Vetëm zgjuar mund ta shohim lavdinë e Zotit

Aug 6 • Meditimi i ditës

6 gusht 2016 – E martë, Shndërrimi i Jezu Krishtit, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

(Leximet e ditës: Dan 7,9-10.13-14; Ps 96; 2 Pjt 1,16-19; Lk 9,28b-36)

 

Prania e Hyjit

Jezus i dashur, sot në mënyrë të veçantë kam nevojë për ty.

Kryesisht kërkoj prej teje ndonjë shërbim.

Sot dëshiroj vetëm që të jem me ty.

Zemra ime t`i përgjigjet dashurisë sate.

 

Liria

Lehtë është të biesh në grackën e pasurisë së kësaj bote.

Më jep hirin, o Zot, që të mund të jem i/e lirë nga lakmia dhe egoizmi.

Ma përkujto se gjërat më të mira në jetë janë falë – gratis.

Dashuria, buzëqeshja, përkujdesja dhe bashkimi.

 

Ndërgjegjësimi

Jetoj në një rrjetë të gërshetuar me shumë marrëdhënie, raporte,

në lidhje me natyrën, me njerëz, me Hyjin.
I lejoj vetes t`i ndiej këto marrëdhënie dhe falënderoj për jetën që rrjedh përmes tyre.
Disa prej këtyre marrëdhënieve janë shtrembëruar, disa janë dëmtuar, disa janë këputur:
për këtë arsye ndoshta ndihem i/e hidhëruar, i/e zemëruar, i/e zhgënjyer.
Lus për dhuntinë që të mund të pranoj dhe të fal.

 

Fjala

Hyji i flet secilit prej nesh personalisht.

Duhet ta dëgjoj në mënyrë që ta marrë vesh çfarë dëshiron të më thotë.

Do ta lexoj tekstin disa herë, pastaj do të dëgjoj…

Lk 9, 28b-36

Jezusi mori me vete Pjetrin, Gjonin dhe Jakobin e u ngjit në mal për t’u lutur.

29 Ndërsa po lutej, fytyra iu shndërrua e petkat iu bënë të bardha e të shndritshme si vetëtima.

30 Dhe ja, dy njerëz po bisedonin me të! Ishin Moisiu dhe Elia. 31 Ata u dukën të rrethuar me lavdi e bisedonin me të për kalimin e tij nga kjo jetë që do ta bënte së shpejti në Jerusalem. 32 Pjetrin dhe shokët e tij i kishte lodhur gjumi, por qëndruan zgjuar dhe e panë lavdinë e tij dhe ata dy burra që po qëndronin me të; 33 dhe, ndërsa ata po ndaheshin prej tij, Pjetri i tha Jezusit:

“Mësues, është mirë për ne të qëndrojmë këtu. Po bëjmë tri tenda: një për ty, një për Moisiun e një për Elinë!” Nuk dinte ç’thoshte.

34 Ndërsa ky ende po fliste, ra një re dhe i mbuloi me hijen e vet. Kur hynë nën re, nxënësit i kapi frika. 35 Prej resë u dëgjua një zë: “Ky është Biri im ‑ i Zgjedhuri! Atë dëgjojeni!”

36 Ndërsa ky zë po jehonte, Jezusi mbeti vetëm.

Nxënësit heshtën dhe ndër ato ditë s’i treguan askujt çka kishin parë.

 

Ç` dëshiron të më thuash, Zotëri?

Disa mendime mbi pjesën e leximit të sotshëm të Shkrimit Shenjt:

  

  • Pjetri, Jakobi dhe Gjoni ishin të këputur për gjumë, por duke qëndruar zgjuar e panë lavdinë e Jezusit! Përsëri do t`i kapë gjumi në Gjetseman. Në Bibël, një gjumë i tillë do të thotë se nxënësit s`e kanë kuptuar Jezusin dhe marrëdhënien e tij me Atin. Jezusi qe braktisur, i lënë vetë për të kryer veprën e shpëtimit, pa ndihmën e tyre.
  • Jezus, sa herë sytë tanë janë të mbyllur dhe të fjetur ndërsa ecim me ty rrugës së jetës? Sa shpesh veshët tanë janë të mbyllur për Fjalën tënde, që na shqipton nëpërmjet bashkëbisedimeve tona të përditshme? Fjala jote qëndroftë zgjuar, e gjallë dhe vepruese në ne çdo ditë ndërsa udhëtojmë së bashku me Ty.

 

Bashkëbisedimi

“Rrini zgjuar – mos flini.“
Janë fjalët e tua drejtuar nxënësve para mundimit dhe vdekjes.
E di, o Zot, se do të qëndrosh pranë meje
dhe do të vigjilosh të gjitha ditët e jetës sime.

 

Përmbyllja

Të falënderoj, o Zot, që munda t`i kaloj këto pak minuta vetëm me ty.

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt
Si ka qenë në fillim, ashtu tash
e përgjithmonë e jetës. Amen.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »