Zgjimi shpresëdhënës

Aug 6 • LEXIMET E SË DIELËS

E diela XIX gjatë vitit `C`

 

Leximi i parë Urt 18, 3.6-9

Lexim prej Librit të Urtisë

Në natën e lirimit, Izraelitëve u dhe për prijës në udhë të panohur një shtyllë zjarri të ndezur, diell të butë në shtegtim të lavdishëm. Ajo natë u qe paralajmëruar etërve tanë, që ta kishin të qartë çfarë përbetimeve u kishin besuar, se s’do t’u tundej besimi në zemër. Pritej prej popullit tënd shpëtimi i të drejtëve e shfarosja për të padrejtët, sepse, siç i ndëshkove kundërshtarët, ashtu na madhërove duke na thirrur pranë teje.
Atëherë bijtë e shenjtë të të drejtëve fli të kushtuan fshehtazi e ranë në përkim të gjithë së bashku për këtë ligj hyjnor: shenjtërit do t’i pranojnë barazi si të mirat ashtu dhe rreziqet. Atëherë kënduan këngët që më parë i këndonin etërit.

Fjala e Zotit.

 

Psalmi 33

Ref: Lum populli që i përket Zotit
————————————-

Galdoni, o të drejtë me Zotin,
të drejtëve u ka hija lavdërimi!
Lavdërojeni Zotin me kitarë,
bini gëzueshëm lirës me dhjetë korda!
————————————-
Qe, sytë e Zotit janë mbi ata që e druajnë,
mbi ata që shpresojnë në mirësinë e tij:
për t’i shpëtuar nga vdekja
e për t’i ushqyer në kohën e urisë.
————————————-
Shpirti ynë shpreson në Zotin,
ai është ndihma dhe mburoja jonë.
Mirësia jote qoftë mbi ne, o Zot,
sikurse ne shpresojmë në ty.
————————————

 

Leximi i dytë Heb 11, 1-2.8-19

Lexim prej drejtuar Hebrenjve

Vëllezër, feja është një mënyrë pasjeje të sendeve që shpresohen, mjet të njihen sendet që nuk shihen. Në fuqi të saj, madje, të parët tanë fituan një dëshmi të mirë.
Me anë të fesë, Abrahami, kur qe grishur, dëgjoi të çojë dhe të niset drejt vendit që do ta fitonte në trashëgim; e lëshoi vendin edhe pse nuk dinte se ku do të shkonte. Me anë të fesë erdhi të banojë në tokën e premtuar si në tokën e huaj dhe jetoi nën tenda me Izakun dhe me Jakobin, bashkëtrashëgimtarët e të njëjtit premtim, sepse priste Qytetin me themele të palëkundshme, arkitekti dhe ndërtuesi i të cilit është Hyji.
Me anë të fesë, edhe vetë Sara beronjë fitoi mundësinë të bëhej nënë, megjithëse i kishte kaluar mosha, sepse e mbante besnik Atë që i dha premtimin. Këndej, prej një njeriu, dhe ai gati i vdekur, lindi një shumicë e madhe porsi yjet në qiell dhe rëra e panumërueshme në bregun e detit.
Të gjithë këta vdiqën në fe pa marrë çka u qe premtuar. Ata vetëm e vërejtën prej së largu dhe e përshëndetën duke pranuar se janë të huaj dhe udhëtarë përmbi tokë. Vërtet, ata që flasin kështu dëftojnë qartazi se kërkojnë atdheun. Patjetër, po të kishin menduar për atdheun prej të cilit dolën, do të kishin pasur kohë të ktheheshin. Por tashti, ata dëshirojnë një atdhe më të mirë, domethënë atmen qiellore. Për këtë arsye Hyjit nuk i vjen turp të quhet Hyji i tyre: vërtet, Ai ua ka bërë gati Qytetin.
Me anë të fesë, Abraha-mi, i vënë në provë, e flijoi Izakun. Flijonte djalin e vetëm ai që kishte marrë premtimin, të cilit i qe thënë: “Pasardhësit e tu do të rrjedhin prej Izakut”, plotësisht i bindur se Hyji mund të ngjallë edhe të vdekurit. Prandaj edhe e rifitoi, dhe qe një shëmbëlltyrë.

Fjala e Zotit.

 

Aleluja
Rrini zgjuar, sepse nuk e dini ditën
kur do të vijë Zoti.

Aleluja

 

Ungjilli Lk 12, 32-48

Leximi i Ungjillit shenjt sipas Lukës

Në atë kohë, Jezusi u tha nxënësve të vet: “Mos druaj, o grigjë e vogël, sepse Atit tuaj i pëlqeu t’jua japë Mbretërinë! Shitni pasurinë tuaj e jepni lëmoshë! Bëni për vete strajca që nuk vjetrohen, thesar në qiell që nuk mbaron kurrë, ku vjedhësi nuk afrohet e tenja nuk bren.
Vërtet, ku është visari juaj, aty do të jetë edhe zemra juaj. Jini gati – të veshur e të ngjeshur me llamba të ndezura – porsi ata që presin zotërinë e vet kur kthehet prej dasmës për t’ia çelur derën posa të vijë e të trokëllitë. Lum shërbëtorët që, kur kthehet zotëria, i gjen zgjuar! Përnjëmend po ju them: ai vetë do të ngjeshët, ata do t’i ulë në tryezë, do të afrohet dhe vetë do t’i shërbejë. Po erdhi në të dytën ose në të tretën rojë të natës dhe po i gjeti kështu, lum ata!
E mos e harroni këtë gjë: po ta dinte i zoti i shtëpisë në të cilën orë i vjen vjedhësi, nuk do të linte t’i thyhej shtëpia. Edhe ju, pra, jini gati, sepse Biri i njeriut do të vijë në atë çast kur s’jua merr mendja.” Atëherë Pjetri tha: “Zotëri, a po e thua këtë shëmbëlltyrë vetëm për ne, apo për të gjithë?
Zotëria i përgjigji: “Cili, vallë, është ai mbarështues besnik e i mençur që do ta vërë zotëria përmbi shërbëtorët tjerë për t’u dhënë në kohën e duhur pjesën e ushqimit? I lumi ai shërbëtor, të cilin, kur kthehet zotëria i tij, e gjen duke vepruar kështu. Përnjëmend po ju them: do ta vërë mbi të gjithë pasurinë e vet.
Porse, po bëri e mendoi shërbëtori në zemrën e vet: ‘Zotëria im do të vonojë të kthehet’, dhe fillon të rrahë shërbëtorët e shërbëtoret, të hajë e të pijë e të dehet, zotëria i tij do të vijë atë ditë kur nuk e pret, atë orë që nuk ia merr mendja, dhe do ta ndëshkojë rëndë e do t’ia japë fatin e të pafeve. Shërbëtori që e diti vullnetin e zotërisë e nuk u bë gati dhe nuk e kreu vullnetin e tij, do të marrë shumë të rëna. Ndërsa ai që nuk e diti, por bëri punë që duhet të ndëshkohen, do të rrihet më pak. Kujt iu dha shumë, prej tij do të kërkohet shumë. Kujt iu besua shumë, prej tij do të kërkohet shumë.

Fjala e Zotit.

 

POROSIA

Një pjesë e madhe e jetëve tona përbëhet nga pritjet, shpresat. Por, ne e dimë, që njerëzit mund të presin diçka që nuk (mund të) realizohet, njerëz që jetojnë me shpresë të rrejshme, në iluzione. Ekziston edhe ajo pritja tjetër me shpresë të lume – që nuk zhgënjen. Këtë na premton dhe dëshmon Fjala e Zotit.

Shpeshherë konsiderojmë se pritja nuk është diçka produktive, se ajo është humbje kohe dhe për këtë arsye jemi të frustruar. Mirëpo në të vërtet pritja dhe pafuqia e saj mund të ketë më shumë kuptim dhe të jetë më e frytshme se të gjitha arritjet që i ndjejmë se do të na siguronin një status dhe plotësi të caktuar. Nëna e pret lindjen e fëmijës së vet. E presim kthimin në shtëpi të dikujt që na pëlqen dhe të cilin e duam. Pres, kur të gjitha përpjekjet njerëzore të kenë dështuar, atë çfarë është e mirë dhe e drejtë…

Ungjilli i shenjtë kur flet për nevojën për të qëndruar zgjuar na tregon se si pritja mund të jetë gjë e bukur – sepse do ta takojmë dikë që na do të mirën, që do të na shpërblejë për besimin dhe besnikërinë. Ne të krishterët jemi të thirrur në të gjitha gjërat dhe ndodhitë ta kërkojmë dhe ta gjejmë Krishtin. Jemi të thirrur të vigjilojmë dhe të jemi të përgatitur për ardhjen e Tij në ndodhitë tona të përditshme jetësore si dhe në fundin e botës. Lutja jonë mund të na ndihmojë shumë në këtë drejtim.

Të priturit mund të jetë e mërzitshme dhe frustruese. Por, a ekziston ndoshta në të një dimension i pasur dhe i fshehur? Si mund ta kthejmë pritjen tonë antipatike (gërnjare) në “pritje të shenjtë”?

Hyji e integron një pjesë të madhe të pritjes në jetën tonë. E gjithë Besëlidhja e Vjetër është një pritje e madhe. Më në fund, Hyji e dërgon Birin e vet. Duket se pritjes i erdhi fundi. Por mendo për ditët pa ngjarje të veçanta që Jezusi i kaloi në Nazaret: duket sikur Hyji e bën Jezusin të presë. Pas kësaj vijon furtuna, koha e jetës së tij publike: “ai u shfaq, fliste, ecte, lutej,shëronte, thyente bukën …” Në Pësime apo Mundime çështja e pritjes bëhet përsëri temë qendrore. Jezusi është treguar jashtëzakonisht pasiv. Më parë ai kishte bërë shumëçka, kurse tani po i bëhet shumë atij: “ata e arrestuan, e fshikulluan, e kryqëzuan dhe e varrosën…”

Jezusi e dorëzoi vetveten tërësisht: ai nuk luftoi. Ai pret atë çfarë armiqtë e tij vendosin të bëjnë me të. Ai iu thotë torturuesve të vet: “Dashuria ime ndaj jush është e pashtershme. Pa marrë parasysh atë që ma bëni mua, dashuria ime s`do të ligështohet.” Dashuria në zemrën e tij e bën këtë kohë “pritje të shenjtë”.

Pritja, pra, ka një cilësi hyjnore. Pritja e Jezusit tregon dashurinë e tij të madhe. Ai e njeh mirë pritjen tonë njerëzore. Prej tij mund të mësojmë se si t`i durojmë gjërat që s`mund të ndryshohen. Në momente të tilla jemi të afërt me Hyjin. Sa herë që e ndiejmë veten të mbërthyer në këtë “pritje”, mund ta lusim Zotin që të na mësojë që këtë kohë të veçantë ta shndërrojë në “një pritje të shenjtë”.

Pritja mund të thotë shumë gjëra, vetëm në raste të veçanta hirësie e ka kuptimin e një përvoje gëzimi, lumnie. Në shumë raste, pritja mund të jetë një përvojë e mërzitjes, e padurimit, e reflektimitme brenga. Sidomos kur e vërejmë se po presim për shkak se e kemi obligim apo pse po kërkohet prej nesh, e ndejmë se po na imponohet diçka. Një pritje e tillë mund të jetë një punë e rëndë, si të na kishte kapur dikush për këmbe, për të qëndruar në vend. Kur njerëzit e kanë përshtypjen se kanë të drejtë në diçka, ata zakonisht kanë pak durim të presin. Njerëzit që e kanë përshtypjen se takimi me dikë të dashur për ta është një privilegj i vërtetë, ata do të ndihen në rregull me pritjen dhe ata presin me shpresë të gëzueshme, të lume.

Të priturit mund të ndjehet si diçka e gëzueshme dhe që e bën njeriun më të lirë dhe më emocionues, kur jemi shumë të vetëdijshëm se sa i rëndësishëm për ne është personi apo ngjarja që jemi duke e pritur. Kur jemi duke pritur dikë me të vërtetë të rëndësishëm për ne, dikë që e ndjejmë se na bëhet nder të jemi në shërbim ose në prani të tij, ne ngazëllehemi, nganjëherë madje shqetësohemi që me të vërtetë të përgatitemi për takimin që parashihet. Nuk duam të endemi andej-këndej ose të jemi në rrëmujë kur personi të mbërrijë. Ne nuk dëshirojmë të vonohemi. Një person, që është më i përvuajtur e pret një person më të rëndësishëm. Personi “më i lartë” kurrë nuk e pret shërbëtorin, është shërbëtori ai i cili e pret mjeshtrin. Madje, njeriu e ndjen se po i bëhet nder që është në gjendje të veprojë kështu, sepse ne gjithashtu bëhemi përfituesit e parë të hir-mbushjes/pranimit të takimit. Duke pritur për t`i dalë përpara Zotit, ne na jepet edhe privilegji për të hapur portën/derën për takimin e Zotit me të tjerët, një privilegj që nuk e gëzojnë të gjithë.

Pritja do të na bëjë të ndihemi të lumtur në qoftë se jemi në gjendje ta respektojmë ritmin natyror të gjërave; kur jemi në gjendje të qetësohemi dhe ta paguajmë nderimin, respektin për mënyrën se si gjërat lëvizin dhe rriten. Ka shumë gjëra në këtë botë që ne nuk mund dhe nuk duhet t`i kontrollojmë – jetën dhe rritjen e gjërave për shembull, mënyrën sesi zhvillohen ngjarjet, pjekjen/maturimin e njerëzve dhe të marrëdhënieve. Ne mund të nxitojmë dhe t`ua imponojmë një ritëm gjërave, por shumë gjëra të mira e kanë kohën e tyre të natyrshme. Kemi nevojë për të mësuar një ndjeshmëri bazë të kairos-it të Hyjit (momentit të volitshëm dhe të pakthyeshëm), ritmin e plotësisë dhe hirësisë (mirësisë). Një fermer nuk mund të mbjellë farën dhe ta kthejë tokën çdo ditë vetëm për të kontrolluar a mos ka mbirë ndonjë pip… Shërimi i plagëve të brendshme merr kohë dhe asnjë sasi e shprehur e keqardhjes sonë s`mund të nxitojë pajtimin kur njerëzit ndjehen thellësisht të lënduar apo të tradhtuar. Shumë herë pjekja apo maturimi i njerëzve që ndodhen në formim kanë nevojë për shumë kohë dhe durim dhe pritje.

Pritjen do ta ndiejmë të lume kur ai/ajo që pret është në gjendje të zbrazë vetveten nga pritjet e caktuara të asaj se kush do të vijë dhe se si dhe kur ai/ajo duhet të vijë. Shpesh herë i fiksojmë në kokën tonë mënyrat sesi do të ndodhë një gjë në të ardhmen, apo kush do të vijë… e nëse këto imazhe janë tepër të ngushta, vetjake, ato mund të na lëndojnë nëse realiteti tregon diçka krejt tjetër. Kështu imazhet apo iluzionet tona mund të na lënë të parehatshëm, të padurueshëm, madje të na dëmtojnë. Kur jemi në gjendje “të presim me shpresë të gëzueshme”, d.m.th. të gatshëm për të dëgjuar zërin e Zotit, për të shërbyer, ne bëhemi si enët bosh të etur për ujë të gjallë, të gatshëm për t`u  mbushur dhe për t’u derdhur bosh përsëri për të ndarë ujin jetëdhënës për të tjerët. Të lirë për të marrë, ashtu siç  jemi të lirë për të dhënë.

Prandaj, pritja ka shumë të bëjë me shpresën. Ajo është promotori kryesor i jetës. Në qoftë se s`jemi në gjendje të shpresojmë në asgjë, atëherë koha e pritjes nuk ka kuptim. Shpresa kryesore është shpëtimi i njerëzimit. Shpresojmë se në këtë botën tonë do të mbretërojë drejtësia dhe paqja; ky boshllëk, zbrazëti që e ndiejmë në jetën e përditshme do të mbushet dhe njerëzit do ta gjejnë dhe jetojnë një jetë në plotësi.

Kjo shpresë e madhe është e mbushur me shpresa të vogla – me shpresa të përditshme që na formojnë. Disa shpresa u japin formë marrëdhënieve tona ndërnjerëzore. Edhe Krishti kishte shpresa – u rrit në një njeri i cili mishëronte bujarinë dhe faljen. Jeta e mbushur me shpresë, e sheh të mirën në të tjerët, është e durueshme me gabimet e të tjerëve dhe me këmbëngulje i paramendon në formën e tyre më mirën.

Disa shpresa do t`i japin formë jetës sonë të punës. Mesia i Premtuar e pat parathënë mbretërimin e Zotit të drejtësisë dhe mëshirës. Pa marrë parasysh atë që bëjmë apo çfarë lloji pozite kemi si njerëz shprese do të vazhdojmë të mbajmë ndershmërinë dhe integritetin si synime afatshkurtra dhe afatgjata. Punën tonë e bëjmë të rëndësishme për të mirën e përbashkët.

Disa shpresa do t`i japin formë karakterit tonë. Jezusi dha një shembull shprese që i jep formë lirisë së vërtetë të brendshme. Personi i shpresës nuk mund të vazhdojë të jetojë në ankth, dëshirën për pushtet, nevojën për të kontrolluar vazhdimisht të tjerët, apo në zemërim.

Në ç’mënyrë është shpresa e dukshme në jetën tënde? Ku është pakësuar ajo?

E kujtojmë pritjen, shpresën e popullit hebre për ardhjen e Mesisë. E kujtojmë pritjen e Marisë dhe Jozefit pas dhuratës së madhe të Lajmërimit të engjëllit. Ne e presim gjithashtu ardhjen e Hyjit në jetën tonë në një mënyrë të re. Por a mund të presësh me të vërtetë Hyjin që të hyjë në jetën tënde? A mund të jesh i/e durueshëm/e? A mund t`i zësh besë premtimit të Zotit?

Mund të lusim kështu: O Zot, më ndihmo që në varfërinë e zemrës sime të jem i/e hapur ndaj Teje – ardhjes Tënde, dashurisë, bekimit dhe paqes Sate. Ma jep hirin që të mbështetem, të besoj në Ty, sepse ti je Zotëruesi i zemrës sime, paqja ime më e thellë dhe udhëheqësi më i sigurt në rrugën e jetës sime.

Si e përgatisim zemrën tonë për Jezusin? A e kuptojmë fare se kemi nevojë për përgatitje? A do të jetë në nxitim zemra jonë kur të shfaqet Zoti? A jemi të gatshëm ta dallojmë Zotin që vjen në gjërat e jetës së përditshme? Apo zemra dhe mendja jonë janë aq të përqendruara në vështirësi aktuale sa që jemi të papërgatitur për të shpresuar dhe për të marrë hirin e shenjtë?

A e njohim Zotin e vërtetë? Apo e kërkojmë ndonjë shpëtimtar sipas disa ideve tona vetjake? Ndoshta jemi duke pritur dikë që është i fuqishëm dhe, nëse është e nevojshme, me forcë ka për të drejtuar botën? A mos jemi duke e pritur një shpëtimtar që duket si ne, i të njëjtës racë, fe dhe kulturë?

Apo do të dimë të ndalemi dhe ta meditojmë fjalën e tij duke i lënë anash të paktën për disa çaste preokupimet vetjake? Apo ndoshta jemi të zënë me llogaritë e kartës së kreditit, pasojat e tubimeve familjare, paratë që i kemi fituar dhe me të gjitha gjërat që do të donim t`i blinim dhe t`i bënim në të ardhmen?

 

Lutjet e besimtarëve

Ne si njerëz jemi gjithmonë në lëvizje, pritja na duket e vështirë, por shpesh nxitojmë dhe përfundojmë në zbrazëti. T`ia drejtojmë Zotit lutjet tona:

Të themi së bashku: O Zot, na ndihmo që të jemi të vëmendshëm.

  • Në këto javë shumë njerëz udhëtojnë. Ata ngjiten maleve, kalojnë nëpër pyje ose shtrihen për t`i shijuar rrezet e diellit. Koha e lirë është e kufizuar. Shumë e mbingarkojnë veten dhe të tjerët me pritjet e tyre. Sot i kujtojmë njerëzit që kanë nevojë për të pushuar trupin e shpirtin, në mënyrë që ta shndërrojnë jetën e tyre të përditshme, që si mysafirë, të huaj, si njerëz të tjerë të pranohen. Të lutemi: O Zot, na ndihmo që të jemi të vëmendshëm.
  • Në krizat e jetës njerëzit kanë nevojë për afërsi dhe besim, kur strukturat e mirënjohura të jetës nuk na japin asnjë mbështetje. Sot i kujtojmë njerëzit që u janë thyer shpresat, që qëndrojnë si para thertores dhe kanë frikë përsëri t`ia fillojnë. Të lutemi: O Zot, na ndihmo që të jemi të vëmendshëm.
  • Kombet që bashkohen, e zbulojnë se sa të brishta janë marrëdhëniet midis njerëzve. Ajo çfarë ndodh në një vend tjetër, është e huaj për vendin tonë, ajo që mendojmë këtu përjetohet si kërcënuese nga një vend tjetër. Sot i kujtojmë njerëzit që janë të hutuar, të pasigurt, që pavarësisht se flasin një gjuhë e përbashkët nuk kuptohen dhe vazhdojnë të largohen nga njëri-tjetri. Të lutemi: O Zot, na ndihmo që të jemi të vëmendshëm.
  • Në opinionin publik dhe internet po përhapen paragjykime, edhe urrejtja po gjen jehonë. Sot i kujtojmë njerëzit që janë të angazhuar për të ndihmuar të tjerët, që ndihmojnë për të gjetur një mënyrë për të dalë në situata të vështira dhe janë të guximshëm për të zvogëluar frikën dhe mosmarrëveshjet.Të lutemi: O Zot, na ndihmo që të jemi të vëmendshëm.
  • Në shumë vende të botës njerëzit po përjetojnë dhunë dhe padrejtësi. Shumë fëmijë nuk kanë të ardhme. Në kërkim të një vendlindje të re nisen në rrugë për të emigruar, duke rrezikuar kështu edhe jetën. Sot i kujtojmë njerëzit që luajnë me jetët e të tjerëve nëpërmjet shkrimeve dhe raporteve, që duke analizuar zhvillimet sociale rrisin mosmarrëveshjet dhe frikën. Të lutemi: O Zot, na ndihmo që të jemi të vëmendshëm.
  • Pa u dëgjuar dhe në fshehtësi, nganjëherë edhe me zë të lartë dhe dukshëm po na tronditin shuplakat e padrejtësive. Industri të ndryshme po fitojnë shumë, kurse në shumë vende të krizave sot bilancet dhe aksionet po i paguajnë njerëzit me jetën e tyre. Sot i kujtojmë njerëzit që e lexojnë me zemër Ungjillin dhe me guxim e mbajnë zgjuar shpresën e madhe. Sprapse një garë të re armësh!  Të lutemi: O Zot, na ndihmo që të jemi të vëmendshëm.

Ti, o Zot, vigjilon mbi ne. Na ruaj që mos të shkojmë rrugës së gabuar, na bart kur na duhet t`i kapërcejmë humnerat, na jep krahë në mes të errësirës. Bëj që me guxim dhe të lumtur të shpresojmë në ty dhe ta presim Ardhjen tënde. Nëpër Krishtin, Zotin tonë. – Amen.

Përgatiti për Dritën: P. Shtjefën Dodes SJ

Shpërndaje

Comments are closed.

« »