujto se gjërat më të mira në jetë janë falas – gratis.

Dashuria, buzëqeshja, përkujdesja dhe bashkimi.

 

Ndërgjegjësimi

Në praninë e Hyjit që më do
i vështroj të gjithë ato gjëra që më kanë ndodhur ditën e kaluar,
prej këtij momenti në mënyrë retrospektive, hap për hap.
I kujtoj të gjitha ndodhitë që kanë qenë të mira dhe të bukura, dhe për këtë shpreh ndjenja falënderimi.
I vërej edhe hijet, gabimet dhe pyes se çka më flasin; lus për shërim, guxim, falje.

 

Fjala

O Zot, je bërë njeri në mënyrë që të bisedosh me mua;

Ke ecur dhe ke punuar mbi këtë tokë; ke duruar vapën dhe të ftohtët.

Kohën e kalove në tokë duke u përkujdesur për njerëz.

Ke shëruar të sëmurë, ke ngjallur të vdekur; dhe ajo më e rëndësishmja – më ke shpëtuar nga vdekja.

 

Mt 14, 22-36

 

22 Pastaj aty për aty Jezusi i urdhëroi nxënësit të hyjnë në barkë e të kalojnë para tij në anën tjetër derisa ai ta shpërndante popullin. 23 Jezusi, si e nisi popullin, u ngjit vetëm në mal për t’u lutur. Ishte bërë natë e ai ende gjendej aty vetëm.

24 Barka, që tashmë ishte shumë stadje larg tokës, përplasej prej valëve, sepse era fryente kundër. 25 Në rojën e katërt të natës erdhi Jezusi tek ata duke ecur përmbi det. 26 Kur nxënësit e hetuan duke ecur përmbi det, u frikësuan e thanë: “Diçka po na shtihet!” e prej frikës bërtitën. 27 Por, menjëherë Jezusi u tha:

“Guxim, jam unë, mos kini frikë!”

28 Pjetri u përgjigj:

“Zotëri, nëse je ti, më urdhëro të vij te ti përmbi ujë!”

29 “Eja!” ‑ i tha.

Atëherë Pjetri zbriti nga barka e po ecte nëpër ujë për të shkuar te Jezusi. 30 Porse, kur e pa erën e fortë, u frikësua, filloi të humbasë në ujë dhe bërtiti:

“Më shpëto, o Zot!”

31 Jezusi përnjëherë shtriu dorën, e kapi dhe i tha:

“Fepakët! Përse dyshove!”

32 Kur hynë në barkë, pushoi era. 33 Ata që ishin në barkë u përkulën me nderim para tij e thanë:

“Me të vërtetë je Biri i Hyjit!”

34 Pasi kaluan detin, u kapën në breg në Gjenezaret. 35 Njerëzit e atij vendi, posa e njohën, e vunë në dijeni mbarë krahinën dhe ia sollën të gjithë të sëmurët. 36 I luteshin t’i lejonte t’i preknin vetëm kindin e petkut të tij. Ata që e prekën, u shëruan.

 

Ç`dëshiron të më thuash, Zotëri?

Disa mendime mbi pjesën e leximit të sotshëm të Shkrimit Shenjt:

 

  • Jezusi nuk erdhi menjëherë për t`i shpëtuar nxënësit që po luftonin. Në fakt, i la që të luftojnë gjatë gjithë natës. Edhe ne e kemi një përvojë të ngjashme: besimi ynë arrin nganjëherë deri në atë pikë, sa që mendojmë se do të thyhet.
  • Humaniteti i Pjetrit (të qenit e tij njeri) i jep njëfarë sigurie. Pa u menduar hidhet në ujë. Por sapo i largon sytë e fokusuar te Jezusi fillon të fundoset.
  • Ky është një mësim për ne të gjithë në këto kohë të trazuara në të cilat jetojmë. Në jetë duhet mbajtur shikimin tonë drejt Jezusi, jo drejt valëve.

 

Bashkëbisedimi

E filloj bisedën me Jezusin mbi tekstin e Shkrimit Shenjt që pikërsiht e lexova.

Ç`më nxiti më së shumti të mendoj?

Ndoshta nëpërmjet atij rreshti të tekstit në sipërfaqen e vetëdijës sime

ngadalë nga kujtesa dalin fjalët e mikut, apo ndonjë tregim që e kam dëgjuar para pak kohe.

Nëse është ashtu, a po e ndriçon tregimi atë çka mundohet të më thotë teksti i Shkrimit Shentj?

 

Përmbyllja

Të falënderoj, o Zot, që munda t`i kaloj këto pak minuta vetëm me ty.

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt
Si ka qenë në fillim, ashtu tash
e përgjithmonë e jetës. Amen.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »